Tridhjetë vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në territorin e vendit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, 7 vatra vijojnë të jenë aktive, 10 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 13 janë shuar plotësisht.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale, të mbështetura nga 21 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 133 efektivë, një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, një dron, 13 mjete dhe një autoambulancë.
Në Qarkun Tiranë vijon aktive vatra në Malin e Dajtit. Në terren kanë operuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura me 6 mjete dhe një autoambulancë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë izoluar dhe po mbahen nën mbikëqyrje. Your browser does not support the video tag. Your browser does not support the video tag. Në Qarkun Dibër mbeten aktive disa vatra, konkretisht në Lundre–Madhesh, Mat, në Cerrujë–Mali i Allushit, Klos, në Selishtë, si dhe një vatër e re në Pleshë të Klosit. Vatra në Qafën e Helmesit vijon të mbahet nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav të Fushë-Arrëzit. Zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Ndërsa vatra në Mnelë të Madhe është shuar.
Në Qarkun Fier, vatra në Peshtan vijon të mbahet nën monitorim, ndërsa zjarri në Çërrilë të Mallakastrës mbetet aktiv. Për shuarjen e tij janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe të mbrojtjes civile, ndërsa Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me një helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, situata paraqitet më e qëndrueshme. Vatrat e raportuara në këto qarqe janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës vijon puna në terren, ndërsa vatra është klasifikuar nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet

