Sociologu hungarez Balint Magyar / Sociologu hungarez Balint Magyar shpjegon se si një pushtet mund ta shndërrojë shtetin në instrument të interesave politike dhe pasurimit të një rrethi të ngushtë. Përvoja e Hungarisë ofron mësime për vendet që përballen me regjime autoritare, ndërsa mesazhi i tij për opozitën është i qartë: ndryshimi kërkon shkëputje nga partitë e komprometuara dhe bashkim përtej ndarjeve ideologjike. Shteti mafioz nuk është thjesht një shtet ku korrupsioni është përhapur në administratë ose ku zyrtarët abuzojnë me pushtetin. Ai është një sistem në të cilin vetë institucionet shtetërore vihen në shërbim të një grupi politik që synon të ruajë kontrollin mbi pushtetin dhe të grumbullojë pasuri për vete dhe për rrethin e tij.
Ky është thelbi i konceptit të zhvilluar nga sociologu hungarez Balint Magyar, i cili e ka studiuar nga afër transformimin autoritar të vendit të tij. Në një intervistë për revistën serbe “Vreme”, Magyar shpjegon se si mund të çmontohet një sistem i tillë dhe cilat janë kushtet që një lëvizje e re politike duhet të përmbushë për ta çliruar vendin nga kontrolli i një pushteti të përqendruar.
Sipas tij, përvoja hungareze ofron mësime që mund të vlejnë edhe për Serbinë, ku çështja e ndryshimit politik nuk mund të ndahet nga mënyra se si funksionojnë institucionet dhe nga interesat që qëndrojnë pas tyre.
Shteti si pronë private
Balint Magyar ka një përvojë të gjatë politike dhe akademike. Ai ishte deputet në parlamentin hungarez nga viti 1990 deri në vitin 2010, shërbeu dy herë si ministër i Arsimit dhe drejtoi Unionin e Demokratëve të Lirë, një parti liberale hungareze.
Megjithatë, kontributi i tij më i njohur lidhet me analizën e sistemit që ai e ka quajtur “shtet mafioz postkomunist”, koncept i shtjelluar në librin e tij me të njëjtin titull. “Me pak fjalë, shteti mafioz është një formë e privatizuar e shtetit parazitar, në të cilën një ndërmarrje politike merr nën kontroll shtetin, ekonominë, oligarkët dhe shoqërinë në tërësi. Ai ka dy objektiva paralele: monopolizimin e pushtetit politik, nga njëra anë, dhe grumbullimin e pasurisë personale e familjare, nga ana tjetër”, shprehet Magyar.
Ky përkufizim, e zhvendos vëmendjen nga korrupsioni si një shkelje e veçuar e ligjit drejt një sistemi të organizuar, ku pushteti politik dhe interesat ekonomike ushqejnë njëri-tjetrin. Në këtë model, kontrolli mbi institucionet nuk është qëllim në vetvete.
Ai shërben për të siguruar pasuri, për të mbrojtur aleatët dhe për të dobësuar çdo mekanizëm që mund të pengojë vazhdimësinë e pushtetit. Në analizën e Magyar, dallimi nga mafia tradicionale qëndron edhe te mënyra se si ushtrohet kontrolli.
Në vend që të mbështetet vetëm te kërcënimi dhe dhuna e drejtpërdrejtë, një shtet mafioz mund të përdorë ligjet, administratën, sistemin e drejtësisë, autoritetet tatimore dhe strukturat e sigurisë për të konsoliduar interesat e grupit sundues.
Kështu, mekanizmat që në një demokraci duhet të garantojnë zbatimin e ligjit, mund të kthehen në mjete për të ruajtur pushtetin dhe për të ndëshkuar kundërshtarët. Pasoja është një sistem ku kufiri ndërmjet interesit publik dhe interesit privat bëhet gjithnjë e më i paqartë. Institucionet vazhdojnë të ekzistojnë dhe procedurat ligjore mund të ndiqen formalisht, por funksionimi i tyre ndikohet nga marrëdhëniet e besnikërisë dhe interesat e një rrethi të ngushtë politik e ekonomik.
Tri mësimet për çmontimin e sistemit
Magyar rendit tri mësime kryesore për forcat që synojnë të çmontojnë një shtet mafioz. I pari lidhet me domosdoshmërinë që lëvizja e re politike të shkëputet nga partitë e komprometuara të opozitës. “Lëvizja e re duhet t’i ndërpresë të gjitha lidhjet me partitë e komprometuara të opozitës”, thekson ai.
Ky është një kusht, që në logjikën e Magyar, lidhet me besueshmërinë e alternativës politike. Kur një pjesë e opozitës është diskredituar, është përfshirë në marrëdhënie të dyshimta me pushtetin ose nuk ka arritur të përfaqësojë pakënaqësinë qytetare, rikthimi te të njëjtat struktura rrezikon të mos prodhojë ndryshimin e kërkuar.
Një lëvizje e re duhet të dëshmojë se nuk është thjesht një riorganizim i elitave ekzistuese, por një alternativë që synon të ndryshojë mënyrën e funksionimit të shtetit.
Mësimi i dytë është kapërcimi i ndarjeve tradicionale ideologjike. Sipas Magyar, një lëvizje që dëshiron të çlirojë vendin nga shteti mafioz, nuk mund të mbetet peng i përplasjeve ndërmjet së majtës dhe së djathtës, liberalëve dhe konservatorëve, apo grupeve të tjera politike.
“Nëse doni ta çlironi vendin tuaj nga shteti mafioz, nuk ka rëndësi nëse mbështesni të majtën, liberalët, konservatorët apo të gjelbrit. Ajo që ka rëndësi është nëse dëshironi të çmontoni organizatën kriminale shtetërore, pra shtetin mafioz”, shpjegon sociologu.
Kjo nuk do të thotë se duhet të zhduken dallimet ideologjike apo se forcat politike duhet të heqin dorë nga bindjet e tyre. Thelbi është se ato nuk duhet të bëhen pengesë për një qëllim
të përbashkët: rikthimin e institucioneve në shërbim të qytetarëve.
Kur beteja kufizohet te rivalitetet e vjetra partiake, pakënaqësia ndaj pushtetit mund të mbetet e fragmentuar, duke e lehtësuar mbijetesën e sistemit. Mësimi i tretë, lidhet me vetëdijen se përballja nuk ka të bëjë vetëm me zëvendësimin e një qeverie me një tjetër, por me rimarrjen e kontrollit mbi vendin dhe institucionet. “Kur ngriheni kundër të gjithë regjimit, duhet të rimerrni vendin tuaj. Duhet të rimerrni kombin”, thotë Magyar.
Kjo ide nënkupton se ndryshimi nuk mund të matet vetëm me rezultatin e zgjedhjeve. Fitorja elektorale është një hap vendimtar, por çmontimi i një sistemi të konsoliduar kërkon që shteti të mos mbetet nën kontrollin e të njëjtave rrjete, edhe pasi drejtuesit politikë të kenë ndryshuar. Përndryshe, rotacioni në qeveri mund të mos sjellë ndryshimin e thellë që presin qytetarët.
Përtej fitores elektorale
Përvoja e Hungarisë, e bën veçanërisht të rëndësishme pyetjen se çfarë ndodh pas largimit të një pushteti autoritar. Në analizat e tij për shtetin mafioz, Magyar e ka vënë theksin te përqendrimi i pushtetit dhe pasurisë në duart e një grupi të ngushtë, si dhe te përdorimi i institucioneve për të siguruar bindjen dhe besnikërinë e shoqërisë.
Kjo do të thotë se një ndryshim i qëndrueshëm kërkon më shumë se ardhjen e një udhëheqësi të ri. Ai kërkon institucione që mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga interesat e partisë në pushtet. Në këtë kuptim, çmontimi i shtetit mafioz nuk është një akt i vetëm, por një proces politik dhe institucional.
Ai kërkon që institucionet të mos përdoren si pronë e qeverisë, që ligji të zbatohet pa dallime politike dhe që pasuria publike të mos shndërrohet në burim përfitimi për një rreth të privilegjuar. Po aq e rëndësishme, është që forcat e reja politike të mos riprodhojnë të njëjtat praktika që pretendojnë se duan të luftojnë.
Mesazhi i Magyar për Serbinë, shkon përtej një këshille të zakonshme për bashkëpunimin opozitar. Ai e vendos theksin te nevoja për një projekt të përbashkët që kapërcen ndarjet partiake dhe synon të ndryshojë vetë marrëdhënien mes pushtetit, shtetit dhe qytetarëve.
Nëse kundërshtarët e një regjimi mbeten të ndarë, të bllokuar në rivalitetet e tyre ose të lidhur me struktura të diskredituara, ata rrezikojnë të mos krijojnë dot një alternativë bindëse. Në të kundërt, një lëvizje që bashkon qytetarë me bindje të ndryshme rreth kërkesës për institucione të pavarura dhe përfundimin e kapjes së shtetit, mund të krijojë kushtet për një ndryshim real. Megjithatë, sfida nuk përfn me fitoren në kutitë e votimit. Ajo fillon aty, me rikthimin e shtetit te qytetarët dhe me ndërtimin e institucioneve që nuk i shërbejnë më një grupi politik, por shoqërisë në tërësi./Pamfleti nga “Vreme”sociologu hungarez balint magyar si çmontohet një shtet mafioz Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Propaganda që barazonte Gradishtën me Parisin 23 Tetor 2026, 16:1016:10Forum Ditmir Bushati godet Ramën: Shqipëria nuk vuan nga protestat, por nga korrupsioni dhe pushteti i pakontrolluar 23 Tetor 2026, 12:2512:25Forum Prapaskena e shpalljes së Berishës si kryegjeneral i ferrit të Tiranës! 22 Tetor 2026, 20:1420:14Forum Ëndrra e llahtarshme e Edi Ramës 22 Tetor 2026, 19:4519:45Forum Revolta e të rinjve: Si një brez i tërë ka rënë viktimë e një sistemi të pamëshirshëm! 21 Tetor 2026, 17:2017:20Forum Partia nuk është kryeministri! 21 Tetor 2026, 15:2915:29Forum

