Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për vrasjen e influencueses 23-vjeçare Valeria Márquez, e cila u ekzekutua në maj të vitit 2025 gjatë një transmetimi live në rrjetet sociale.
Autoritetet meksikane kanë arrestuar Ramón Ángel Álvarez Ayala, një anëtar i dyshuar i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), i cili dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e saj. Sipas hetimeve, motivi lidhet me marrëdhënien e mëparshme të Márquez me djalin e tij, Francisco Álvarez.
Sipas autoriteteve, Francisco e kishte kërcënuar disa herë influencuesen pas ndarjes së tyre dhe dyshohet se i kërkoi babait të tij të organizonte atentatin. Francisco dhe personi i dyshuar si ekzekutori i vrasjes vijojnë të jenë në arrati.
Márquez u vra më 13 maj 2025 në sallonin e saj të bukurisë në Jalisco, ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok. Një person i maskuar hyri në ambientet e biznesit dhe e qëlloi disa herë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pak para sulmit, influencuesja kishte shprehur shqetësim gjatë transmetimit, pasi disa persona kishin mbërritur në sallon duke pretenduar se kishin një dhuratë për të.
Arrestimi i Álvarez Ayala-s konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në hetimin e kësaj vrasjeje, ndërsa autoritetet po hetojnë gjithashtu lidhjet e tij të dyshuara me vrasjen e ish-kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Manzo.

