Një tjetër shtetas i huaj ka mbetur i bllokuar prej rreth 24 orësh në malin e Çikës, në Vlorë. Shtetasi polak, i cili prej ditës së djeshme kishte nisur eksplorimin e zonës malore, ka mbetur i bllokuar për shkak të terrenit të vështirë. Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, ai ka pësuar dëmtime dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të kthehet vetë. Prej mbrëmjes së djeshme, drejt zonës janë nisur dy grupe kërkim-shpëtimi, të përbëra nga efektivë të Policisë së Vlorës, shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të zonave të mbrojtura. Pas kërkimeve, grupet kanë bërë të mundur lokalizimin e shtetasit polak. Ndërkohë, për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për ta nxjerrë nga zona në rrugë tokësore, është kërkuar edhe ndërhyrja ajrore për transportimin e tij në një zonë të sigurt. Mali i Çikës, me lartësi 2,044 metra, është një nga zonat më të vështira malore të jugut dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Llogorasë.
