Lajme Zone
Shqiptarët frenojnë shpenzimet, familjet druhen nga blerjet e mëdha. Bie besimi te ndërtimi dhe tregtia
EkonomiTop Channel

Shqiptarët frenojnë shpenzimet, familjet druhen nga blerjet e mëdha. Bie besimi te ndërtimi dhe tregtia

Një blerje e madhe, një investim për shtëpinë apo edhe ndërrimi i makinës janë vendime që familjet shqiptare duket se po i peshojnë gjithnjë e më shumë.

Një blerje e madhe, një investim për shtëpinë apo edhe ndërrimi i makinës janë vendime që familjet shqiptare duket se po i peshojnë gjithnjë e më shumë. Pavarësisht një përmirësimi të lehtë të besimit te ekonomia, qytetarët edhe për muajt e fundit të vitit vijojnë të tregohen të kujdesshëm me shpenzimet ndërsa edhe bizneset nuk kanë të njëjtin optimizëm për muajt në vijim.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për muajin tetor tregon se besimi konsumator u rrit me 1.1%. Përmirësim kanë shënuar edhe pritjet për financat familjare dhe situatën e përgjithshme ekonomike.

Por kur qytetarët pyeten për blerjet e mëdha, treguesi mbetet në nivele negative. Edhe pse më mirë se një muaj më parë, familjet ende hezitojnë të kryejnë shpenzime të konsiderueshme.

Në sektorin e biznesit panorama e besimit në ekonomi na shfaqet e ndarë. Ndërtimi pësoi rënien më të fortë të besimit me 5.7% i ndjekur nga tregtia me 3.5% ku janë dobësuar vlerësimet për shitjet dhe pritjet për punësimin.

Në të kundërt industria dhe shërbimet shënuan përmirësim përkatësisht me 2.5 dhe 3.2%. Niveli i porosive të përgjithshme në industri është vlerësuar me përmirësim të lehtë, ndërkohë që porositë nga eksportet janë vlerësuar me rënie.

Ndërsa në sektorin e shërbimeve bizneset shprehen optimiste për nivelin e kërkesës dhe për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.

Në total treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 0.4% dhe qëndron mbi mesataren historike por ky përmirësim nuk reflektohet njësoj te konsumatorët dhe të gjithë sektorët e ekonomisë.

BESIMI TEK KONSUMATORËT

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Gusht 0.8%

Shtator 2.3%

Tetor 1.1% SEKTORËT ME RËNIE TË BESIMIT

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Ndërtimi -5.7%

Tregtia -3.5% TREGUESI I NDJESISË EKONOMIKE

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Janar 110.24

Shkurt 107.43

Mars 107.9

Prill 106.22

Maj 107.16

Qershor 106.37

Korrik 105.35

Gusht 107.51

Shtator 107.80

Tetor 108.34 Top Channel