Dilema kryesore me të cilën përballet Bashkimi Evropian, në lidhje me anëtarësimin e plotë të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor, sillet rreth dallimit të supozuar midis fuqisë transformuese të BE-së në formësimin e sistemit politik të vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe momentin të rëndësisë gjeopolitike të zgjerimit pas pushtimit rus ndaj Ukrainës që prej shkurtit 2022. Hendeku midis bazave normative të politikës së zgjerimit të BE-së dhe “mënyrave të sundimit“ të vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor është tepër i dukshëm. Me fjalë të tjera, prania e administratës publike të politizuar, zbatimi i ulët i normave të shtetit të së drejtës, praktikat jo të rregullta të llogaridhënies politike, si edhe dominimi i korrupsionit politik në Ballkanin Perëndimor, që cilësohet si “kapje e shtetit” (Dzankic, 2025; Vachudova, 2019, p. 64), sjellin në vëmendje efektin e fuqisë transformuese të BE-së ndaj sistemeve politike të Ballkanit Perëndimor. Zakonisht, sipas kësaj perspektive fuqia transformuese e BE-së shihet e ndarë nga konteksti gjeopolitik. Rëndësia e momentin gjeopolitik përcaktohet kryesisht si një rrjedhojë më pak optimale e zgjerimit të BE-së, veçanërisht nëse arsyet gjeopolitike dhe të sigurisë mbizotërojnë ndaj “zbatimit strikt të normave” (Dzihic & Rauch, 2026, p. 8), në lidhje me shtetin e së drejtës, lirinë e medias, dhe llogaridhënien e institucioneve politike, duke e transformuar politikën e zgjerimit të BE-së në një instrument që e shndërron anëtarësimin në një anëtarësim politik (Nic et al., 2026, p. 8) të vendeve të caktuara të Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, nëse Bashkimi Evropian kuptohet kryesisht si një projekt i vazhdueshëm paqeje, duke patur si veçanti identitetin e institucionalizuar post-sovranist dhe post-kombëtar që kombinon demokracinë liberale me tregun e vetëm, konteksti gjeopolitik bëhet me tepër i ndërlidhur me fuqinë transformuese të BE-së, sikurse ka ndodhur në raundet e mëparshme të zgjerimit të BE-së në vendet pas-autoritare, pavarësisht sfidave të ndryshme gjeopolitike. LEXO edhe...Demo pret Ambasadoren e BE-së: Bashkëpunim më i fortë për sigurinë dhe integrimin europian Trajektorja drejt anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE është karakterizuar nga një besueshmëri josistematike e zotimeve të BE-së në favor të zgjerimit, që njihet ndryshe edhe si “dykuptimësia strategjike” (Dzihic & Rauch, 2026, p. 6) për sa kohë që kontinenti evropian nuk përballej me sfida gjeopolitike në rritje nga fuqi të jashtme konkurrente (Morina, 2025). Në të njëjtën kohë, është po aq e rëndësishme të theksohet se përfaqësuesit politikë të vendeve kandidate në rajon, që kryesisht janë elitat qeverisëse, nuk kanë qenë sistematikisht të përkushtuar ndaj transformimeve politike dhe reformave institucionale (Dzankic, et al., 2019; Kmezic, 2019, p. 93) të kërkuara nga BE-ja. Konteksti i agresionit rus ndaj Ukrainës dhe roli i palëve të treta të përfshira në konkurrencën gjeopolitike me BE-në, duke synuar të ushtrojnë ndikimin e tyre në periferinë e Bashkimit Evropian dhe duke promovuar projekte zhvillimore dhe politike alternative që nuk u përkasin demokracive liberale dhe të konsoliduara, dhe kësisoj mund të ngadalësojnë anëtarësimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, vendosin konturet e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, themelimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, “për të mbështetur financiarisht integrimin gradual” (Morina, 2025, p. 14) dhe “për të integruar rajonin më tej në tregun e vetëm” (2025, p. 14) përpara anëtarësimit të plotë, sikurse edhe rishikimi i metodologjisë së zgjerimit të BE-së që thekson rishikimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të shtetit të së drejtës dhe të funksionimit të institucioneve politike, përmes mekanizmave para dhe pas anëtarësimit, sikurse është Raporti i Sundimit të Ligjit, demonstrojnë rolin e rëndësishëm të inovacioneve institucionale të politikës së zgjerimit të BE-së, duke reduktuar kostot e zotimeve të besueshme të elitave sunduese të vendeve kandidate në rrugën e anëtarësimit në BE. Në tërësi, procesi i zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor nënkupton, pavarësisht shkallëve dhe efekteve të ndryshme në shtetet aspirantë, praktika të shtet-ndërtimit (Keil, 2013; Keil & Arkan, 2014) dhe llogaridhënie politike të institucioneve politike për së jashtmi (kupto nga BE-ja), sikurse edhe “njehsimin me vlerat, legjislacionin, standardet dhe politikat e BE-së” (Shahini, 2024, p. 11). Arsyet Gjeopolitike të Zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria Veprimi politik dhe fuqia normative e BE-së në “një mjedis ndërkombëtar gjithnjë më joliberal dhe të paqëndrueshëm” (Dzihic & Rauch, 2026, p. 8) mbështetet te përgjigja që BE u jep “aktorëve gjeopolitikë konkurrentë” (Dzihic & Rauch, 2026, p. 9), dhe ndaj konflikteve apo luftërave në hapësirën e afërt gjeografike në kufijtë institucionalë të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, nëse institucionet e Bashkimit Evropian, do të ngurronin të shfrytëzonin aftësitë e tyre në zhvillimin e politikave të reja në fushën e zgjerimit të BE-së, sikurse është si shembull i inovacionit në politikë-bërje integrimi gradual, apo themelimi i Planit të Rritjes të Ballkanit Perëndimor, edhe mekanizma të tjerë të kushtëzimit, që sipas disa ekspertëve nuk ndihmojnë në zgjidhjen e mungesës sistematike të besimit të BE-së (Emerson & Blockmans, 2025), ndërveprimi midis efektit të jashtëm të sfidës së vazhdueshme gjeopolitike dhe fuqisë transformuese të BE-së në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, nuk do të kishte qenë i dukshëm. Duhet përmendur se efekti i jashtëm i sfidës gjeopolitike në kombinim me ndryshimet institucionale dhe të politikave të procesit të zgjerimit të BE-së ka mundësuar tejkalimin e ciklit të “mungesës të besueshmërisë sistematike dhe praktikave të ngadalta transaksionale” (Dzankic, 2025, p. 75) duke kufizuar arbitraritetin e pushtetit ekzekutiv të qeverive të vendeve kandidate. Kuptimi i përgjithshëm se motivimi gjeopolitik i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe fuqia transformuese e tij në rajon kundërshtojnë njëri-tjetrin shmang ndërveprimin e vazhdueshëm midis arsyeve gjeopolitike dhe të sigurisë që BE-ja të zgjerohet ndaj vendeve post-autoritare dhe reformave politike dhe institucionale. Ky ndërveprim ka qenë i pranishëm edhe në raundet e mëparshme të zgjerimit. Konteksti historik i trajektores së anëtarësimit të vendeve post-komuniste të Evropës Qendrore u karakterizua fillimisht nga dyshime dhe pasiguri që u shfaqën nga përfaqësuesit kryesorë të vendeve anëtare të BE-së të cilët “u përpoqën ti mbanin larg vendet e reja demokratike “(Koval & Vachudova, 2024, p. 2) duke iu ofruar Marrëveshjet Evropiane të cilat nuk parashikonin anëtarësimin e plotë në BE. Sidoqoftë, “BE-ja iu rikthye perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Evropës Qendrore pas… hapave fillestarë të gabuar të saj” (Koval & Vachudova, 2024, p. 2). Tekefundit, pavarësisht shkallës së ndryshme të sfidave të jashtme përkundrejt sistemit politik të BE-së edhe integrimit rajonal, konteksti gjeopolitik ka qenë një tipar i qëndrueshëm i politikave dhe proceseve të zgjerimit të BE-së, përherë në ndryshim, përkundrejt rajoneve dhe vendeve që nuk mund të cilësohen thjesht si “rrethi i miqve” të BE-së. Zhvillimi ekonomik dhe llogaridhënia politike Pavarësisht rrjedhojave të pjesshme të politikave ekonomike dhe financiare të BE-së mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, të cilat mund të nxitin përshtatjen me normat e BE-së (Kmezic, 2019, p. 89) në lidhje me sundimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, por pa patur si rezultate anëtarësimin e plotë (Morina, 2025, p. 2), zhvillimi ekonomik nuk do të jetë i mjaftueshëm të mbështesë pasjen e institucioneve politike llogaridhënëse. Nga ana tjetër, mund të argumentohet se: “….përhapja horizontale, e ngadaltë dhe graduale e institucionalizimit rajonal…dhe kapaciteti rregullator” (Binici, 2020, p. 84) i politikave të BE-së, në lidhje me tregun e vetëm në BE, mund të nxitë grupet e interesit në Shqipëri të kërkojnë një administratë publike më profesionale, praktika themelore të shtetit të së drejtës, dhe parashikueshmëri ligjore. Këto ndryshime mund të mos arrijnë të detyrojnë institucionet politike, por kryesisht pushtetin ekzekutiv dhe qeveritë të zbatojnë llogaridhënien politike. Nëse institucionet e BE-së, përmes politikës së zgjerimit, do të reduktonin ndërveprimin e shpeshtë me elitat qeverisëse, dhe do të përfshinin përveç tyre edhe institucione politike më gjithëpërfshirëse, sikurse parlamenti, agjenci të administratës publike e shërbimit civil që ushtrojnë llogaridhënien horizontale, zhvillimi ekonomik do të mbështetej në institucione politike më të qëndrueshme dhe demokratike. Përvoja e gërryerjes së demokracisë gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve të sundimit të Fidesz-it në Hungari, sundim i cili u ndërpre si rrjedhojë e mobilizimit social dhe apelit për të rikthyer identifikimin dhe përkatësinë evropiane të Hungarisë, tregon se këto qeveri iliberale dhe të regjimeve hibride, sikurse Shqipëria “… do të ndiqnin me përpikëri rregullat e tregut te vetëm ndërsa bënin hapa pas në qëndrueshmërinë e demokracisë liberale” (Hooghe & Marks, 2019, p. 1125). Tekefundit, mosanëtarësimi i Shqipërisë, sikurse edhe i tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të përbëjë një kosto të lartë për konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Ndikimi Autoritar i Palëve të Treta Në mungesë të një zgjerimi të suksesshëm të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si rrjedhojë e “dykuptimësisë strategjike” të BE-së, kur anëtarësia e plotë e rajonit nuk përfytyrohet si synimi kryesor i politikës së zgjerimit (Nic et. al., 2026, p. 3), konkurrenca gjeopolitike midis BE-së dhe fuqive të jashtme si Rusia, Kina, mes të tjerave, mund të ndryshojë balancën në favor të të dytëve. Për sa kohë që procesi i integrimit gradual nuk është i mjaftueshëm për të arritur “integrimin politik” (Risse, 2005, p. 292) të vendeve të rajonit sikurse Shqipëria – një proces i cili do të nënkuptonte, mes faktorëve të tjerë, një trysni politike të konsiderueshme në rritje ndaj elitave politike nga grupe interesi e shoqëri civile pro-BE-së duke i detyruar elitat politike “të zhvendosin besnikëritë, veprimet politike dhe pritshmëritë e tyre drejt një qendre tjetër” (Haas, 1958, p. 16, i cituar te Risse, 2005, p. 292) – disa prej vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do të largoheshin nga BE-ja dhe do të forconin lidhjet politike, kulturore dhe ekonomike me fuqitë e jashtme. Të tilla argumente, të cilat janë përmendur nga të tjerë ekspertë më herët (Armakolas et al., 2024; Emerson & Blockmans, 2025; Morina, 2025), mbështeten në përvojën historike të vendeve të rajonit në të cilin “demokracia – si ideologji dhe regjim politik – nuk ka qenë e ngulitur institucionalisht dhe më gjerë në shoqëri” (Vachudova, 2020, cituar tek Dzankic, 2025, p. 74: Mishkova, 2014). Palët e treta, si fuqi të jashtme, kanë synuar të zbehin progresin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në BE dhe të mbështetin udhëheqës autoritar në pushtet, duke u bërë pengesë për “rikthimin në Evropë” të Ballkanit Perëndimor. Në aspektin ekonomik, investimet ekonomike të fuqive të jashtme si Kina apo Rusia, konsiderohen si “kapital gërryes” (Ben, 2023; Prelec, 2020). Sidoqoftë këto investime nuk janë të njëtrajtshme dhe me të njëjtin ndikim mes vendeve të rajonit. Në Shqipëri ka një prani më të ulët të kësaj kategorie të investimeve nga palët e treta që përfaqësojnë fuqi të jashtme. Kjo nuk nënkupton se një pjesë e investimeve të huaja sfidojnë rregullat dhe praktikat e shtetit të së drejtës dhe interesat e gjera të qytetarëve. Sidoqoftë, duhet përmendur se vende si Shqipëria, që kanë përshtatur dhe njëtrajtësuar politikën e tyre të jashtme me Politikë e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, jo vetëm që janë në krye të vendeve të rajonit me një anëtarësim të shpejtë në BE, por edhe më pak të ndikuar nga palë të treta. Ndasitë mes Elitave dhe Qytetarëve dhe Zbehja e Fuqisë Transformuese të BE-së Pavarësisht kritikës ndaj politikës së integrimit gradual dhe mbivendosjes së mekanizmave të kushtëzimit, që vlerësojnë përshtatjen e vendeve kandidate me legjislacionin e BE-së, si edhe praktikat demokratike dhe normat e shtetit të së drejtës, institucionet e BE-së, përmes këtyre mekanizmave të ndryshimit të politikave të zgjerimit sikurse integrimi gradual, “klauzolat e sigurisë” (Nic et al., 2026, p. 2) dhe “kushtëzimi pas anëtarësimit” (Nic et al., 2026, p. 5), apo “marrëveshjet tranzitore” (Lippert et al., 2026) mund të arrijnë një proces të qëndrueshëm të shtet-formimit. Sidoqoftë, nëse institucionet e BE-së negociojnë dhe ndërveprojnë kryesisht me elitat politike dhe qeverisëse, sikurse ndodh edhe në rastin e Shqipërisë, pa “zgjeruar pjesëmarrjen e drejtë të publikut në vendimmarrje” (Morina, 2025, p. 9) dhe pa transformuar parlamentet kombëtare të vendeve kandidate në arena kryesore të politikëbërjes, llogaridhënies demokratike, dhe bashkëpunimit mes partive politike, fuqia transformuese e BE-së do të zbehet me kalimin e kohës. Institucionet e BE-së në bashkëpunim me parlamentet e vendeve kandidate, sigurisht pa mënjanuar qeveritë, dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të formulojnë, mbështetin dhe përhapin një proces komunikimi që mundëson dialog social dhe diskutime në lidhje me proceset e shtet-formimit në vende si Shqipëria. Në të kundërt, një hendek i vazhdueshëm midis elitave politike dhe qytetarëve mund të vërë në rrezik të ardhmen e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit në BE, duke provokuar një cikël të ri të regjimeve hibride, të gërryerjes së demokracisë, apo ndihmojë në vazhdimësinë e mëtejshme të këtyre regjimeve. Në rastin më të mirë, Bashkimi Evropian do të duhet t’i përgjigjet mobilizimit politik apo social në Shqipëri ose gjetkë që është në favor të rikthimi të së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe rajonit. Referencat: Armakolas, I. Dimitrov, N., Ioannides, I., Nechev, Z., Popescu-Zamfir, O., & Zeneli, V. (2024). EU enlargement to the Western Balkans: Where there is a will, there is a way. (Policy Paper). Europe’s Futures. Ben, R. (2023). Achilles steel? Investigating corrosive capital in Smederevo Zelezara privatization. Journal of Regional Security,18(2), 187–216. Binici, O. (2020). Expanding European integration towards the Western Balkans in times of crisis: A neo-functionalist examination. Central European Journal of International and Security Studies, 14(4), 75–98. Džankić, J. (2025). The geopolitics of democracy in the Western Balkans. In J. Džankić, B. Kotevska, L. Mokrá (Eds.), The geo(politics) of democracy in wider Europe. (pp. 73–84). European University Institute. Džankić, J., Keil., S., & Kmezić, M. (2019). Introduction: The Europeanisation of the Western Balkans. In J. Džankić, S. Keil, & M. Kmezić (Eds.), The Europeanization of the Western Balkans: A failure of EU conditionality? (pp. 1–14). Palgrave Macmillan. Džihić, V., & Rauch, T. (2026). From fatigue to fragile momentum: EU enlargement in the Western Balkans under geopolitical pressure. (Report). Austrian Institute for International Affairs. Emerson, M., & Blockmans, S. (2025). How to radically simplify and streamline the EU enlargement process. (Policy Brief). CEPS. Hooghe, L., & Marks, G. (2019). Grand theories of European integration in the twenty-first century. Journal of European Public Policy, 26(8), 1113–1133. Hooghe, L., & Marks, G. (2005). The neofunctionalists (were) almost right: Politicization and European integration. The Constitutionalism Web Papers. University of Hamburg, Institute of Political Science. Keil, S. (2013). Europeanization, state-building and democratization in the Western Balkans. Nationalities Papers,41(3), 343–353. Keil, S., & Arkan, Z. (2014). The EU and member state building: European foreign policy in the Western Balkans. Routledge. Kmezić, M. (2019). EU rule of laë conditionality: Democracy or ‘stabilocracy’ promotion in the Ëestern Balkans? In J. Džankić, S. Keil, & M. Kmezić (Eds.), The Europeanization of the Western Balkans: A failure of EU conditionality? (pp. 87–109). Palgrave Macmillan. Koval, N., & Vachudova, A. M. (2024). European Union enlargement and geopolitical power in the face of war. Journal of Common Market Studies, 62(1), 135–146. Lippert, B., von Ondarza, N., & Seebas, F. (2026). EU enlargement: Ukraine as a special case – the Western Balkans as the norm. (Policy Brief). German Institute for International Security Affairs. Mishkova, D. (2014). Balkan liberalisms: historical routes of a modern ideology. In R. Daskalov & D. Mishkova (Eds.), Entangled histories of the Balkans: Transfers of political ideologies and institutions. (pp. 99–198). Brill. Morina, E. (2025). Accelerate the accessions: Why faster is better in EU enlargement policy. (Policy Brief). European Council on Foreign Relations. Nić, M., Maillard, S., Zëeers, Ë., Bechev, D., & Xaviereff, N. (2026). Europe’s next enlargement: What Berlin, Paris, and the Hague really think. (Policy Brief). German Council on Foreign Relations. Prelec, T. (2020). The vicious circle of corrosive capital, authoritarian tendencies, and state capture in the Ëestern Balkans. Journal of Regional Security, 15(2), 167–198. Risse, T. (2005). Neofunctionalism, European identity, and the puzzles of European integration. Journal of European Public Policy, 12(2), 291–309. Shahini, B. (2024). Towards enlargement: How to rebuild trust in the EU accession process. (Policy Paper). Hertie School: Jacques Delors Center. Vachudova, M. A. (2019). EU enlargement and state capture in the Ëestern Balkans. In J. Džankić, S. Keil, & M. Kmezić (Eds.), The Europeanization of the Western Balkans: A failure of EU conditionality? (pp. 63–86). Palgrave Macmillan. Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias. *Autori është lektor në Shkenca Politike, Universiteti i New York-ut Tiranë K.T./ReportTv.al Bashkimi evropian integrimi ne be sokol lleshi Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 53.9% Jo 39% Disi 7% Vota total: 3269 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

