Lajme Zone
Ende tensione në Ceuta, numri i viktimave në det shkon në 67! Sánchez i drejtohet BE-së: Kërkesa për pezullimin e Schengen-it diktohet nga padituria ose interesat politike
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ende tensione në Ceuta, numri i viktimave në det shkon në 67! Sánchez i drejtohet BE-së: Kërkesa për pezullimin e Schengen-it diktohet nga padituria ose interesat politike

Së bashku me 30 viktimat e regjistruara që nga fillimi i vitit, numri i emigrantëve që kanë humbur jetën gjatë shtatë muajve të fundit duke tentuar të hyjnë me not në Ceuta ka arritur të paktën në 97.

Bilanci i emigrantëve që kanë humbur jetën duke u përpjekur të arrijnë me not brigjet e Ceutës është rënduar edhe më tej. Deri tani janë nxjerrë të paktën 67 trupa nga ekipet e zhytësve, Garda Civile dhe shërbimi spanjoll i shpëtimit detar, konfirmuan për ANSA burime nga Delegacioni i Qeverisë në qytetin autonom spanjoll në Marok. Së bashku me 30 viktimat e regjistruara që nga fillimi i vitit, numri i emigrantëve që kanë humbur jetën gjatë shtatë muajve të fundit duke tentuar të hyjnë me not në Ceuta ka arritur të paktën në 97. LEXO edhe...Historia e Mahdit, emigrantit që mbërriti me not në Ceutë: Dua të jetoj më mirë, ëndërroj lirinë Ndërkohë, nata në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut ishte e tensionuar. Një emigrant maroken mbeti i plagosur me thikë në kraharor pas një sherri pranë shkollës "Andres Manjon". Autori u arratis para mbërritjes së policisë, ndërsa i plagosuri u dërgua në spital, raportoi agjencia Europa Press. Në të njëjtën kohë, dhjetëra emigrantë të vendosur jashtë Qendrës së Përkohshme të Pritjes për Emigrantët (CETI), e cila tashmë është në kapacitet të plotë, tentuan të hynin me forcë në objekt, duke shembur një pjesë të rrethimit. Policia kombëtare ndërhyri me forca të shumta, krijoi një perimetër sigurie dhe riktheu situatën nën kontroll. Sipas burimeve policore të cituara nga mediat, jashtë qendrës ndodhen mbi 500 persona në pritje të strehimit, ndërsa për arsye humanitare hyrja është lejuar vetëm për gratë dhe fëmijët. Sánchez kërkon mbledhje urgjente të ministrave të Brendshëm të BE-së Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u ka dërguar një letër institucioneve evropiane, duke shprehur "shqetësim serioz" për reagimin që disa qeveri evropiane kanë pasur ndaj krizës së emigracionit në Ceuta. Në letrën e siguruar nga ANSA, Sánchez kërkon mbledhjen urgjente të ministrave të Brendshëm të 27 vendeve anëtare për të "vendosur një përgjigje të përbashkët" dhe për të riafirmuar se mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha shteteve anëtare dhe jo vetëm e vendeve të vijës së parë. Sánchez e cilësoi reagimin e Bashkimit Evropian ndaj krizës në Ceuta si "mjaft asimetrik". Sipas tij, shumica e qeverive i kanë ofruar Spanjës mbështetje dhe solidaritet, ndërsa të tjera kanë zgjedhur ta sulmojnë Madridin dhe të kërkojnë pezullimin e përkohshëm nga zona Schengen. "Një qëndrim i tillë – i diktuar nga paragjykimet, dezinformimi, padituria ose interesat politike – jo vetëm që bie ndesh me të drejtën evropiane, të drejtën humanitare dhe parimet e solidaritetit që na bashkojnë, por edhe me interesat afatgjata të Evropës dhe me logjikën më elementare", shkruan Sánchez, duke iu referuar vendimit të Romës, pa e përmendur drejtpërdrejt Italinë. Italia dhe Danimarka nxisin një letër të përbashkët të 22 vendeve të BE-së Italia dhe Danimarka kanë promovuar një letër drejtuar drejtuesve të Bashkimit Evropian lidhur me zhvillimet e fundit në kufirin e jashtëm të BE-së në Ceuta. Dokumenti është nënshkruar nga 22 shtete anëtare, mes tyre Austria, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Gjermania, Hungaria, Lituania, Holanda, Rumania, Sllovakia, Belgjika, Qipro, Çekia, Finlanda, Greqia, Letonia, Malta, Polonia, Sllovenia dhe Suedia. Spanja dhe Franca nuk janë mes nënshkruesve. Letra, drejtuar presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, kërkon zhvillimin urgjent të një videokonference të jashtëzakonshme të ministrave të Brendshëm për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar një përgjigje të koordinuar evropiane. Në dokument sugjerohet forcimi i mbështetjes së Frontex-it dhe vlerësimi i efektivitetit të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Marokut. Gjithashtu, 22 vendet theksojnë gatishmërinë për të marrë të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me të drejtën e BE-së dhe Kodin Schengen, për të mbrojtur rendin publik dhe për të përballuar rreziqet që lidhen me lëvizjet dytësore të emigrantëve, përfshirë rikthimin e përkohshëm të kontrolleve në kufijtë e brendshëm, nëse kjo konsiderohet e nevojshme. "Ndarja e përgjegjësisë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, parandalimin e emigracionit të paligjshëm dhe mbështetjen për shtetet e vijës së parë është një detyrim i përbashkët. Situata aktuale kërkon unitet, vendosmëri dhe reagim të shpejtë", thuhet në letër. Madridi: Situata në Ceuta po kthehet drejt normalitetit Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se "brenda më pak se 48 orësh, Ceuta po rikthehet drejt normalitetit", pasi rreth 50 mijë persona mbërritën në masë dhe shumica e tyre janë kthyer në vendin e origjinës. Ai theksoi se "ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme nuk kanë asnjë mundësi për t'u legalizuar" dhe shtoi se "shfrytëzimi i emigracionit të paligjshëm nga rrjetet kriminale kushton jetë njerëzish", duke konfirmuar se të paktën 67 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur me not në qytetin autonom. Nisin barrierat lundruese për të frenuar hyrjet e emigrantëve Që prej orës 07:50 të mëngjesit ka nisur vendosja e barrierave lundruese pranë molit Tarajal në Ceuta për të penguar hyrjen e emigrantëve që mbërrijnë me not. Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, elementi kryesor i sistemit është një barrierë pneumatike 500 metra e gjatë, me lartësi nga 30 deri në 70 centimetra mbi sipërfaqen e ujit dhe deri në një metër thellësi nën ujë. Struktura plotësohet nga një linjë bovash të ankoruara të vendosura nga Marina Ushtarake spanjolle. Midis dy barrierave është krijuar një kanal që do t'u mundësojë mjeteve të Gardës Civile të patrullojnë vazhdimisht zonën. Ministria bëri të ditur gjithashtu se gjatë natës nuk është regjistruar asnjë hyrje e re e paligjshme në Ceuta, ndërsa kthimet e emigrantëve drejt Marokut kanë vazhduar./ ANSA K.M/ReportTv.al spanje Ceuta Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 57.4% 100 bashki (PD) 16% 61 bashki (si sot) 26.6% Vota total: 1284 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?