Media franceze Nice-Matin ka sjellë detaje të reja për jetën e Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçarit portugez që u vra më 18 gusht në kompleksin “Principote” në Ksamil, ndërsa ndodhej në Shqipëri për pushime. I riu ishte zhvendosur në Nicë kur ishte vetëm 11 vjeç dhe ishte rritur në këtë qytet, ku njihej me nofkën “Milton”. Për komunitetin lokal, lajmi për vrasjen e tij ishte veçanërisht tronditës.
Mendes ishte i përfshirë në aktivitetet e shoqatës La Semeuse, ku mbështetej nga qendra sociale “La Ruche”. Drejtori i përgjithshëm i shoqatës, Christophe Tassano, e përshkruan të riun si një person të dashur dhe të respektuar, që shpesh përpiqej të qetësonte konfliktet.
“Miltoni i ri ishte shumë i dashur dhe shumë i respektuar në lagje. Ai kishte një rol si ndërmjetës. Gjithmonë përpiqej të qetësonte konfliktet”, ka deklaruar Tassano.
Ajo që e bën edhe më tragjik historinë është fakti se Shqipëria nuk ishte destinacioni fillestar i Mendes dhe miqve të tij. Grupi kishte planifikuar të udhëtonte drejt Spanjës më 26 gusht, në kuadër të programit “Sac à dos”. Për shkak të vonesave në organizimin e udhëtimit, të rinjtë vendosën të udhëtonin me shpenzimet e tyre drejt Shqipërisë, pa hequr dorë nga plani për Spanjën.
Mësuesit e tyre, sipas medias franceze, madje ishin përpjekur t’i bindnin që të mos udhëtonin drejt Shqipërisë.
Pas tragjedisë, shoqatat dhe institucionet lokale në Nicë janë angazhuar për të mbështetur familjen e 20-vjeçarit dhe miqtë që ndodheshin me të në Shqipëri. Ndërkohë, familja e Mendes përballet edhe me vështirësi të tjera, pasi apartamenti i tyre ishte shkatërruar së fundmi nga një zjarr dhe prindërit e të riut janë akomoduar në një hotel.
Për familjen janë hapur edhe llogari për mbledhjen e fondeve, me qëllim përballimin e shpenzimeve të riatdhesimit të trupit dhe procedurave ligjore në Shqipëri. Deri të premten, sipas Nice-Matin, ishin mbledhur më shumë se 6,300 euro.
Ndërkohë, hetimet në Shqipëri vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sokrat Vata, i dyshuar si autori i goditjes fatale me thikë, është lënë në burg, ndërsa dy shtetasit turq, Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu, janë arrestuar pasi dyshohet se tentuan ta largonin Vatën nga vendngjarja duke e fshehur në bagazhin e automjetit.
Tre kamarierë të kompleksit janë lënë në burg për 45 ditë, ndërsa disa prej truprojave dhe punonjësve të tjerë janë lënë në detyrim paraqitjeje.
Në kërkim vijojnë të jenë pronari i “Principote”, Bekim Bulica, dhe punonjësi David Heurtevent, alias Gjana.
Një ngjarje që nisi si një pushim veror për 20-vjeçarin dhe miqtë e tij përfi në tragjedi, duke lënë pas një familje të tronditur dhe një komunitet të tërë në Nicë që po përpiqet të përballojë humbjen e të riut të njohur si “Milton”. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

