Aeroporti ndërkombëtar "Vincenzo Bellini" në Katania ka pezulluar të gjitha fluturimet në nisje dhe mbërritje deri më 12 gusht, në orën 11:00, për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm shpërthyes të malit Etna dhe sasisë së madhe të hirit vullkanik në atmosferë. Shoqëria SAC, që administron aeroportin, njoftoi se është zgjatur mbyllja e hapësirës ajrore në sektorin C1 në jugperëndim dhe është mbyllur edhe sektori B3. Pasagjerëve u është kërkuar të verifikojnë statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit. LEXO edhe...Donte të vendoste bombë në një qendër tregtare në Veneto, Italia dëbon 22 vjeçarin shqiptar, ishte radikalizuar online Situata ka shkaktuar probleme të mëdha në lëvizjen e pasagjerëve. Dhjetëra fluturime janë anuluar ose janë devijuar drejt aeroporteve të tjera, ndërsa shumë udhëtarë janë përballur me pritje të gjata, ndryshime të vazhdueshme të orareve dhe protesta si në aeroport, ashtu edhe në rrjetet sociale. Prej disa ditësh Etna po prodhon një re të dendur hiri që është përhapur mbi shumë zona përreth vullkanit. Fillimisht ajo u drejtua nga jugu dhe jugperëndimi, ndërsa më pas arriti edhe mbi qytetin e Katanias dhe pistat e aeroportit. Hiri ka mbuluar rrugë, kodra dhe plazhe në disa komuna, mes tyre Belpasso, Adrano, Ragalna dhe Paternò. Autoritetet theksojnë se hiri vullkanik krijon vështirësi edhe për transportin rrugor, ndërsa bashkitë dhe banorët duhet të përballojnë kostot e pastrimit të rrugëve, ndërtesave, çative dhe oborreve. Vëmendja kryesore mbetet te aeroporti i Katanias, një nga më të ngarkuarit në Itali dhe aeroporti me trafikun më të madh të pasagjerëve në jug të vendit. Aeroporti i Comisos vijon të funksionojë, por ka kapacitet më të vogël. Një pjesë e fluturimeve është devijuar drejt Palermos, gjë që ka krijuar vështirësi shtesë për pasagjerët që duhet të përshkojnë Sicilinë. Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) në Katania bëri të ditur se aktiviteti shpërthyes në kraterin Voragine vijon me intensitet të lartë. Niveli i alarmit për aviacionin, VONA, mbetet në nivelin maksimal, RED. Përveç shpërthimeve të forta dhe fontanave të lavës, vullkani vazhdon të lëshojë sasi të mëdha hiri që po ndikojnë drejtpërdrejt në trafikun ajror. Sipas INGV-së, fronti më i avancuar i rrjedhës së lavës ka zbritur në lartësinë 1,370 metra mbi nivelin e detit. Aktualisht nuk konsiderohet rrezik për zonat e banuara, pasi lava po rrjedh brenda luginës Valle del Bove, e cila mund të përballojë flukse të mëdha magme. Ndërkohë, shpërthimi i Etnës ka tërhequr edhe shumë vizitorë. Turistë të shumtë po shkojnë për të parë nga afër aktivitetin e vullkanit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje të respektojnë rregullat e sigurisë dhe të mos afrohen në zonat e rrezikshme. U.D/ReportTv.al vullkani etna Katania itali Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 44% Jo 48.6% I/e dyzuar 7.5% Vota total: 2440 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?

