Në historinë e gjuhësisë, Franc Bopi mbahet si një nga themeluesit kryesorë të një disipline të re të shek. XIX, të gjuhësisë krahasuese indoevropiane, ndërsa në historinë e albanologjisë si i pari studiues, që hodhi bazat e morfologjisë së krahasuar të gjuhës shqipe. Lindi më 14 shtator 1791 në qytetin Majnc të Gjermanisë Jugore. Në Ashafenburg, ku u shpërngul familja e tij pas pushtimit të Majncit nga trupat franceze, ndoqi gjimnazin e pastaj universitetin. Me shkrirjen e universitetit të Majncit nga qeveria franceze, shumë profesorë ishin shpërngulur në Ashafenburg. Ndër ta ishte dhe Karl Jozef Vindishmani, që do të bëhej mësuesi më i rëndësishëm i Franc Bopit dhe do të ushtronte një ndikim vendimtar në jetën e tij si shkencëtar nëpërmjet leksioneve të tij mbi filozofinë në vendet e Lindjes. Në atë kohë të lulëzimit të ideve të reja të romantizmit shtrohej çështja e fillimeve të kulturës njerëzore, për të cilën mendohej se i kishte rrënjët në Lindje. Prandaj u zgjua interesi për njohjen dhe studimin e historisë, gjuhëve e kulturave të popujve të Lindjes, të dëshmive shkrimore e të monumenteve më të vjetra të tyre,që nga Palestina e Egjipti e deri në Indi e Kinë. LEXO edhe...Luan Omari nderohet në 101-vjetor me titullin “Ylli i artë” Nën këtë ndikim të frymës së kohës, e cila përshkonte edhe leksionet në universitetin ku studionte, Franc Bopi e ktheu vështrimin nga Lindja, nga gjuhët e kulturat e popujve të saj. Ai njohu e studioi me imtësi veprën e F. Shlegelit “Mbi gjuhën dhe diturinë e indianëve”, botuar më 1808, vepër themeltare për indologjinë, që zgjoi interesimin shkencor të studiuesve për Indinë, për figurat e saj mitologjike dhe për studimin gjuhësor të sanskritishtes. Kjo vepër u bë për F. Bopin shtysa për zgjedhjen e fushës së studimit, që përcaktoi krejt rrugën e tij në jetë. Në vitin 1812 ai shkoi në Paris, ku studioi gjuhët semite, ndoqi leksione të arabishtes e persishtes dhe iu fut leximit të dorëshkrimeve të vjetra indiane (Vedave). Në fillim dëshira dhe qëllimi i tij ishin të studionte mitet dhe fenë indiane, e sidomos filozofinë e Vedave, që do t’i shërbente si çelës për të zbërthyer urtësinë e lashtë të popujve të Lindjes. Por, duke u thelluar në studimin e gjuhës, i bien në sy afërsitë e sanskritishtes me gjuhët e tjera klasike, greqishten e latinishtes; kërkesat e tij rriten dhe ai nuk do të kënaqet vetëm të kuptojë ç’është shkruar në një gjuhë. Ai synon tanimë “të fitojë njohuri nga të gjitha gjuhët, në mënyrë që përvetësojë thelbin e mirëfilltë të tyre dhe marrëdhëniet e tyre me gjuhët e tjera”, pra t’i shohë gjuhët si objekt dhe jo thjesht si mjet njohjeje. Në përpjekjet e tij për të reaalizuar këtë synim duhet kërkuar edhe zanafilla e interesimit të tij të mëvonshëm për gjuhën shqipe. Në vitin 1816, kur ishte vetëm 25 vjeç, Franc Bopi botoi veprën e tij të parë “Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritishtes në krahasim me atë të greqishtes, latinishtes, persishtes dhe gjermanishtes”, që do të mbahet si vepra themeluese e gjuhësisë së re krahasuese indoevropiane. Në të vërtetë, qysh në vitin 1814 gjuhëtari danez Rasmus Rask kishte hartuar një vepër, ku për herë të parë zbatohej metoda historike-krahasuese, por ky punim u botua vetëm në vitin 1818 dhe në gjuhën daneze, gjë që bëri të mos njihej qysh në atë kohë nga publiku i gjerë. Në veprën e tij Franc Bopi krahasoi në mënyrë sistematike zgjedhimet foljore të pesë gjuhëve, duke përdorur metodën e zbërthimit të fjalëve e formave në elemente përbërëse kuptimplota, gjë që shënoi zbulimin e një teorie të re, teorisë së aglutinimit, e cila u përdor me sukses nga gjuhësia e mëpasme. Nëpërmjet krahasimit të zgjedhimeve të gjuhëve që mori në shqyrtim, ai nxori në pah ngjashmëritë e mëdha të këtyre gjuhëve, që tregonin qartë farefisninë e ngushtë dhe prejardhjen e përbashkët të tyre. Ndërsa ndonjë punim krahasues i mëparshëm vinte pranë njëra-tjetrës vetëm fjalë të ngjashme gjuhësh të ndryshme, F. Bopi bëri hapin e krahasimit të sistemeve gramatikore. Ngjashmëritë i lejuan atij të nxjerrë edhe përfundime për një gjendje më të vjetër të gjuhëve. Në fillim ai kishte menduar për sanskritishten si nënën e të gjitha gjuhëve të tjera, por më pas hoqi dorë nga kjo utopi dhe i sheh të gjitha gjuhët si ndryshime të shkallëshkallshme të një gjuhe të vetme primitive, të gjuhës indoevropiane. Franc Bopi është i vetmi ndër gjuhëtarët gjermanë që përdori termin “gjuhë indoevropiane”, ndryshe nga bashkëkombasit e vet që përdornin shprehjen “indogjermane”. Kështu, me veprën e tij të parë dhe me ato që pasuan, ndër të cilat më e rëndësishmja është “Gramatika e krahasuar e sanskritishtes, zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes, sllavishtes sëvjetër e gjermanishtes” (1833-1852), Franc Bopi u hapi rrugë të reja studimeve gjuhësore, duke përdorur metodën historike-krahasuese, me të cilën gjuhësia e shekullit XIX arriti suksese të mëdha. Gjatë punës dhe përpjekjeve të tij për të zgjeruar sa më shumë numrin e gjuhëve që analizoi e studioi, F. Bopi përfshiu në rrethin e interesave të tij studimore edhe gjuhën shqipe. Ai ka hyrë në historinë e albanologjisë si i pari studiues që argumentoi në mënyrë shkencore dhe bindëse karakterin indoevropian të gjuhës shqipe dhe përcaktoi vendin e veçantë të saj në familjen e gjuhëve indoevropiane. Me gjuhën shqipe Franc Bopi nuk u njoh qysh në fillim të veprimtarisë së tij shkencore. Ai iu drejtua shqipes nga fundi i viteve 30-të. Ka shumë të ngjarë që si shtysë e parë drejt gjuhës shqipe t’i ketë shërbyer vepra e kalorësit von Ksilander “Gjuha e shqiptarëve” (Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren), botuar më 1835, që përmbante një gramatikë përshkruese për toskërishten, disa tekste dhe një fjalor shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip, të mbështetura te Dhiata e Re në shqip. Ksilanderi shprehte mendimin që gjuha shqipe duhej konsideruar si pjesëtare e grupit gjuhësor indoevropian. Në atë kohë ndonjë gjuhëtar, si August Poti, ishte shprehur kundër përfshirjes së shqipes në këtë grup. Prandaj Franc Bopi mund të jetë nxitur nga synimi për të vërtetuar mendimin e një jospecialisti si Ksilanderi. Që në një punim të tij të parë mbi shqipen, një trajtesë për numërorët dhe përemrat e shqipes, lexuar në vitin 1843 para Akademisë së Berlinit, i cili ka mbetur i pabotuar, del qartë bindja e tij që shqipja i përket familjes indoevropiane. Por pas këtij punimi të parë mbi shqipen, F. Bopi për vite të tëra nuk u mor më me gjuhën shqipe, duke qenë i zënë me “Gramatikën e krahasuar”. Ndërkohë August Shlajheri në drurin e tij gjenealogjik të gjuhëve indoevropiane e kishte futur edhe shqipen në këtë familje, por e vendos atë midis “çiftit të gjuhëve pellazgjike”: greqishtes e italikishtes, duke e afruar më shumë me greqishten. Në fillim të viteve 50-të, F. Bopi iu rikthye kërkimeve mbi shqipen, për të plotësuar studimet e tij mbi gjuhët e Evropës që bënin pjesë në familjen indoevropiane. Punën e nisur e nxiti më tej dhe e shpejtoi dalja në vitin 1853 e “Studimeve shqiptare” të konsullit austriak në Janinë J. G. von Hahn, që përmbanin, veç të dhënave të vlefshme gjeografike e historike, një gramatikë të dialektit toskë dhe një fjalor shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip. Si materiale të tjera bazë për shqipen ai pati për toskërishten veprën e Hahnit dhe për gegërishten fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635) dhe “Vëzhgime gramatikore në gjuhën shqipe” të F. M. da Lecces (1716), gjithë çka njihej për shqipen atë kohë. Rezultatet e studimit të tij krahasues F. Bopi i parashtroi në trajtesën e tij “Mbi shqipen në marrëdhëniet e saj të afërisë”, mbajtur para Akademisë së Berlinit më 1854, që u botua një vit më vonë në punimet e kësaj Akademie. Që në fillim të punimit ai bën të ditur bindjen e tij, të shprehur edhe në punimin e tij të parë për shqipen, se “kjo gjuhë i përket kryekëput familjes indoevropiane”, por në përbërësit e saj themelorë nuk ka lidhje të ngushtë dhe nuk rrjedh prej asnjërës nga motrat e tjera sanskrite të kontinentit tonë”. Trajtimi i këtyre dy problemeve themelore përbën thelbin e punimit të tij. Nga njëra anë, F. Bopi synonte që nëpërmjet analizës morfologjike të veçonte ato elemente të strukturës gramatikore të shqipes që e lidhnin atë me gjuhën e përbashkët indoevropiane dhe, nga ana tjetër, donte të tregonte se nuk kishte asnjë bazë për ta lidhur shqipen me ndonjë gjuhë tjetër indoevropiane. Ai nuk e përmend Shlajherin, por nënteksti është i qartë kur thotë se, “në bazë të vendndodhjes, do të vinte më tepër në vështrim greqishtja si burimi fillestar i shqipes, por nga rrethanat tingullore e gramatikore të kësaj të fundit, del se në të shumtën e rasteve, për sa i përket fjalorit, gjendet një ndërmjetësi më e lehtë dhe pa shtrëngim nga sanskritishtja sesa nga greqishtja”. Për këtë ai sjell edhe dëshmi nga fonetika. Kjo tezë e Bopit pati rëndësi për lëvizjen kombëtare shqiptare të asaj kohe. Ajo ndihmonte në ngritjen e dinjitetit kombëtar dhe shërbente kundër politikës shoviniste greke, që i konsideronte shqiptarët etnikisht një me grekët dhe gjuhën shqipe një dialekt të greqishtes. Ndihmesën më të madhe për të treguar lidhjet e shqipes me gjuhët e tjera të familjes indoevropiane F. Bopi e dha në fushën e zgjedhimit foljor, ku bëri një sërë zbulimesh, që vlejnë edhe sot. Këtu hyjnë p.sh., zbulimi i njëjtësisë së mbaresave të shumësit të formave të së pakryerës e të së kryerës së thjeshtë (-më, -të, -në) me mbaresat përgjegjëse të sanskritishtes e greqishtes, vënia në dukje e foljeve të një tipi të vjetër zgjedhimi (jam, kam, thom) dhe përfundimet për afërinë gjuhësore që nxirreshin prej tij, zbulimi i ruajtjes së mbaresave të vjetra -s e -t në trajtat e vetës së dytë e të tretë njëjës të lidhores (të jesh, të jetë), zbulimi i mbeturinave të aoristit sigmatik në shqipen (rashë, pashë, dhashë) etj. Edhe në lakimin e emrave F. Bopi gjeti raste që jepnin mundësi për të vendosur lidhje me sanskritishten. Megjithëse nuk ishte qëllim i tij, Bopi bëri edhe disa krahasime etimologjike, mjaft prej të cilave qëndrojnë edhe sot, p.sh.: shq. vjet : greq. étos; shq. muaj : sanskr. mâsa, lat. mensis etj.; shq. njeri : sanskr. nar; shq. i madh : sanskr. mah-ant; shq. bie (bjer) : sanskr. bhar; shq. mos : sanskr. mâ, greq. mē. Edhe në formimin e fjalëve F. Bopi dha ndihmesë, duke bërë disa zbërthime mjaft të goditura. Ai veçoi formantin të te numërorët gjashtë deri në dhjetë si një shtesë që nuk i përkiste temës, dhe e lidhi atë me formantin e sllavishtes së vjetër e të sanskritishtes ti. Te ndajfolja sonte ai gjeti fjalën natë, që e lidhi me fjalët përgjegjëse të gjuhëve të tjera indoevropiane, dhe përemrin dëftor so, të cilin e pa dhe te ndajfolja tjetër sot, -t-në e së cilës e paraqiti si trajtën e reduktuar të ditë. Me këto e të tjera zbulime prej një mendjeje gjeniale, Franc Bopi dha një ndihmesë të shquar prej pionieri, për vështrimin historik-krahasues të strukturës gramatikore të shqipes. Vepra e tij i hapi rrugë studimit të mëtejshëm të shqipes, që e vazhduan me sukses Franc Miklosichi, Gustav Meyeri, Norbert Jokli, Holger Pederseni, Eqrem Çabej dhe brezat më të rinj të gjuhëtarëve, brenda e jashtë vendit. SI.E./ReportTv.al Anila Omari Franz Bopp Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 53.9% Jo 39% Disi 7% Vota total: 3269 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

