Lajme Zone
Sigurimi i depozitave bankare, kufiri rritet në 6 milionë lekë nga korriku 2027
EkonomiCNA

Sigurimi i depozitave bankare, kufiri rritet në 6 milionë lekë nga korriku 2027

Kufiri maksimal i sigurimit të depozitave bankare në Shqipëri pritet të rritet nga 2.5 milionë lekë aktualisht në 6 milionë lekë, sipas projektligjit të ri “Për sigurimin e depozitave”, të hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), të hedhur për konsultim publik. Projektligji parashikon që kufiri i ri i mbulimit të fillojë të zbatohet nga data 1 korrik 2027. Në një fazë të dytë, në mome

Kufiri maksimal i sigurimit të depozitave bankare në Shqipëri pritet të rritet nga 2.5 milionë lekë aktualisht në 6 milionë lekë, sipas projektligjit të ri “Për sigurimin e depozitave”, të hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), të hedhur për konsultim publik.

Projektligji parashikon që kufiri i ri i mbulimit të fillojë të zbatohet nga data 1 korrik 2027. Në një fazë të dytë, në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ky kufi do të rritet më tej në kundërvlerën në lekë të 100 mijë eurove, në përputhje me standardin e përcaktuar nga legjislacioni europian.

Aktualisht, Agjencia e Sigurimit të Depozitave siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve për depozitues, ndërsa për depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit kufiri është 2 milionë lekë.

Sipas projektligjit, niveli i mbulimit në rast të një ngjarjeje sigurimi do të jetë deri në 6 milionë lekë për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një bankë anëtare të skemës. Kjo do të thotë se kufiri zbatohet mbi shumën e përgjithshme të depozitave që një individ ka në të njëjtën bankë dhe jo veçmas për çdo llogari.

Ndërkohë, kufiri i sigurimit për shoqëritë e kursim-kreditit do të mbetet 2 milionë lekë deri në momentin e anëtarësimit në BE, kur edhe për këto institucione parashikohet mbulimi deri në kundërvlerën e 100 mijë eurove.

Në relacionin shpjegues, ASD e cilëson këtë ndryshim si rritjen më të madhe historike të nivelit të mbulimit të depozitave bankare në Shqipëri. Projektligji është hartuar në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën Europiane për skemat e garantimit të depozitave, të ndryshuar në vitin 2026, ndërsa për hartimin e tij është marrë edhe asistencë teknike nga zyra FINSAC e Bankës Botërore.

Mbulim shtesë deri në 15 milionë lekë për depozitat e përkohshme

Një tjetër risi e rëndësishme është mbrojtja e posaçme e depozitave me balancë të përkohshme, për të cilat parashikohet një mbulim shtesë deri në 15 milionë lekë, mbi nivelin standard të sigurimit.

Këtu përfshihen depozitat që burojnë nga transaksionet e shitblerjes së pasurive të paluajtshme për banim, përfitimet sociale të lidhura me ngjarje të caktuara të jetës, si martesa, divorci, lindja, pensioni, largimi nga puna apo trashëgimia, si edhe përfitimet nga sigurimet dhe risigurimet dhe dëmshpërblimet për dënime të padrejta penale.

Për të përfituar mbulimin shtesë, depozituesi duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton origjinën e fondeve. Gjithashtu, fondet duhet të jenë transferuar në llogari ose të jenë bërë ligjërisht të transferueshme brenda gjashtë muajve përpara ngjarjes së sigurimit.

Ky mekanizëm parashikohet të zbatohet nga 1 korriku 2027. Me anëtarësimin në Bashkimin Europian, kufiri i mbulimit shtesë për këto depozita do të rritet deri në kundërvlerën e 500 mijë eurove.

Në skemë përfshihen edhe kategori të reja depozituesish

Projektligji zgjeron gjithashtu kategoritë e depozitave që do të përfitojnë nga sigurimi.

Sipas relacionit shpjegues, parashikohet përfshirja e depozitave të drejtorëve dhe administratorëve të bankave dhe familjarëve të tyre, aksionarëve që zotërojnë të paktën 5% të kapitalit të bankave, si dhe anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërive të kursim-kreditit, të cilat aktualisht përjashtohen nga skema.

Mbulimi zgjerohet edhe për depozitat e personave juridikë, përfshirë organizatat jofitimprurëse, fondacionet dhe partitë politike, me përjashtim të kategorive që ligji i përcakton shprehimisht si të pasigurueshme.

Në skemë parashikohet të përfshihen edhe depozitat e pushtetit vendor dhe të njësive që ofrojnë drejtpërdrejt shërbime publike, si shkollat dhe spitalet.

Një tjetër ndryshim është sigurimi i fondeve të klientëve të mbajtura në banka nga institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e shërbimeve të pagesave, si dhe depozitat që mbahen në llogari të veçanta për përfitim të të tretëve, për shembull nga noterët dhe avokatët. Për këto dy kategori, zbatimi parashikohet në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Afati i kompensimit shkurtohet në 14 ditë pune

Ndryshime parashikohen edhe në procedurat e kompensimit të depozituesve, në rast se një bankë ose shoqëri kursim-krediti nuk është më në gjendje të përmbushë detyrimet ndaj tyre.

Projektligji përcakton se shuma e kompensimit duhet të bëhet e disponueshme brenda 14 ditëve pune nga vendimi për likuidimin e detyruar të institucionit ose nga konstatimi i padisponueshmërisë së depozitave.

Në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ky afat do të shkurtohet më tej në shtatë ditë pune, sipas standardit europian.

Për herë të parë, skema do të mund të aktivizohet edhe kur Banka e Shqipërisë merr vendim për padisponueshmërinë e depozitave, jo vetëm në rastet e likuidimit të detyruar apo ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Bankat me rrezik më të lartë do të paguajnë prime më të larta

Projektligji ndryshon edhe mënyrën e financimit të skemës së sigurimit të depozitave.

Aktualisht, bankat paguajnë prime sigurimi të llogaritura mbi një bazë uniforme, pa marrë parasysh profilin individual të rrezikut. Me kuadrin e ri ligjor, kontributet do të përcaktohen në përpjesëtim me shumën e depozitave të siguruara dhe me rrezikun e marrë përsipër nga secila bankë.

Kjo nënkupton se bankat me profil më të lartë rreziku do të paguajnë prime më të larta sigurimi, ndërsa ato me rrezik më të ulët do të kenë një barrë më të vogël.

Projektligji përcakton gjithashtu se niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave bankare nuk duhet të jetë më pak se 0.8% e shumës së depozitave të siguruara në institucionet anëtare të skemës.

Sipas relacionit, ndryshimet synojnë rritjen e mbrojtjes së depozituesve, forcimin e aftësisë financiare të skemës së sigurimit dhe përafrimin e plotë me kërkesat e Bashkimit Europian për sektorin financiar./Monitor Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.