Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka konstatuar se Shqipëria nuk ka siguruar harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për arritjen e Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara për zhdukjen e varfërisë deri në vitin 2030. Raporti, që mbulon periudhën 2022-2024, evidenton mungesën e një Kornize Kombëtare të Indikatorëve, mosmiratimin e Udhërrëfyesit për objektivat dhe lidhje të pamjaftueshme mes strategjive kombëtare dhe politikave konkrete.
Sipas KLSH-së, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional nuk kanë funksionuar siç duhet, ndërsa shumica e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura të dedikuara për monitorimin e objektivave. Auditimi thekson gjithashtu se Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar, i cili duhet të lidhë politikat, planifikimin strategjik dhe buxhetimin me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, është jashtë funksionit. Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës ka pranuar se po punon për rikthimin në funksion të platformës.
Raporti vlerëson se zbatimi i masave kundër varfërisë ka qenë vetëm pjesërisht efektiv, duke theksuar se mbi 40% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, ndërsa sipas INSTAT, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.2% në vitin 2024. KLSH rekomandon ngritjen e strukturave përgjegjëse për monitorimin e objektivave, rikthimin në funksion të sistemit të planifikimit të integruar dhe forcimin e mekanizmave të koordinimit për të përmbushur objektivin e zhdukjes së varfërisë deri në vitin 2030.

