E trefishtë dhimbja për familjen Aliu nga Ferizaj në Kosovë. Tahir Aliu (61 vjeç), djali i tij Gentian Aliu (34 vjeç) dhe nipi Laurent Aliu (16 vjeç) humbën jetën në një aksident tragjik në Gjermani, teksa po udhëtonin drejt banesës së tyre pas pushimeve në vendlindje.
Aksidenti i rëndë ndodhi të enjten. Sipas mediave gjermane, automjeti me të cilin udhëtonin tre shtetasit nga Kosova ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta.
Makina ka rrëshqitur poshtë një argjinature dhe ka përfunduar mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë, duke u ndalur në buzë të binarëve. Tre personat që ndodheshin në automjet kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Operacioni i shpëtimit ka qenë i vështirë, pasi viktimat kishin mbetur të bllokuara brenda automjetit dhe për nxjerrjen e makinës është dashur ndërhyrja e një vinçi.
Për shkak të aksidentit, për disa orë u ndërpre qarkullimi në autostradën A3 në drejtim të Nurembergut, ndërsa u bllokua edhe linja hekurudhore Regensburg–Nuremberg.
Sipas policisë gjermane, shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Hetimet paraprake tregojnë se automjeti me tre viktimat mund të ketë qenë i vetmi mjet i përfshirë në aksident.
Me urdhër të Prokurorisë së Regensburgut është angazhuar një ekspert për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan në daljen e automjetit nga rruga./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitetRajoni AksidentGjermanikosova

