Lajme Zone
Si mbeti i vetëm Infantino? Dorëheqjet dhe revolta që detyruan FIFA-n të tërhiqej nga 'shitja' e Kupës së Botës
SportReport TV

Si mbeti i vetëm Infantino? Dorëheqjet dhe revolta që detyruan FIFA-n të tërhiqej nga 'shitja' e Kupës së Botës

FIFA po humbet mbështetje dhe, si pasojë, gjithçka është vënë në pauzë. Sulmet ndaj presidentit Gianni Infantino nuk erdhën vetëm nga UEFA dhe Konfederata Aziatike e Futbollit, por edhe nga vetë drejtues të afërt të organizatës. Ideja e tij për të krijuar një kompani të hapur për investitorë privatë, e cila do të administronte aspektet tregtare të turneve të FIFA-s, çoi në dorëheqjen e Carlos Cord

FIFA po humbet mbështetje dhe, si pasojë, gjithçka është vënë në pauzë. Sulmet ndaj presidentit Gianni Infantino nuk erdhën vetëm nga UEFA dhe Konfederata Aziatike e Futbollit, por edhe nga vetë drejtues të afërt të organizatës. Ideja e tij për të krijuar një kompani të hapur për investitorë privatë, e cila do të administronte aspektet tregtare të turneve të FIFA-s, çoi në dorëheqjen e Carlos Cordeiros, këshilltarit të tij kryesor dhe, deri një ditë më parë, anëtar i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës 2026. Ish-presidenti i Federatës Amerikane të Futbollit, njëherazi ish-bankier i Goldman Sachs, sqaroi se “nuk ka pasur asnjë rol në këtë propozim”, të cilin e konsideron “të dëmshëm për federatat anëtare të FIFA-s, për futbollin dhe për të ardhmen e këtij sporti. Të shesësh një pjesëmarrje të përhershme vetëm për të siguruar 4.2 miliardë dollarë nuk ka asnjë kuptim. Kjo do të thotë të vendosësh peng të ardhmen pa asnjë arsye bindëse.” LEXO edhe...'Shitja' e Kupës së Botës/ Infantino dhe FIFA tërhiqen: Plani anulohet, krijoi shumë përçarje Drejtori Lamour: “Infantino i mashtroi bashkëpunëtorët e tij” Pas kësaj çarje të parë brenda FIFA-s erdhi menjëherë edhe një tjetër. Drejtori operativ Kevin Lamour, ndonëse nuk dha dorëheqjen, akuzoi Infantinon se kishte “mashtruar” edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të cilët, sipas tij, “meritonin diçka më të mirë sesa përçmimi dhe kërcënimet”. Më pas ai shtoi: “Përballë projektit të një njeriu të vetëm, ka ardhur momenti që drejtuesit e futbollit botëror t’i bëjnë vetes pyetjet e duhura dhe të marrin vendimet e duhura.” Lamour deklaroi gjithashtu se ishte i gatshëm të humbiste edhe vendin e punës për këtë qëndrim. “Nëse kjo do të thotë të humbas punën time, atëherë le të ndodhë.” Edhe Trump shfaq shqetësim Përçarjet duket se po paralajmërojnë rrëzimin e “mbretërisë” së Infantinos, i cili u detyrua të njoftonte gjatë natës tërheqjen e projektit për privatizimin e të drejtave tregtare të Kupës së Botës. Zhvillimet kanë ngjallur shqetësim edhe te Donald Trump. I pyetur nëse ishte në dijeni të planit të atij që vetëm një muaj më parë e quante “miku Gianni”, presidenti amerikan u përgjigj prerazi: “Jo”. Megjithatë, shumë e konsiderojnë të vështirë ta besojnë këtë deklaratë. Ndër investitorët e parë që ishin gati të hynin në kompaninë e re figuronte Joshua Kushner, kunati i Ivanka Trump, vajzës së Donald Trump. Shtëpia e Bardhë ishte e shqetësuar edhe për faktin se, pas Evropës dhe Azisë, edhe konfederatat e Amerikës së Veriut dhe Qendrore, përfshirë Federatën Amerikane të Futbollit, ishin gati të bojkotonin turnetë e FIFA-s, duke nisur nga Kupa e Botës për Vajza U-20 në shtator, nëse Infantino nuk do të tërhiqej. Tërheqja erdhi pak më vonë. Federatat kundër Infantinos Federatat që kundërshtonin projektin mund të arrinin në 143 nga gjithsej 211 anëtare të FIFA-s, çka do të thoshte se presidenti i organizatës nuk kishte votat e nevojshme për të miratuar privatizimin, i cili u kritikua gjerësisht. Plani duhej të miratohej nga Asambleja e FIFA-s dhe Infantino shpresonte të siguronte mbështetje duke premtuar fondet që do të vinin nga JPMorgan. Sipas projektit, çdo federatë do të përfitonte 20 milionë dollarë në fillim të vitit 2027, me synimin që kjo shumë të kthehej më pas në një financim të përhershëm vjetor. Presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, e cilësoi këtë si “një formë shantazhi”. Infantino humbet mbështetje Për të bindur federatat më të vogla, Infantino kishte premtuar gjithashtu përshpejtimin e projektit për zgjerimin e Kupës së Botës në 64 skuadra. Kjo mjaftoi që kryeministri britanik Andy Burnham ta quante atë “njeriun e gabuar për postin që mban”. FIFA ishte përgjigjur me deklaratën: “Askush nuk po e shet futbollin. Ne respektojmë shqetësimet e të gjithëve dhe ritheksojmë angazhimin tonë për konsultime të hapura dhe demokratike.” Një mbrojtje që shumë e konsiderojnë të dobët për një president që vetëm pak ditë më parë mburrej se kishte siguruar 203 letra mbështetjeje në prag të zgjedhjeve të marsit 2027. Tashmë konsensusi rreth tij po shembet dhe gjithnjë e më shumë zëra flasin për mundësinë e dorëheqjes së tij. Megjithatë, Infantino premton se do të përpiqet të rikthejë unitetin. “Nga ky moment e në vazhdim, objektivi im do të jetë të ribashkoj të gjitha palët e përfshira, në frymën e interesit të përbashkët për sportin tonë dhe me synimin për të vazhduar zhvillimin e futbollit në mbarë botën, veçanërisht në vendet që kanë më shumë nevojë për mbështetjen tonë. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet gjithmonë të bashkojmë dhe të përmirësojmë”, thuhet në deklaratën e presidentit të FIFA-s./La Repubblica SI.E./ReportTv.al Gianni Infantino Carlos Cordeiro FIFA donald trump Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 58.4% 100 bashki (PD) 15.7% 61 bashki (si sot) 26% Vota total: 1098 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë?