Lajme Zone
Shpërndarja e videove me të mitur, mbrojtësi i Realit të Madridit del para gjyqit. E pësojnë dhe tre ish-lojtarë të akademisë
SportTop Channel

Shpërndarja e videove me të mitur, mbrojtësi i Realit të Madridit del para gjyqit. E pësojnë dhe tre ish-lojtarë të akademisë

Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Asencio, pritet të dalë në gjyq në muajin shtator për një çështje që lidhet me pretendimin për shpërndarjen e një videoje intime ku përfshihet një person i mitur.

Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Asencio, pritet të dalë në gjyq në muajin shtator për një çështje që lidhet me pretendimin për shpërndarjen e një videoje intime ku përfshihet një person i mitur. Futbollisti 23-vjeçar përballet me dy akuza, ndërsa në të njëjtin proces gjyqësor do të përballen edhe tre ish-shokë të tij nga akademia e Real Madridit: Ferran Ruiz, Juan Rodriguez dhe Andres Garcia.

Sipas akuzës, Asencio dyshohet se ka shpërndarë një video intime pa pëlqim, ndërsa pretendohet gjithashtu se ai ka kërkuar t’i dërgohej materiali dhe më pas ia ka treguar një personi tjetër.

Dy personat e përfshirë si viktima kanë tërhequr ankesat ndaj futbollistit, por gjykata ka vendosur se ky qëndrim duhet të konfirmohet sërish gjatë procesit gjyqësor që të ketë fuqi ligjore.

Ndërkohë, tre ish-lojtarët e akademisë, Ruiz, Rodriguez dhe Garcia, akuzohen për regjistrimin dhe shpërndarjen e videove intime që përfshijnë një të mitur dhe një grua tjetër. Asencio nuk akuzohet për regjistrimin e materialeve, por vetëm për veprimet e lidhura me shpërndarjen e tyre.

Avokatët mbrojtës kishin kërkuar që provat e marra nga telefonat e të pandehurve të hiqeshin nga dosja, por gjyqtari e refuzoi kërkesën, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të penguar hetimin.

Tre ish-lojtarët e akademisë u arrestuan në shtator të vitit 2023, ndërsa Asencio fillimisht u mor në pyetje nga policia dhe më pas u përfshi zyrtarisht në hetim.

Në maj të vitit 2025, Asencio publikoi një deklaratë ku mohoi fuqishëm akuzat ndaj tij.

“Nuk kam marrë pjesë në asnjë sjellje që shkel lirinë seksuale të ndonjë gruaje, aq më pak të të miturve”, deklaroi lojtari.

Mbrojtësi spanjoll theksoi se prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet dhe se do të vazhdojë të mbrojë pafajësinë e tij përpara gjykatës.

Çështja nisi pas një denoncimi të bërë nga nëna e një vajze 16-vjeçare në Ishujt Kanarie. Sipas denoncimit, aktiviteti seksual kishte qenë me pëlqim, por regjistrimi dhe shpërndarja e videos nuk kishte qenë i autorizuar.

Pavarësisht hetimit, Asencio u kthye në një lojtar të rëndësishëm për ekipin e parë të Real Madridit. Ai debutoi me skuadrën e parë në nëntor 2024 dhe deri tani ka zhvilluar rreth 80 paraqitje me klubin madrilen. Top Channel