Trabzonspor ka bërë lëvizjen e parë zyrtare për të siguruar shërbimet e Salah, duke synuar të përmbysë garën për transferimin e tij dhe t’i rrëmbejë lojtarin rivalit të Superligës turke, Beşiktaş. Sipas gazetarit të merkatos Yağız Sabuncuoğlu, drejtuesit e Trabzonspor kanë kontaktuar me përfaqësuesit e lojtarit dhe kanë paraqitur një ofertë prej 17 milionë eurosh për një kontratë dyvjeçare.
Klubi turk po përpiqet të ndërhyjë në marrëveshjen që Beşiktaş po kërkon të mbyllë, duke e kthyer transferimin në një garë mes dy skuadrave të mëdha të kampionatit turk.
Trabzonspor, skuadra ku aktivizohet edhe futbollisti shqiptar Ernest Muçi, kërkon të përforcojë repartin ofensiv me afrimin e Salah dhe tashmë ka hedhur hapin e parë konkret në negociata.
Të ardhmen e lojtarit pritet ta përcaktojnë bisedimet e ditëve në vijim, ndërsa Trabzonspor shpreson të mbyllë marrëveshjen dhe të fitojë duelin me Beşiktaşin. Top Channel

