Lajme Zone
Si mund të mbijetojmë në një botë pa rregulla
BotëPamfleti

Si mund të mbijetojmë në një botë pa rregulla

Ishte një vizion tërheqës, por sot duket gjithnjë e më shumë si një iluzion. Rregullat po tërhiqen pothuajse kudo. Agresioni dhe pushtimi territorial janë rikthyer, presioni ekonomik përdoret si armë, marrëveshjet e kontrollit të armëve po dobësohen dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare po bie.

Foto ilustruese Rendi botëror i pas Luftës së Ftohtë po shpërbëhet dhe forca po zë vendin e rregullave. Në një epokë ku ligji ndërkombëtar, aleancat dhe institucionet nuk ofrojnë më të njëjtat garanci, shtetet duhet të përgatiten për një botë më të ashpër, ku vetëmbrojtja dhe aftësia për të krijuar alternativa bëhen çështje mbijetese… Për një kohë të gjatë, dukej sikur bota po bëhej më e qytetëruar. Fundi i Luftës së Ftohtë, ushqeu besimin se një rend ndërkombëtar i bazuar te rregullat, bashkëpunimi dhe institucionet do të zëvendësonte logjikën e vjetër të rivalitetit dhe forcës.

Ishte një vizion tërheqës, por sot duket gjithnjë e më shumë si një iluzion. Rregullat po tërhiqen pothuajse kudo. Agresioni dhe pushtimi territorial janë rikthyer, presioni ekonomik përdoret si armë, marrëveshjet e kontrollit të armëve po dobësohen dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare po bie.

Fuqitë e mëdha po rikthejnë ambiciet perandorake, ndërsa liderët gjithnjë e më të fuqishëm po dobësojnë kufizimet institucionale edhe brenda vendeve të tyre. Rezultati është një botë ku pushteti po peshon më shumë se rregulli.

Rendi i pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas ai i pas Luftës së Ftohtë. nuk ishte kurrë krejtësisht neutral. Në qendër të tij qëndronte fuqia amerikane. Shtetet e Bashkuara garantonin sigurinë e rrugëve detare, mbronin aleancat, frenonin agresorët dhe mbështesnin institucionet ndërkombëtare.

Demokracia, tregjet e lira dhe të drejtat e njeriut, u përhapën bashkë me këtë sistem.

Prandaj Vladimir Putin nuk ishte krejtësisht i gabuar kur e konsideronte rendin e bazuar në rregulla një mbulesë për hegjemoninë amerikane. Por kjo ishte vetëm një pjesë e historisë.

Rendi u dobësua edhe sepse kundërshtarët e tij u forcuan. Rusia, sapo rimori fuqinë, nisi të sfidonte kufijtë e hapësirës post-sovjetike. Kina përfitoi jashtëzakonisht shumë nga ekonomia globale, por e përdori pasurinë e krijuar për të ndërtuar një makineri ushtarake gjithnjë e më të fuqishme dhe për të fituar kontroll mbi teknologjitë dhe zinxhirët strategjikë të së ardhmes.

Në të njëjtën kohë, vetë Amerika u lodh nga roli i “xhandarit global”. Luftërat e gjata në Lindjen e Mesme, kriza financiare dhe bindja se aleatët po përfitonin më shumë nga siguria amerikane sesa po kontribuonin për të, ushqyen një lodhje të thellë.

Më pas erdhi zhgënjimi se globalizimi, i cili supozohej të sillte përfitime për të gjithë, kishte dëmtuar pjesë të industrisë amerikane dhe kishte ndihmuar në ngritjen e Kinës si rival strategjik. Kështu, rendi ndërkombëtar nisi të dukej për vetë garantuesin e tij si një marrëveshje e keqe.

Sot kjo krizë është bërë edhe më e dukshme. Organizata Botërore e Tregtisë është dobësuar, proteksionizmi po zgjerohet dhe tarifat po përdoren si instrument presioni. SHBA-ja dhe Kina përdorin kontrollin mbi zinxhirët e furnizimit si armë ekonomike. Ekonomia globale nuk është më vetëm hapësirë bashkëpunim. Ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një fushëbetejë gjeopolitike. Edhe siguria ndërkombëtare është më kaotike.

Konfliktet mes shteteve janë shtuar, marrëveshjet e kontrollit të armëve po shemben dhe po dobësohet respekti për kufijtë. Rusia në Ukrainë është shembulli më ekstrem, por nuk është i vetmi. Në dete, liria e lundrimit po sfidohet nga Kina në Detin e Kinës së Jugut, Houthit në Detin e Kuq, Irani në Ngushticën e Hormuzit dhe pretendime të tjera që synojnë të kontrollojnë korridoret strategjike të tregtisë.

Në këtë klimë, edhe ideja se institucionet ndërkombëtare mund të ndëshkojnë fuqitë e mëdha po e humbet besueshmërinë. Kjo nuk do të thotë që kemi hyrë në një kaos të plotë. Aleancat dhe institucionet kryesore ende ekzistojnë.

Por rendi i vjetër duket se po zëvendësohet nga diçka më e ngjashme me një epokë neo-perandorake, ku fuqitë kërkojnë zona ndikimi dhe shtetet më të dobëta përballen me një presion gjithnjë e më të madh. Dhe këtu qëndron mësimi i parë: nostalgjia nuk është strategji.

Do të ishte gabim të mendohej se gjithçka do të rikthehet automatikisht në normalitet pas largimit të Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë. Trump është një faktor i rëndësishëm në krizën aktuale, por nuk është shkaku i vetëm i saj.

Kina dhe Rusia e sfidonin rendin shumë kohë përpara ardhjes së tij. Rivaliteti mes fuqive të mëdha, pasiguritë e globalizimit dhe ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë janë procese shumë më të thella. Prandaj shtetet duhet të përgatiten për një botë më të ashpër, pavarësisht se kush do të jetë presidenti amerikan pas vitit 2028.

Kjo na çon te parimi i dytë: vetëmbrojtja bëhet jetike. Shtetet nuk mund të mbështeten vetëm te një aleancë, te e drejta ndërkombëtare apo te ideja se një fuqi më e madhe do të vijë gjithmonë në shpëtim. Ato duhet të ndërtojnë kapacitetet e tyre dhe të krijojnë aleanca alternative.

Polonia dhe Japonia janë shembuj të kësaj qasjeje. Të dyja po investojnë fuqishëm në mbrojtje dhe po ndërtojnë partneritete të reja, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet me SHBA-në. Ky është ndoshta modeli më realist për aleatët amerikanë: të mos braktisin Uashingtonin, por as të mos varen plotësisht prej tij.

Për shembull, Evropa duhet të forcojë kapacitetet e veta ushtarake, ekonomike dhe energjetike. Japonia duhet të ndërtojë zinxhirë furnizimi më të pavarur në Azi. Kanadaja ka interes të thellojë bashkëpunimin me vendet nordike për sigurinë e Arktikut.

Në një botë të pasigurt, rezistenca ndaj goditjeve vlen më shumë se efikasiteti absolut.

Kjo vlen edhe për ekonominë. Nëse energjia, mineralet kritike, ushqimi dhe transporti mund të kthehen në armë politike, atëherë shtetet duhet të jenë të gatshme të paguajnë më shumë për sigurinë e furnizimit.

Rezervat strategjike, korridoret alternative të energjisë dhe zinxhirët e diversifikuar të furnizimit nuk janë luks. Ato janë masa sigurie, në një bote ku bllokadat dhe embargoja mund të bëhen mjete të zakonshme presioni. Por ka edhe një paradoks.

Një botë pa rregulla mund t'u duket fillimisht e favorshme Rusisë, Kinës dhe fuqive të tjera revizioniste. Nëse ligji dobësohet dhe fuqia bëhet kriteri kryesor, shtetet agresive fitojnë më shumë hapësirë për të vepruar. Por kjo mund të kthehet kundër tyre.

Nëse vendet që ndihen të kërcënuara fillojnë të armatosen masivisht, Rusia mund të përballet me një Poloni dhe Gjermani shumë më të fuqishme ushtarakisht. Kina mund të përballet me një Japoni më të armatosur dhe me aleanca më të forta në Azi.

Një botë ku të gjithë ndihen të pasigurt, mund të sjellë edhe përhapje më të madhe të armëve bërthamore. Në fund, një sistem ku të gjithë përpiqen të mbijetojnë me forcë mund t'i bëjë të gjithë më pak të sigurt.

Edhe Kina ka nevojë për një botë të hapur. Ekonomia e saj varet nga tregtia, tregjet e huaja dhe rrugët detare. Nëse ekonomia globale fragmentohet dhe liria e lundrimit dëmtohet rëndë, Pekini mund të zbulojë se rendi i vjetër kishte edhe avantazhe për të.

Por përgjegjësia kryesore mbetet tek SHBA-ja. Uashingtoni duhet të pranojë se nuk mund të mbrojë interesat e veta duke braktisur çdo rregull. Ka një dallim mes përdorimit të forcës për të frenuar agresorët, dhe shndërrimit të vetë forcës në parim të vetëm të politikës së jashtme.

Aleancat mbeten të domosdoshme edhe për një superfuqi që mendon në terma të pastër interesi. SHBA-ja ka nevojë për bazat, territoret, teknologjitë dhe kapacitetet e aleatëve të saj. Në epokën e inteligjencës artificiale, edhe një fuqi teknologjike si SHBA s’mund të dominojë pa partnerë që kontrollojnë pjesë kyçe të zinxhirëve globalë të teknologjisë.

Prandaj sfida nuk është të zgjedhësh mes idealizmit naiv dhe cinizmit absolut. Sfida është të gjesh ekuilibrin mes vendosmërisë së ashpër ndaj kundërshtarëve dhe ruajtjes së besimit të aleatëve. Kjo do të thotë të jesh i gatshëm të përdorësh forcën kur është e nevojshme, pa e kthyer forcën në parimin e vetëm të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sepse fuqia nuk buron vetëm nga armët, tarifat apo presioni. Ajo buron edhe nga legjitimiteti. SHBA-ja ka qenë e fuqishme jo vetëm sepse kishte ushtrinë më të madhe, por sepse shumë vende ishin të gatshme të bashkëpunonin me të.

Nëse Uashingtoni sillet si një tjetër grabitqar në një botë grabitqarësh, aleatët do të fillojnë të kërkojnë rrugëdalje, kundërshtarët do të bashkohen dhe ndikimi amerikan do të dobësohet. Bota e pas Luftës së Ftohtë ishte më optimiste sepse ekzistonte bindja se progresi mund të institucionalizohej.

Bota që po vjen është më e errët. Rregullat nuk janë zhdukur, por nuk mund të merren më si të mirëqena. Dhe ky është thelbi i sfidës së re. Shtetet duhet të mësojnë të mbijetojnë në një botë ku ligji nuk është gjithmonë mburojë, aleancat nuk janë gjithmonë garanci dhe ku fuqia nuk është më thjesht një mjet, por gjithnjë e më shumë vetë monedha e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në këtë botë, më të rrezikuarit nuk janë domosdoshmërisht më të dobëtit. Janë ata që vazhdojnë të besojnë se bota e djeshme do të rikthehet vetë./ Përshtati "Pamfleti" Nga ”Foreign Policy”si mund të mbijetojmë në një botë pa rregulla Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Ndahet nga jeta Emma Bonino, “vajza e prapë e Montecitorios” që trazoi politikën italiane! 11 Shtator 2026, 12:3612:36Rajoni dhe Bota Alarm për bombë në avionin nga Qiproja drejt Italisë, evakuohen 190 pasagjerë në aeroportin e Larnakës 11 Shtator 2026, 12:1812:18Rajoni dhe Bota Shefi i MI5 britanike: “11 shtatori” i radhës mund të jetë duke u përgatitur 11 Shtator 2026, 11:4811:48Rajoni dhe Bota Hetimi për vdekjen e Mazonakis, çfarë zbuloi mjekësia ligjore dhe ku bien ndesh dëshmitë 11 Shtator 2026, 11:4211:42Rajoni dhe Bota Kush do ta zëvendësojë Trump? Dy "trashëgimtarët" më dominues të MAGA-ës që pritet të kandidojnë për president 11 Shtator 2026, 08:4408:44Rajoni dhe Bota Tensionet “ndezin” Lindjen e Mesme, SHBA dërgon trupa në Arabinë Saudite 11 Shtator 2026, 08:3708:37Rajoni dhe Bota