Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot takime me drejtuesit kryesorë të strukturave të sigurisë dhe rendit në vend, në një kohë kur në qendër të vëmendjes është dosja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi. Sipas njoftimit të Presidencës, Begaj priti në takim Ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe me Drejtorin e komanduar të SHISH-it, Elvis Lila.
Presidenca nuk jep detaje mbi temat konkrete të diskutuara, duke u mjaftuar me njoftimin se Presidenti “u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit”.
"Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në takim Ministrin e Brendshëm, z. Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Skënder Hita, si dhe Drejtorin e komanduar të SHISH-it, z. Elvis Lila. Në këto takime, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit", thuhet në njoftimin e presidencës.
Takimet vijnë në kohë kur dosja Hyseni-Agasi ka nxjerrë në dritë komunikime dhe dokumente që po hetohen nga SPAK, ndërsa ish-drejtoresha e SHISH ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK dyshon se Hyseni ka nxjerrë informacion të klasifikuar dhe ka pasur kontakte me Agasin. Gjatë kontrolleve, në makinën e biznesmenit janë gjetur edhe nëntë faqe me të dhëna të dyshuara si sekret shtetëror.
Në këtë kontekst, fakti që Presidenti ka zhvilluar në të njëjtën ditë takime me Ministrin e Brendshëm, kreun e Policisë dhe drejtuesin e komanduar të SHISH-it tërheq vëmendjen, për shkak të përgjegjësive që këto institucione kanë në fushën e sigurisë dhe rendit.
Megjithatë, Presidenca nuk ka bërë të ditur nëse takimet kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen Hyseni-Agasi apo me hetimin e SPAK.
KUjtojmë se dje Politiko.al i kërkoi zyrtarisht presidencës nëse "Presidenti Bajram Begaj të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas vendimit për masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra të drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila po hetohet nga SPAK për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”?".
Por, Politiko mori një përgjigje të shkurtër se "Nese do te kemi nje reagim do t’ju percjellim", duke mos konfirmuar autorizim. E vetmja lëvizje e Begajt deri tani ishte dekretimi i shkarkimit të Hysenit nga detyra, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

