Lajme Zone
KLSH: Rritja e çmimit të ujit po përdoret për të mbuluar dështimet e ujësjellësve
PolitikëJOQ Albania

KLSH: Rritja e çmimit të ujit po përdoret për të mbuluar dështimet e ujësjellësve

Rritja e çmimit të ujit nuk po shoqërohet gjithmonë me përmirësim të shërbimit apo ulje të humbjeve në rrjet. Në disa raste, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, tarifat më të larta po përdoren për të përballuar kostot që vijnë nga keqmenaxhimi dhe mungesa e eficiencës në ndërmarrjet e ujësjellësve.

Rritja e çmimit të ujit nuk po shoqërohet gjithmonë me përmirësim të shërbimit apo ulje të humbjeve në rrjet. Në disa raste, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, tarifat më të larta po përdoren për të përballuar kostot që vijnë nga keqmenaxhimi dhe mungesa e eficiencës në ndërmarrjet e ujësjellësve.

Në auditimin e kryer për Entin Rregullator të Ujit, KLSH evidenton nivele shumë të larta të Ujit Pa të Ardhura në disa prej operatorëve rajonalë, duke sjellë si shembuj Lezhën, Fierin dhe Shkodrën. Sipas të dhënave të raportit, humbjet arrijnë në 74.14% në UK Rajonale Lezhë, 69.59% në Fier dhe 67.01% në Shkodër.

KLSH vlerëson se, pavarësisht ndikimit të madh që këto humbje kanë në kostot e sistemit dhe te konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat, masat për reduktimin e tyre nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Sipas auditimit, kërkesat për rritje tarifash nuk janë shoqëruar me plane të qarta dhe të matshme për uljen e humbjeve, eliminimin e lidhjeve të paligjshme, përmirësimin e faturimit apo investimet në rrjet.

“Rritja e tarifave më së shumti përdoret për të mbuluar pasojat e mosmenaxhimit dhe joeficiencës së këtyre shoqërive”, thekson KLSH në konkluzionet e auditimit.

Lezha, rasti me humbjet më të larta

Nga tre operatorët e analizuar, situata më problematike paraqitet në Lezhë. Shoqëria prodhon rreth 13.65 milionë metra kub ujë në vit, por vetëm një pjesë e vogël e këtij volumi matet realisht. Vetëm 16.3% e prodhimit është e regjistruar përmes matjes, ndërsa Uji Pa të Ardhura arrin në 74.14%.

Sipas auditimit, faktorët kryesorë lidhen me humbjet teknike në rrjet, lidhjet e paligjshme dhe pasaktësitë në evidentimin e sasisë së ujit që futet në sistem.

Shkodra përballet me mungesë të dhënash të sakta

Edhe në Shkodër niveli i humbjeve mbetet shqetësues. Shoqëria deklaron një prodhim vjetor prej rreth 14.8 milionë metra kub ujë, por pjesa më e madhe e këtij volumi është e vlerësuar dhe jo e matur, pasi vetëm disa burime kanë ujëmatës.

Nga sasia totale e prodhuar, vetëm 32.98% faturohet, ndërsa 67.01% klasifikohet si Ujë Pa të Ardhura. KLSH evidenton gjithashtu gjendjen e amortizuar të një pjese të rrjetit prej 313 kilometrash, veçanërisht në zonat e Vaut të Dejës dhe Malësisë së Madhe.

Megjithëse rreth 73.7% e lidhjeve të konsumatorëve kanë ujëmatës, mungesa e matjes në burim krijon pasiguri për sasinë reale të ujit që hyn në sistem.

Në Fier, humbjet kalojnë 69%

Në Fier prodhohen rreth 20.79 milionë metra kub ujë në vit, nga të cilat vetëm 67.7% maten. Shoqëria arrin të faturojë vetëm 30.41% të ujit të prodhuar, ndërsa pjesa e humbur arrin në 69.59%.

Auditimi ndan humbjet në dy kategori: rreth 31.93% janë humbje administrative, ku përfshihen lidhjet e paligjshme dhe nënfaturimi, ndërsa 37.01% konsiderohen humbje teknike të lidhura me rrjetin.

KLSH kërkon tarifa të lidhura me performancën

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në kushtet kur nivelet e humbjeve janë kaq të larta, rritja e tarifave rrezikon të rëndojë më shumë konsumatorët korrektë, pa zgjidhur problemet që krijojnë kostot shtesë.

Për këtë arsye, KLSH i rekomandon ERRU-së që miratimi i tarifave për operatorët me humbje të larta të shoqërohet me kushte të detyrueshme performance. Këto duhet të përfshijnë plane konkrete veprimi, afate të përcaktuara, tregues të matshëm dhe masa rregullatore në rast se objektivat nuk arrihen.