Lajme Zone
Vrau personin që tentoi ta përdhunonte, Irani shpall fajtore 23-vjeçaren dhe e ekzekuton në burg
BotëTop Channel

Vrau personin që tentoi ta përdhunonte, Irani shpall fajtore 23-vjeçaren dhe e ekzekuton në burg

Irani ka ekzekutuar 23-vjeçaren Marzieh Nieri në burgun qendror të Qazvinit, pasi gjykata rrëzoi pretendimin e saj se kishte vepruar në vetëmbrojtje gjatë një tentative sulmi seksual.

Irani ka ekzekutuar 23-vjeçaren Marzieh Nieri në burgun qendror të Qazvinit, pasi gjykata rrëzoi pretendimin e saj se kishte vepruar në vetëmbrojtje gjatë një tentative sulmi seksual. Sipas organizatës Iran Human Rights, me ekzekutimin e saj, numri i grave të ekzekutuara në Iran që nga fillimi i vitit 2026 ka arritur në të paktën 14.

Nieri u ekzekutua në orët e para të së shtunës. Sipas Iran Human Rights, ajo ishte detyruar të martohej në moshën 17-vjeçare, nën presionin e familjes.

Ngjarja që çoi në dënimin e saj me vdekje kishte ndodhur në tetor të vitit 2021, kur Nieri ishte 18 vjeçe.

Gjatë procesit gjyqësor, e reja deklaroi se një prej partnerëve të biznesit të bashkëshortit të saj kishte tentuar ta sulmonte seksualisht pasi ishte dehur. Sipas versionit të saj, ajo e kishte plagosur me një thikë kuzhine në përpjekje për t’u mbrojtur. Gjatë përleshjes mbeti i vrarë edhe bashkëshorti i saj.

Katër ditë pas ngjarjes, Nieri u dorëzua në polici pasi kishte shkuar në shtëpinë e vëllait të saj.

Gjykata nuk e pranoi pretendimin për vetëmbrojtje dhe, pas kërkesës së familjeve të viktimave për zbatimin e parimit “qisas”, e dënoi me vdekje.

Rasti i Nierit vjen në një kohë kur organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë rritje të ekzekutimeve të grave në Iran.

Sipas të dhënave të cituara në raportime, të paktën 61 gra u ekzekutuan në Iran gjatë vitit 2025, shifra më e lartë në 25 vite.

Një prej akuzave më të zakonshme ndaj grave të dënuara me vdekje është vrasja e bashkëshortit ose partnerit. Organizatat e të drejtave të njeriut argumentojnë se në një pjesë të këtyre rasteve gratë kanë pasur histori dhune në familje, ndërsa martesat në moshë të re, varësia ekonomike dhe vështirësitë për t’u divorcuar i kanë lënë ato me mundësi të kufizuara për t’u larguar nga marrëdhëniet abuzive.

Qisas është një parim i së drejtës penale iraniane, i mbështetur në jurisprudencën islame, sipas të cilit familja e viktimës mund të kërkojë ekzekutimin e personit të dënuar për vrasje ose të pranojë kompensim financiar, i njohur si “diyah”, në vend të dënimit me vdekje.

Në rastet e tilla, ekzekutimi mund të kryhet vetëm pas miratimit të familjarëve të viktimës, sipas kuadrit ligjor iranian.

Në të njëjtën ditë, drejtësia në provincën Mazandaran njoftoi se Kolthoum Akbari ishte dënuar me 10 dënime me vdekje për vrasjen e 10 personave.

Çështja ndaj saj nisi në shtator 2023, pas vdekjes së dyshimtë të një 82-vjeçari në Mahmoudabad, i cili kishte hyrë në një martesë të përkohshme me Akbarin disa muaj përpara vdekjes.

Raportimi i familjes së tij në polici çoi në një hetim më të gjerë, gjatë të cilit autoritetet zbuluan raste të tjera. Pas arrestimit, Akbari pranoi se kishte vrarë disa burra të moshuar, shumica e të cilëve kishin qenë gjithashtu bashkëshortë të saj në martesa të përkohshme.

Në rastin e një viktime të 11-të, familja nuk kërkoi dënimin me vdekje dhe pranoi kompensimin financiar. Autoritetet dyshojnë se numri i viktimave të Akbarit mund të jetë edhe më i madh.

Irani mbetet një nga vendet ku dënimi me vdekje zbatohet në shkallë të gjerë. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, gjatë vitit 2025 në vend u kryen të paktën 1,639 ekzekutime, numri më i lartë vjetor i regjistruar që nga viti 1989.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur gjithashtu shqetësim për rritjen e ekzekutimeve në Iran gjatë vitit 2026. Më 5 gusht, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se të paktën 56 persona ishin ekzekutuar që nga 19 marsi për akuza të lidhura me sigurinë kombëtare, ndërsa bëri thirrje për ndalimin e ekzekutimeve. Top Channel