Lajme Zone
“Shqipëria nuk do të bëhet kurrë pengesë për RMV në BE”, Rama sqaron deklaratën për bullgarët në Kushtetutë: Askujt s’i jap leksione, jeni kapur pas fjalëve
PolitikëTop Channel

“Shqipëria nuk do të bëhet kurrë pengesë për RMV në BE”, Rama sqaron deklaratën për bullgarët në Kushtetutë: Askujt s’i jap leksione, jeni kapur pas fjalëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit të krijuar në Maqedoninë e Veriut pas deklaratave të tij për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, si një prej kushteve për avancimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit të krijuar në Maqedoninë e Veriut pas deklaratave të tij për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, si një prej kushteve për avancimin e procesit të integrimit europian të vendit. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me homologun maqedonas, Hristijan Mickoski, Rama u pyet nga një gazetar i televizionit Alsat nëse Shqipëria, në rast se anëtarësohet më parë në Bashkimin Europian, do të mbështeste një veto ndaj Maqedonisë së Veriut nëse kjo e fundit nuk përfshin bullgarët në Kushtetutë.

Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se Shqipëria ka qenë vazhdimisht një mbështetëse e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut dhe se nuk do t’i lejonte vetes t’i diktonte qeverisë apo qytetarëve maqedonas se çfarë duhet të bëjnë.

“Unë kam qenë në mënyrë të vijueshme një zë, nganjëherë edhe i lartë në mbështetje të procesit të afrimit dhe të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe asnjëherë nuk do ia lejoja vetes që t’i tregoja qeverisë apo popullit të Maqedonisë së Veriut se çfarë duhet të bëjë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shpjegoi se deklarata e tij ishte bërë në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar i televizionit bullgar, gjatë një interviste në prag të vizitës që pritet të zhvillojë në Bullgari. Sipas Ramës, ai kishte folur për sakrificat që ka bërë Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, përfshirë ndryshimin e emrit, ndërsa Bashkimi Europian, sipas tij, nuk ka përmbushur të gjitha premtimet.

Rama tha se e kupton shqetësimin e palës maqedonase për mundësinë e vendosjes së kushteve të tjera në të ardhmen, pasi të bëhet ndryshimi kushtetues për përfshirjen e pakicës bullgare.

Megjithatë, ai shtoi se, sipas opinionit të tij, vetoja mund të hiqet duke plotësuar këtë kusht, por theksoi se kjo nuk përbën një udhëzim për autoritetet maqedonase.

“Normalisht unë e kam të vështirë të shikoj një rrugë tjetër, por është thjesht opinioni im. Nuk i jap askujt leksione dhe kurrën e kurrës Shqipëria nuk do bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Në fund të përgjigjes, Rama komentoi edhe marrëdhëniet me homologun Hristijan Mickoski, pas pyetjes së gazetarit se si pajtohet miqësia mes dy kryeministrave me deklaratat e Ramës për çështjen bullgare.

Ai tha se mes tyre nuk ka asnjë dallim thelbësor që mund të cenojë raportet, duke theksuar se miqësia është reciproke dhe se të dy janë njerëz që shprehin atë që mendojnë.

“Mes meje dhe kryeministrit Mickoski nuk ka absolutisht asnjë lloj dallimi substancial që e pengon miqësinë tonë. Përkundrazi, miqësia jonë është një miqësi që me kalimin e kohës bëhet shumë e qartë”, përfi Rama. Top Channel