Foto Ilustruese / Protestat kundër projekteve luksoze në Sazan dhe Nartë janë shndërruar në një revoltë shumë më të gjerë. Pyetja që qëndron pas tyre është nëse rregullat vlejnë njësoj për të gjithë apo nëse paraja dhe lidhjet me pushtetin mund t’i ndryshojnë ato... Ka diçka vërtet të pazakontë te fakti që një nga kundërshtimet më të forta ndaj politikës së stilit Trump nuk po vjen nga Nju Jorku, Londra, Parisi apo Berlini, por nga Shqipëria.
Gazetari Lewis Goodall e ka ndjekur nga afër atë që është pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”, dhe në thelb, argumenti i tij qëndron.
Kjo protestë nuk ka nisur për flamingot. As nuk është thjesht një protestë kundër Jared Kushnerit apo Ivanka Trump. Në lojë është diçka shumë më e madhe. Kush e zotëron një vend? Kush vendos rregullat? Dhe mbi të gjitha, a janë institucionet aq të forta sa t’u thonë “jo” njerëzve me shumë para dhe me lidhje të forta politike?
Për Shqipërinë këto nuk janë pyetje teorike. Historia e saj e afërt, i ka bërë këto çështje veçanërisht të ndjeshme. Në qendër të debatit janë projektet turistike luksoze të lidhura me Jared Kushnerin dhe Ivanka Trump në Sazan dhe në zonën e Nartës.
Por Sazani, ka një peshë simbolike që shkon përtej një projekti të vetëm turistik. Gjatë komunizmit, ishulli ishte një bazë ushtarake e fortifikuar dhe praktikisht i mbyllur për shqiptarët e zakonshëm.
Ushtarë, tunele dhe bunkerë e bënin Sazanin një hapësirë të kontrolluar nga shteti dhe të paarritshme për pjesën tjetër të shoqërisë. Pas rënies së komunizmit, shqiptarët nisën të ktheheshin në vende që për dekada kishin qenë të ndaluara.
Për këtë arsye, një shprehje e përdorur nga Ivanka Trump për Sazanin si një “ishull privat” nuk kaloi thjesht si një gafë gjuhësore. Sazani nuk është pronë private. Është pasuri e Shqipërisë.
Për njerëzit që e kanë jetuar diktaturën, ose për familjet që e kanë kaluar atë periudhë, çështja e pronës dhe e qasjes te toka ka gjithmonë një peshë të veçantë. Nën komunizëm, shteti vendoste gjithçka. Vendoste kush mund të hynte diku, kush mund të zotëronte një pronë, kush mund të punonte dhe kush përfitonte.
Pas vitit 1991 nisi një tjetër betejë, ajo për kthimin e pronave dhe zgjidhjen e konflikteve të krijuara nga konfiskimet e periudhës komuniste. Shumë prej këtyre problemeve nuk janë zgjidhur plotësisht as sot.
Kjo është arsyeja pse debati për Sazanin nuk mund të shihet vetëm si një konflikt mes ambientalistëve dhe ndërtuesve. Në sfond është frika se pasuria publike mund të bëhet sërish diçka ku qytetari i zakonshëm nuk ka vend.
Në komunizëm përjashtimi bëhej me ushtarë, gardhe dhe bunkerë. Sot mund të bëhet me roje private, porta të mbyllura, plazhe private dhe hotele që kushtojnë qindra apo mijëra euro nata. Koha ka ndryshuar. Edhe sistemi ka ndryshuar.
Por ndjesia e të qenit i përjashtuar nga diçka që duhet të jetë e përbashkët, mund të jetë po aq e fortë. Në Nartë kjo histori merr një tjetër përmasë. Nuk bëhet fjalë për një tokë të zakonshme që pret të shfrytëzohet, por për një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit, me laguna, duna, ligatina, pyje dhe një pasuri të madhe të faunës.
Në këtë ekosistem jetojnë qindra lloje shpendësh dhe kafshësh. Flamingot janë bërë simboli më i dukshëm i kësaj beteje, por nuk janë të vetmit. Zona është habitat edhe për pelikanët dalmatë, breshkat e detit dhe fokën mesdhetare, një specie e rrezikuar.
Pelikanët dalmatë, madje, janë përshkruar nga Edward Lear që në shekullin XIX. Kjo nuk është thjesht një copë tokë bosh në pritje të betonit. Megjithatë, punimet dhe planet për zhvillimin e zonës janë shoqëruar me kritika nga organizatat mjedisore.
Ato kanë ngritur pikëpyetje për vlerësimet mjedisore, konsultimin publik dhe mënyrën se si po trajtohen zonat e mbrojtura. Edhe ndryshimet ligjore të vitit 2024, i kanë shtuar shqetësimet.
Kritikët argumentojnë se ato kanë krijuar më shumë hapësirë për ndërtime në territore që më parë kishin një mbrojtje më të fortë. Kështu, një protestë që në fillim dukej si një fushatë për mbrojtjen e natyrës, është kthyer gradualisht në një kundërshtim ndaj mënyrës se si funksionon pushteti në Shqipëri.
Në shënjestër nuk është më vetëm Edi Rama. Protestuesit dhe aktivistët kanë filluar ta shohin problemin si diçka që shkon përtej një qeverie apo një partie. Edhe Sali Berisha, figura tjetër e madhe e politikës shqiptare pas komunizmit, është pjesë e këtij diskutimi.
Në fund, kritika po drejtohet ndaj një sistemi të tërë. Këtu bëhet i rëndësishëm një dallim që shpesh humbet në debatin për Shqipërinë. Të zhvillosh një vend s’do të thotë domosdoshmërisht ta modernizosh atë. Shqipëria ka ndryshuar shumë. Kush e ka parë Tiranën 30 apo 40 vjet më parë dhe e sheh sot, nuk ka nevojë për statistika për ta kuptuar këtë. Kulla, rrugë, hotele, restorante, aeroporte dhe kantiere ndërtimi kanë ndryshuar pamjen e qyteteve.
Edhe turizmi është rritur me ritme të jashtëzakonshme. Vitin e kaluar, vendi priti më shumë se 12 milionë vizitorë, një shifër që do të ishte e paimagjinueshme disa dekada më parë.
Kjo është padyshim një arritje ekonomike. Por një vend nuk modernizohet vetëm duke ndërtuar.
Modernizimi fillon atëherë kur ndërtohen edhe institucione që mund t’i vendosin kufij pushtetit dhe parasë. Kur një gjykatë mund t’i thotë “jo” një ministri. Kur një institucion mjedisor mund të ndalojë një projekt. Kur një procedurë planifikimi, nuk ndryshon vetëm sepse në lojë janë shumë para.
Kjo do të thotë gjithashtu që parlamenti të kërkojë llogari, gazetarët të bëjnë pyetje të pakëndshme dhe prokurorët të hetojnë edhe njerëzit më të fuqishëm. Dhe mbi të gjitha, do të thotë që ligji të mbetet ligj edhe kur përballë tij ndodhet dikush me miliarda euro.
Këtu çështja shqiptare bëhet edhe një çështje evropiane. Shqipëria kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por Europa nuk është thjesht një treg më i madh, më shumë investime dhe më shumë para. Në themel të projektit europian është një parim shumë më i thjeshtë. Rregullat duhet të jenë mbi njerëzit që qeverisin.
Pikërisht për këtë arsye shqetësimet për zhvillimet në zonat e mbrojtura kanë marrë vëmendje edhe në Bruksel. Komisioni Europian ka shprehur shqetësim për çështjen dhe ka bërë të ditur se ministrja shqiptare e Mjedisit ishte angazhuar për pezullimin e punimeve gjatë kryerjes së vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Edhe Parlamenti Europian ka kërkuar ndryshimin e kuadrit ligjor të vitit 2024, duke e lidhur mbrojtjen e mjedisit me një çështje shumë më të gjerë, atë të shtetit të së drejtës. Kjo e kthen gjithë debatin në një provë për Shqipërinë.
Në njërën anë është modeli europian i institucioneve, rregullave, transparencës, konsultimit publik dhe mbrojtjes së mjedisit. Në anën tjetër është politika e marrëveshjeve personale. Unë të njoh ty, ti sjell paratë dhe unë të hap derën.
Kjo është edhe pika ku historia e Shqipërisë takohet me atë të Donald Trumpit. Trumpizmi nuk është vetëm një mënyrë për të folur për emigracionin, tarifat apo NATO-n. Është edhe një mënyrë për ta parë pushtetin.
Në këtë model, marrëdhënia personale shpesh bëhet më e rëndësishme se institucioni. Politika bëhet personale. Marrëveshjet bëhen transaksione. Rregullat shihen si pengesë dhe institucionet si bezdi. Paraja të afron me pushtetin dhe afërsia me pushtetin hap dyer që për qytetarin e zakonshëm mbeten të mbyllura.
Kjo është veçanërisht problematike në demokracitë e reja, ku institucionet ende nuk janë bërë pjesë e pandashme e kulturës politike. Në rastin shqiptar, një nga pyetjet më të forta që ka dalë nga kjo histori lidhet me shpejtësinë e ndryshimeve ligjore.
Në vitin 2024 u ndryshuan disa klasifikime që lidhen me zonat e mbrojtura, ndërsa më pas kompanitë e lidhura me Kushner morën statusin e investitorit strategjik dhe përfitime që lidhen me këtë status. Edhe pa folur për ndonjë shkelje penale, kjo kronologji mjafton për të ngritur dyshime dhe pyetje.
Qytetari fillon të pyesë veten nëse të njëjtat rregulla do të ishin ndryshuar po të ishte fjala për një investitor të zakonshëm shqiptar. Dhe kjo është një pyetje që demokracitë nuk mund ta injorojnë. Në momentin kur njerëzit besojnë se ka një ligj për qytetarin e zakonshëm dhe një tjetër për njerëzit e lidhur me pushtetin, fillon të shkatërrohet besimi te institucionet.
Këtu hyn në skenë flamingoja. Çdo protestë ka nevojë për një simbol dhe flamingoja është pothuajse i përsosur për këtë rol. Është i çuditshëm, shumëngjyrësh, i lehtë për t’u mbajtur mend dhe, mbi të gjitha, e bën të dukshme një betejë që përndryshe do të ishte shumë teknike.
Por pas flamingos fshihet një mesazh shumë serioz. Shqipëria nuk është në shitje. Kjo s’do të thotë se shqiptarët janë kundër investimeve të huaja. Përkundrazi. Shqipëria ka nevojë për kapital, kompani të reja, turizëm, infrastrukturë, vende pune dhe paga më të mira.
Problemi fillon kur çdo investim trajtohet si progres vetëm sepse sjell para. Një projekt nuk është domosdoshmërisht zhvillim nëse shkatërron natyrën që i tërheq njerëzit drejt atij vendi. Nuk është domosdoshmërisht progres nëse i lë banorët vendas jashtë dhe krijon përshtypjen se njerëzit shumë të pasur mund të marrin gjithmonë një trajtim tjetër. Në atë rast vendi mund të ketë ndërtuar shumë, por nuk do të thotë se është modernizuar.
Dallimi është i madh. Ndoshta pikërisht për këtë arsye protestat shqiptare kanë një rëndësi që shkon përtej Shqipërisë.
Në shumë demokraci të vjetra njerëzit janë lodhur. Shohin një skandal në televizor, zemërohen për një ditë dhe pas pak vjen skandali tjetër. Zemërimi zgjat gjithnjë e më pak. Pastaj kthehet në lodhje dhe lodhja në dorëzim.
Dhe dorëzimi është gjëja më e dobishme për çdo pushtet që dëshiron të veprojë pa u kontrolluar. Shqiptarët duket se, të paktën tani për tani, nuk janë gati të dorëzohen. Për një shoqëri që ka kaluar diktaturën, kolapsin ekonomik, emigracionin masiv dhe një tranzicion të vështirë drejt demokracisë, debati për institucionet nuk është një çështje për libra universiteti. Është diçka shumë konkrete. Është dallimi mes qytetarit dhe klientit politik. Mes pronës publike dhe privilegjit privat. Mes një shteti që funksionon me rregulla dhe një shteti ku gjërat zgjidhen përmes njohjeve.
Kjo është arsyeja pse “Revolucioni i Flamingove” nuk është në të vërtetë një revoltë kundër Donald Trumpit. Dhe nuk është vetëm një fushatë për të mbrojtur flamingot. Pas gjithë kësaj qëndron një pyetje që Shqipëria nuk mund t’i shmanget pas 35 vitesh demokraci.
A do të arrijë vendi të ndërtojë institucione më të forta se njerëzit që kanë pushtetin?
Rrokaqiejt, resortet luksoze apo aeroportet nuk e bëjnë një vend modern. Një vend bëhet i tillë kur ligji mund të mbyllë derën edhe përpara një presidenti, një kryeministri apo një miliarderi.
Kjo është ajo që po kërkojnë protestuesit. Që ajo derë të ekzistojë. Që të mos hapet për shkak të parasë apo lidhjeve. Dhe që, kur ligji thotë “jo”, përgjigjja të jetë vërtet “jo”. Në fund të fundit, debati nuk është vetëm për atë se kush do të ndërtojë në Sazan apo Nartë.
Debati është për diçka shumë më themelore. Kush i vendos rregullat në Shqipëri? Ligji apo pushteti?/Përgatiti Pamfletitim wilson shqipëria përballë pushtetit të parasë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Ergys Agasi bëri korrupsion, po Rama ku ishte? 29 Gusht 2026, 14:5914:59Forum Çfarë fiton Vuçiç nga miti i Mlladiçit? 29 Gusht 2026, 14:1814:18Forum Superkompania e shëndetësisë 29 Gusht 2026, 14:0014:00Forum Intelektualët, e çaluara e kombit 28 Gusht 2026, 19:4419:44Forum Pse vizita e Zelenskyt në Beograd nuk e afron Serbinë me Perëndimin 28 Gusht 2026, 18:5318:53Forum Metamorfoza agresive e burrave shqiptarë dhe gangsterizmi si stil jetese! 28 Gusht 2026, 17:2817:28Forum

