Lajme Zone
'Shteti Bektashi'/ Mero Baze: Është çështje ligjore dhe fetare, jo territoriale! Shqipëria ka borxh t’iu kthejë statusin që kanë patur
KulturëShqiptarja

'Shteti Bektashi'/ Mero Baze: Është çështje ligjore dhe fetare, jo territoriale! Shqipëria ka borxh t’iu kthejë statusin që kanë patur

Debati për krijimin e të ashtuquajturit “Shtet Bektashi” është rikthyer në vëmendje, por Mero Baze thotë se çështja po keqinterpretohet dhe se nuk bëhet fjalë për krijimin e një shteti të ri apo për cenim të sovranitetit të Shqipërisë.

Debati për krijimin e të ashtuquajturit “Shtet Bektashi” është rikthyer në vëmendje, por gazetari dhe botuesi Mero Baze thotë se çështja po keqinterpretohet dhe se nuk bëhet fjalë për krijimin e një shteti të ri apo për cenim të sovranitetit të Shqipërisë. Në një intervistë për TemA, Baze argumenton se bëhet fjalë për një çështje që lidhet me statusin historik dhe juridik të Komunitetit Bektashi dhe me përpjekjen për t’i rikthyer atij një rol ndërkombëtar që e ka pasur përpara vendosjes së komunizmit. “Nuk bëhet fjalë për një shtet. Është një entitet fetar, i cili ka një histori të veçantë”, thotë Baze. Sipas tij, pasi Bektashinjtë u dëbuan nga Turqia, qendra e tyre në Shqipëri fitoi një rol të veçantë në përfaqësimin ndërkombëtar të komunitetit. LEXO EDHE:Mero Baze: Aksidentet e turistëve të huaj që na e bëjnë më të shtrenjtë mjekësinë falas “Ata kanë pasur legjitimitetin e përfaqësimit ndërkombëtar të Bektashinjve. Ka qenë një lloj Vatikani”, shprehet ai, duke shtuar se edhe vendime të Parlamentit shqiptar të viteve ’20 ua kishin njohur këtë status. Baze thotë se kjo pozitë u dëmtua pas vendosjes së komunizmit, fillimisht përmes kontrollit të Komunitetit Bektashi dhe më pas me ndalimin e fesë. “Me reformën e ateizmit në Shqipëri u zhbë autoriteti ligjor i tyre si përfaqësues të Bektashive në gjithë botën”, thotë ai. Sipas tij, padrejtësia ndaj Bektashinjve vazhdoi edhe pas viteve ’90, kur ata u trajtuan si pjesë e Komunitetit Mysliman dhe nuk iu rikthye statusi i mëparshëm. “Pas ’90-ës është bërë një padrejtësi ndaj tyre, por të gjithë e anashkalojnë këtë”, shprehet Baze. Ai thekson se çështja nuk duhet reduktuar te numri i besimtarëve, edhe pse pretendon se Bektashinjtë përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë me origjinë myslimane në Shqipëri. “Nuk është betejë sasiore, po është edhe sasiore. Po edhe mund të mos ishte kështu. Mund të ishin baras ose mund të ishin më të vegjël. Prapë kishin të drejtë të ishin”, thotë ai. Sipas Bazes, mosnjohja e këtij statusi bëri që Komuniteti Bektashi në Shqipëri të humbiste me kalimin e viteve edhe një pjesë të legjitimitetit ndërkombëtar. “Bektashitë e vendeve të tjera në rajon filluan të mos e njihnin më, se kishin krijuar ato entitetet e veta të pavarura”, thotë ai. Pikërisht këtu, sipas Bazes, duhet parë edhe iniciativa e sotme. “Kjo përpjekje është përpjekje për t’u rikthyer atyre një lloj legjitimiteti”, shprehet ai. Ai shkon më tej, duke thënë se shteti shqiptar ka detyrimin t’u rikthejë Bektashinjve statusin që kishin më parë. “Shteti shqiptar ka borxh t’ua kthejë atë që kishin. Ne ju japim të drejtën që ju të përfaqësoni gjithë Bektashinjtë në gjithë botën, siç e keni pasur”, thotë Baze. Megjithatë, ai pranon se kjo nuk do të thotë se Komuniteti Bektashi në Shqipëri do të arrijë domosdoshmërisht të rifitojë autoritetin e dikurshëm ndërkombëtar. “Ata mund të mos ta realizojnë dot kurrë këtë punë. Mund të mos bëjnë dot asgjë në këtë histori, por kjo është një çështje tërësisht e ngushtë dhe është çështje ligjore e një entiteti fetar që atyre u takon”, shprehet ai. Baze kundërshton në veçanti interpretimet se nisma lidhet me krijimin e një territori sovran brenda Shqipërisë. “S’ka të bëjë fare as me shtet, as me sovranitet”, thotë ai. Sipas tij, debati është deformuar në dy drejtime: nga njëra anë përmes talljes me Baba Mondin dhe Komunitetin Bektashi, ndërsa nga ana tjetër përmes pretendimeve se Shqipëria po heq dorë nga një pjesë e sovranitetit të saj. “Mund të tallësh Baba Mondin gjithë ditën që pi raki. Mund të thuash që këta do kenë pasaporta”, thotë Baze, duke argumentuar se elemente të tilla janë pjesë e një strukture administrative të komunitetit fetar dhe jo shenja të një shteti të ri. “Sulmet ndaj tyre, nga një anë duke i bullizuar, duke e tallur dhe nga ana tjetër duke qenë agresiv, si kur thua që Shqipëria po dorëzon sovranitetin, po ua merr Baba Mondi, këto janë të dyja qesharake”, shprehet ai. Në përfundim, Baze e cilëson të gjithë polemikën si të ekzagjeruar. “Është një çështje e stisur”, thotë ai./TemA Share Transkripti i plotëBjorn Runa: Një çështje që ka dalë prapë në sipërfaqe është ajo e krijimit të shtetit Bektashi. Nuk e di sa serioze është apo është përpjekje për shpërqendrim? Mero Baze: Përpjekje për shpërqendrim është më shumë nga ata që janë aktorë, nga ata që e sulmojnë. Nuk bëhet fjalë për një shtet, e kupton? Është një entitet fetar, i cili ka një histori të veçantë që ka të bëjë me faktin që, kur Bektashinjtë janë zbuar nga Turqia dhe sekti Bektashi i yni, se ka disa sekte që kanë ardhur në Shqipëri. Ata kanë pasur legjitimitetin e përfaqësimit ndërkombëtar të Bektashinjve. Ka qenë një lloj Vatikani, si të thuash, që përfaqëson të gjithë katolikët në gjithë botën dhe këta Bektashinjtë përfaqësojnë. Kemi vendimet e Parlamentit të viteve ’20 që ua kanë njohur këtë status atyre. Problemi i tyre lind pas vendosjes së komunizmit, meqenëse komunizmi i mori në kontroll fillimisht ata përmes njerëzve të vet, Komunitetin Bektashi, dhe pastaj me reformën e ateizmit në Shqipëri u zhbë autoriteti ligjor i tyre si përfaqësues të Bektashive në gjithë botën. Pas ’90-ës është bërë një padrejtësi ndaj tyre, por të gjithë e anashkalojnë këtë. Bektashinjtë në Shqipëri përbëjnë 70% të botës myslimane shqiptare, nëse bazohemi te origjina familjare, se në fakt ishin ateistë shumica. Pas ’91-shit, meqenëse Komuniteti Mysliman doli në plan të parë edhe për arsye politike, këta i zhdukën Bektashinjtë dhe i quanin nëndegë të Komunitetit Mysliman. Dhe një përpjekje që u bë e këtyre në ’93-in, që: “Ore, këta ne jemi më vete.” “Hë, myslimanë jeni, jemi ne, jeni dhe ju këtu.” Në fakt, ata janë më shumë se këta të tjerët. Nuk është, kjo nuk është betejë sasiore, po është edhe sasiore. Po edhe mund të mos ishte kështu. Mund të ishin baras ose mund të ishin më të vegjël. Prapë kishin të drejtë të ishin, se dhe katolikët janë më të vegjël se ortodoksët, po ortodoksët janë më vete, katolikët janë më vete. Atyre nuk iu njoh ky status dhe kjo betejë vazhdoi gjatë. Ndërkohë, ata humbën legjitimitetin ndërkombëtar. Bektashitë e vendeve të tjera në rajon filluan të mos e njihnin më, se kishin krijuar ato entitetet e veta të pavarura. Dhe kjo përpjekje është përpjekje për t’u rikthyer atyre një lloj legjitimiteti. Po e njohim ne, se ata mund të mos ta marrin kurrë atë legjitimitet, e kupton? Por shteti shqiptar ka borxh t’ua kthejë atë që kishin. Thua që ju keni një... Ne ju japim të drejtën që ju të përfaqësoni gjithë Bektashinjtë në gjithë botën, siç e keni pasur. Ata mund të mos ta realizojnë dot kurrë këtë punë. Mund të mos bëjnë dot asgjë në këtë histori, por kjo është një çështje tërësisht e ngushtë dhe është çështje ligjore e një entiteti fetar që atyre u takon. Pastaj, për ta bullizuar këtë dhe për ta tallur, mund ta tallësh si të duash. Mund të tallësh Baba Mondin gjithë ditën që pi raki. Mund të tallësh ndonjë tjetër që sillet aty. Mund të thuash që këta do kenë pasaporta. Ato janë, ato janë si të thuash, badge-at e komunitetit fetar dhe janë, si të thuash, një ngrehinë administrative e asaj, siç ka kardinalët Vatikani, siç ka të dërguarit e vet. Është një lloj imitimi i një strukture të centralizuar të Bektashinjve. S’ka të bëjë fare as me shtet, as me sovranitet, por në njëfarë kuptimi është një përpjekje që shteti shqiptar t’ua njohë atë. Unë nuk e di sa sukses do kenë, por sulmet ndaj tyre, nga një anë duke i bullizuar, duke e tallur dhe nga ana tjetër duke qenë agresiv, si kur thua këtu që Shqipëria po dorëzon sovranitetin, po ua merr Baba Mondi, këto janë të dyja qesharake. E kupton? Është një çështje e stisur. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Mero Baze baba mondi shteti bektashi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

15 Gusht, 13:45

Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.4% Shoqëria 26.9% Social media 15.7% Vota total: 5410 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?