Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë Aleks Uka, i cili mbeti i plagosur rëndë në aksidentin e ndodhur në segmentin rrugor Fushë Arrëz–Bajram Curri, në fshatin Porav. Ai u transportua për trajtim të specializuar në kryeqytet, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Fillimisht u raportua se aksidenti kishte ndodhur pas një përplasjeje mes një fuoristrade dhe motorit që drejtonte Uka. Megjithatë, hetimet në vendngjarje zbuluan një tjetër dinamikë, ku dyshohet se ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me murin anësor të rrugës.
Sipas verifikimeve të policisë, fuoristrada e ndodhur pranë vendit të aksidentit nuk ka qenë e përfshirë në përplasje, por drejtuesi i saj është ndalur për t’i dhënë ndihmë të plagosurit. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

