Shqipëria ka pagën minimale me fuqinë blerëse më të ulët në Europë, sipas të dhënave të Eurostat të analizuara nga “Euronews Business”. Me një nivel prej 705 njësish të standardit të fuqisë blerëse (PPS), paga minimale shqiptare renditet e fundit në kontinent, duke mbetur pas të gjitha vendeve të rajonit. Në krye të renditjes janë Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda, ku paga minimale siguron mbi trefishin e fuqisë blerëse krahasuar me Shqipërinë.
Sipas raportit, edhe pse paga minimale bruto në Shqipëri është rreth 530 euro në muaj, ajo humbet ndjeshëm vlerë për shkak të nivelit të lartë të çmimeve. Maqedonia e Veriut dhe Serbia rezultojnë me fuqi blerëse përkatësisht 62% dhe 55% më të lartë se Shqipëria, ndërsa edhe vendet me pagat më të ulëta në Bashkimin Europian, si Estonia dhe Letonia, mbeten dukshëm përpara.
Raporti thekson se çmimet e larta të ushqimeve, karburanteve dhe një sërë mallrash të konsumit e dobësojnë më tej fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri tejkaluan mesataren e Bashkimit Europian, ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë rreth 40% të buxhetit të tyre për ushqime dhe pije joalkoolike, duke kufizuar shpenzimet për nevoja të tjera si strehimi, shëndetësia dhe arsimi.

