Teksa sot në GJKKO është gjyqi i themelit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj dhe avokatët po bojkotojnë proceset si formë proteste ndaj rregullores së re të GJKKO, avokati i bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës, ka reaguar publikisht për mungesën e tij në seancë. Në reagimin e tij dërguar gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, avokati Gurali Brahimllari thotë se ka njoftuar Gjykatën e Posaçme se nuk do marrë pjesë në seancë, duke respektuar kështu bojkotimin e vendosur nga Dhoma e Avokatisë, megjithëse ai thekson se personalisht e sheh si të tejzgjatur bojkotin.
Reagimi i plotë i Avokatit të Ajola Xoxës, Gurali Brahimllari:
Përse nuk mund të marr pjesë në seancën e sotme gjyqësore
Nga av. Gurali Brahimllari
Sot nuk u zhvilluan përsëri seanca gjyqësore ndaj të pandehurës Ajola Xoxa (si edhe disa procese të tjera gjyqësore) për shkakun e njohur botërisht të situatës absurde që vijon prej fillimit të muajit shtator.
Ashtu si edhe për seancat e mëparshme, duke respektuar Gjykatën, kam njoftuar me shkrim shkakun e përsëritur të mungesës sime dhe kërkimin për caktimin e një date të re gjykimi.
Por duke e parë agravimin e situatës, shkeljet e të drejtave të të pandehurve për gjykimin brenda afateve të arsyeshme, si dhe mosveprimin e asnjë pale për zgjidhjen e saj, vlerësova që përmbajtjen e kërkesës së sotme ta bëjë publike si vijon:
E nderuar znj. Kryesuese!
Të nderuar anëtarë të trupës gjykuese!
Sikurse Ju kam bërë me dije në kërkesat e depozituara më parë, për mospjesëmarrjen në seancat gjyqësore, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, me Vendimin Nr. 245 prot., datë 08.09.2026, ka vendosur bojkotimin e seancave gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Ky ndalim për avokatët, Dhoma e Avokatisë e ka bërë të ditur zyrtarisht, jo vetëm zv. Kryetarit të Gjykatës, por edhe të gjithë trupës gjykuese.
Sipas përmbajtjes së këtij Vendimi rezulton se është urdhëruar ndalimi i avokatëve që të marrin pjesë në gjykimin e të gjitha çështjeve penale, deri në reflektim ndaj një rregulloreje administrative që ka cenuar të drejtat e avokatëve dhe dinjitetin e tyre.
Ndonëse personalisht e shoh të tejzgjatur BOJKOTIN e urdhëruar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, kam qenë dhe jam i detyruar të zbatoj dispozitat e LIGJIT nr. 55/2018 “Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, pasi sipas gërmës “a” të nenit 25/4 të ligjit nr. 55/2018 “Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë” parashikohet:
“…4. Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë ushtron këto kompetenca:
a) nxjerr akte dhe kryen veprime juridike në lidhje me ushtrimin e profesionit të avokatit,
të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët;
Ndërkohë që e vlerësoj krejtësisht të pabazuar në ligj, jo vetëm urdhërimet e Rregullores të hartuar nga z. Kryetari i Gjykatës, por edhe mungesën e vullnetit për të pranuar debatin në lidhje me modifikimin e saj.
Për më tepër, dispozitat e kontestuara të kësaj Rregulloreje kanë tejkaluar aspektin administrativ, për shkak se janë marrë kompetencat e TRUPËS GJYKUESE, e cila është ngarkuar nga ligji që të çmojë dhe vlerësojë mënyrën e zbatimit të neneve 339 dhe 340 të K.Pr.Penale, të cilat garantohen edhe nga neni 42/2 i Kushtetutës (për të drejtën e gjykimit në seancë publike).
Në këto kushte Ju NJOFTOJ mbi pamundësinë objektive për të qenë pjesëmarrës në seancën gjyqësore që është caktuar për t’u zhvilluar në datë 13.10.2026, ora 10.00, për të përfaqësuar të pandehurën Ajola Xoxa, ndërsa pres nga Trupa Gjykuese që të më njoftojë qëndrimin e saj në lidhje me efektet e rregullores në fjalë, e cila, duke prekur të drejtat dhe dinjitetin e Avokatëve, ka shkelur rëndë edhe kompetencat e këtij Trupi Gjykuese për mënyrën e drejtimit dhe zhvillimit të seancës gjyqësore.
Theksoj se mosparaqitja në këtë gjykim nuk lidhet me qëndrimin tim subjektiv apo neglizhencën për kryerjen e detyrës së mbrojtësit, por determinohet vetëm nga përcaktimet e ligjit.
Prandaj, duke besuar në mirëkuptimin Tuaj, bazuar në parashikimet e neneve 342 dhe 350 të K.Pr.Penale, kërkoj shtyrjen e seancës gjyqësore, duke caktuar një datë tjetër gjykimi.
Me këtë rast, duke marrë dijeni nga mediat se ky Trup Gjykues (ashtu si edhe disa të tjerë), duke mos njohur BOJKOTIN, ka vendosur gjoba ndaj të gjithë avokatëve, edhe pse nuk kam marrë dijeni efektivisht për arsyet e caktimit të ndonjë gjobe ndaj meje, Ju bëj të ditur qëndrimin tim se, nëse kërkoni ndryshimin e situatës dhe vijimin normal të gjykimit, ndëshkimi im (apo i avokatëve të tjerë) jo vetëm nuk është i bazuar në ligj (përderisa shkaku i mungesës lidhet me një faktor që nuk varet nga vullneti im individual), por njëherësh krijon premisën për të vënë në diskutim paanshmërinë Tuaj në gjykim, për shkak të “pajtimit” me urdhrat administrative të zv. Kryetarit të Gjykatës, i cili ka HEQUR tagrat e përcaktuara në ligj dhe në Kushtetutë, vetëm për kryesuesin e seancës gjyqësore dhe anëtarët e trupës gjykuese.
Me besimin se Ju do të merrni vendim që për seancën e ardhshme gjyqësore, avokatët do të lejohen të hyjnë në sallën e gjykimit, me të njëjtat kushte që na lejohet të marrim pjesë në gjykimet që po zhvillohen normalisht nga Gjykata e Posaçme e Apelit, Ju garantoj se do të gjendem në seancë gjyqësore për të kryer funksionet që më njeh ligji procedural dhe ligji nr. 55/2018 “Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
Me konsideratën më të lartë, mbrojtësi me prokurë të posaçme nga e pandehura Ajola Xoxa
Av. Gurali Brahimllari Top Channel

