Lajme Zone
Shqipëria e fundit në Europë dhe rajon për shpenzimet në arsim
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Shqipëria e fundit në Europë dhe rajon për shpenzimet në arsim

Shqipëria vijon të mbetet në fund të renditjes europiane dhe rajonale sa u përket shpenzimeve publike për arsimin, duke financuar këtë sektor në nivele dukshëm më të ulëta se vendet e Bashkimit Europian.

Shqipëria vijon të mbetet në fund të renditjes europiane dhe rajonale sa u përket shpenzimeve publike për arsimin, duke financuar këtë sektor në nivele dukshëm më të ulëta se vendet e Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, shpenzimet publike për arsimin në vendin tonë përbënin vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian qëndronte në 4.7%.

Kjo diferencë prej 1.8 pikë përqindjeje tregon se pesha e financimit të arsimit në ekonominë shqiptare është rreth 38% më e ulët se mesatarja europiane. Për të arritur këtë standard të BE-së, Shqipërisë do t’i duhej ta rriste financimin e arsimit me rreth 60% në raport me madhësinë e ekonomisë së saj.

Nëse Shqipëria do të përfshihej në renditjen e 27 vendeve anëtare të bllokut europian, ajo do të zinte vendin e fundit. Brenda BE-së, niveli më i ulët i shpenzimeve u regjistrua në Rumani me 3% të PBB-së, e ndjekur nga Greqia me 3.3% dhe Malta me 3.4%.

Në krahun tjetër, vendet që i kushtojnë vëmendjen dhe financimin më të madh arsimit janë Suedia me 6.8% të PBB-së, Finlanda me 6.3%, Belgjika me 6.2% dhe Danimarka me 6.1%. Krahasuar me Suedinë, pesha e shpenzimeve të Shqipërisë është më pak se gjysma. Në nivel të përgjithshëm të BE-së, financimi publik mbeti i pandryshuar në 4.7% krahasuar me vitin 2022, pse ka pësuar një rënie të lehtë nga niveli rekord prej 5% që u shënua gjatë vitit 2020.

Pozicioni i Shqipërisë mbetet prapa edhe në krahasim me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me 2.9% të PBB-së, vendi është rreth 1 pikë përqindje nën mesataren rajonale prej 3.9%. Të dhënat e OECD-së tregojnë se Kosova udhëheq rajonin duke alokuar 4.7% të PBB-së për arsimin, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 4.4%, Mali i Zi me 4.1%, Maqedonia e Veriut me 3.7% dhe Serbia me 3.3%. Këto statistika mbulojnë financimin publik për të gjitha nivelet arsimore, nga ai parashkollor deri te studimet doktorale, duke përfshirë investimet e drejtpërdrejta në institucione si dhe mbështetjen me bursa e kredi për studentët dhe familjet e tyre.