Lajme Zone
Kaos në qytetin fqinj të Ceutës, Fnideku po përballet me krizën më të rëndë migratore, mbërrijnë mijëra të rinj
BotëTop Channel

Kaos në qytetin fqinj të Ceutës, Fnideku po përballet me krizën më të rëndë migratore, mbërrijnë mijëra të rinj

Në qytetin Ceuta të Spanjës situata pas fluksit masiv të emigrantëve po normalizohet, por gjendja po tensionohet në qytetin fqinj, Fnidek, ku po mbërrijnë mijëra njerëz.

Në qytetin Ceuta të Spanjës situata pas fluksit masiv të emigrantëve po normalizohet, por gjendja po tensionohet në qytetin fqinj, Fnidek, ku po mbërrijnë mijëra njerëz. Fnideku zakonisht është një vendpushim i qetë me pamje nga Ceuta, por qyteti tani ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme: plazhet janë rrethuar me barriera, ndërsa pjesëtarët e policisë kombëtare marokene, të armatosur me armë të gjata, janë vendosur pothuajse në çdo cep dhe shkëmb.

Në Fnidek shihen kryesisht grupe të rinjsh që kërkojnë strehim. Edhe këtu e kanë të vështirë të gjejnë ushqim, madje edhe kur kanë para, pasi shumë kafene dhe restorante janë mbyllur nga frika e plaçkitjeve, ndërsa ato që punojnë kontrollojnë rreptësisht hyrjen dhe refuzojnë t’u shërbejnë të rinjve.

Ekspertja spanjolle e migracionit, Beatriz Masa, që ndjek prej vitesh situatën në këtë rajon, u shpreh se Fnideku nuk ka përjetuar kurrë më parë skena të tilla.

Beatriz Masa dhe ekspertë të tjerë besojnë se një lëvizje e tillë masive ishte e mundur vetëm sepse autoritetet marokene e lejuan në mënyrë të heshtur, si pasojë e krizës politike mes Spanjës dhe Marokut.

Shumë turistë kanë anuluar pushimet e tyre në Fnidek, ndërsa ata që megjithatë kanë ardhur thonë se nuk e njohin më vendpushimin e qetë që dikur vizitonin dhe preferojnë të qëndrojnë brenda hoteleve.

Pasojat tashmë po ndihen edhe nga tregtarët në tregun e qytetit, jo larg plazhit. Ndërkohë, pasojat ekonomike dhe humanitare të krizës janë ende larg zgjidhjes. Top Channel