Kompanitë e industrisë përpunuese që eksportojnë, por nuk importojnë, kanë një produktivitet pune 66% më të lartë se ndërmarrjet që operojnë vetëm në tregun vendas, por ky avantazh nuk shoqërohet me paga mesatare statistikisht më të larta për punonjësit.
Hendeku mes produktivitetit dhe pagave është një nga gjetjet kryesore të studimit më të fundit të Bankës Botërore, ‘Tregtia për punësim dhe gjithëpërfshirje në Shqipëri’, të publikuar në tetor 2026, që analizon ndikimin e integrimit tregtar në punësim dhe të ardhura.
Sipas raportit, avantazhi prej 66% në produktivitet mbetet statistikisht domethënës edhe pasi merren parasysh dallimet ndërmjet sektorëve, vendndodhja e bizneseve dhe vitet e vrojtimit. Megjithatë, për të njëjtat ndërmarrje, diferenca e pagave mesatare nuk rezulton statistikisht domethënëse.
Ky rezultat e dallon Shqipërinë nga ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku kompanitë që vetëm eksportojnë zakonisht nuk shfaqin një avantazh të ngjashëm produktiviteti. Autorët e studimit konstatojnë se përfitimet nga pjesëmarrja në tregtinë ndërkombëtare nuk po përkthehen në të njëjtën masë në të ardhura më të larta për fuqinë punëtore.
Banka Botërore vlerëson se një pjesë e vlerës së krijuar mund të përthithet nga marzhet e ndërmarrjeve ose të mbetet te kompanitë e huaja që drejtojnë zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Raporti e lidh këtë fenomen me fuqinë e kufizuar negociuese të punonjësve në aktivitetet prodhuese me marzhe të ulëta.
Studimi mbështetet në të dhënat e anketave të ndërmarrjeve të viteve 2013, 2019 dhe 2025, duke krahasuar kompanitë që operojnë vetëm në tregun vendas, ato që importojnë, ato që eksportojnë dhe bizneset që kryejnë të dyja aktivitetet. Analiza evidenton se përfitimet e integrimit në tregtinë ndërkombëtare janë të ndryshme ndërmjet industrisë përpunuese dhe shërbimeve.
Në shërbime, kompanitë që vetëm eksportojnë regjistrojnë një avantazh prej 74% në pagën mesatare krahasuar me bizneset e orientuara vetëm drejt tregut vendas, megjithëse nuk shfaqin një avantazh statistikisht domethënës në produktivitetin mesatar të matur në analizë. Autorët e lidhin këtë diferencë me mungesën e aftësive të specializuara, veçanërisht në shërbimet digjitale dhe aktivitetet që kërkojnë njohuri gjuhësore.
Në rekomandimet për Shqipërinë, Banka Botërore propozon forcimin e negociatave kolektive sektoriale, veçanërisht në industrinë tekstile, të veshjeve dhe këpucëve, për të ngushtuar hendekun mes produktivitetit dhe pagave. Studimi rekomandon mbështetjen e sindikatave për negocimin e pagave minimale sektoriale mbi nivelin e përcaktuar me ligj, duke iu referuar edhe standardeve të Direktivës së Bashkimit Europian për Pagat Minimale të Përshtatshme.
Për sektorin e shërbimeve, raporti propozon zgjerimin e programeve të formimit profesional, për të rritur ofertën e punonjësve me aftësi digjitale dhe gjuhësore./Monitor Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

