Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-këshilltari i tij për Lindjen e Mesme, po zhvillon një seri takimesh të rëndësishme në rajon, në një përpjekje për të çuar përpara negociatat për një armëpushim në Gaza. Kushner u takua gjatë fundjavës në Egjipt me Khalil al-Hayya, një prej figurave kryesore të Hamasit. Takimi u zhvillua në një kohë kur përpjekjet diplomatike për ndalimin e luftës në Gaza kanë hyrë në një fazë të vështirë.
Në Egjipt, Kushner u takua gjithashtu me presidentin Abdel Fattah el-Sisi. Sipas zyrës së presidentit egjiptian, në fokus të bisedimeve ishte zbatimi i detyrimeve të palëve për ndalimin e luftës në Gaza.
Kushner pritet të udhëtojë më tej drejt Izraelit, ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Në takime ai shoqërohet nga Nickolay Mladenov, drejtues i Bordit të Paqes, një organ i mbështetur nga SHBA-ja që synon të kontribuojë në një zgjidhje afatgjatë për Gazën. Misioni i Kushner vjen pasi presidenti Trump prezantoi një plan të ri paqeje prej 15 pikash për Gazën. Plani parashikon ndalimin e luftimeve, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar publikisht planin dhe ka këmbëngulur se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga Gaza derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.
Hamasi, nga ana tjetër, ka shprehur gatishmëri për një plan çarmatimi, por kërkon që Izraeli të përmbushë më parë detyrimet e tij nga marrëveshja e mëparshme e armëpushimit.
Kushner nuk është një figurë e re në diplomacinë e Lindjes së Mesme. Gjatë mandatit të parë të Trump, ai ishte një nga personat kryesorë që punoi për politikën amerikane në rajon. Kushner luajti një rol të rëndësishëm në Marrëveshjet e Abrahamit, përmes të cilave Izraeli normalizoi marrëdhëniet me disa shtete arabe.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, Kushner themeloi kompaninë e investimeve Affinity Partners. Firma mori 2 miliardë dollarë nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, ndërsa në të kanë investuar edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
Këto lidhje financiare kanë ngritur më parë pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi. Kushner i ka mohuar akuzat, duke thënë se marrëdhëniet e tij në rajon përbëjnë përvojë dhe kontakte të dobishme për diplomacinë.
Tani, ai është rikthyer në qendër të përpjekjeve amerikane për Lindjen e Mesme. Takimet me Hamasin, presidentin e Egjiptit dhe kryeministrin e Izraelit synojnë të gjejnë një mënyrë për të rikthyer në tryezë një marrëveshje armëpushimi që aktualisht mbetet e bllokuar. Por me Netanyahun që kundërshton tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe Hamasin që kërkon garanci për zbatimin e marrëveshjeve, rruga drejt një armëpushimi të ri në Gaza mbetet e vështirë. Top Channel

