Pas shumë orëve të vështira të përballjes me flakët e zjarrit, shiu ka dhënë një ndihmë të rëndësishme në izolimin dhe dobësimin e vatrave që po shtoheshin.
Por përballë flakëve nuk ishin vetëm kushtet e motit. Në zemër të kësaj beteje kanë qenë forcat zjarrfikëse, por edhe ndihma nga ajri me helikopterë, që ka bërë të mundur thuajse izolimin total të zjarreve, jo vetëm këtu në Priskë, por edhe në rrethinat e Tiranës.
Vatra e zjarrit në Priskë të Madhe ishte një ndër më problematiket. Pavarësisht angazhimit të zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe ndërhyrjes nga ajri me helikopterë, zjarri arriti të shkrumbojë një sipërfaqe të konsiderueshme toke. Por mesditën e së enjtes, qielli ndihmoi zjarrfikësit dhe rrebeshi i shiut që mbuloi Dajtin ndihmoi në shuarjen e vatrës së zjarrit në Priskë. Për ABC News, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, tha se në operacionet për shuarjen e zjarreve në rrethinat e kryeqytetit kanë ndihmuar edhe bashkitë e tjera.
Pas shuarjes së flakëve në Priskë, po punohet intensivisht për të fikur edhe zjarrin në zonën e Selitës, me shtrirje në Dajt.
Në Selitë vazhdon ndërhyrja nga ajri për shkak të terrenit të vështirë malor. Zjarri në pyllin me pisha nuk rrezikon zonat e banuara.
Ndërkohë, policia ka nisur një hetim në lidhje me zjarrin që përfshiu një natë më parë periferinë e Tiranës, duke nisur në Priskë dhe që rrezikoi edhe Daiasin e Lundrën. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet priskezjarre

