Disa herë gjatë kësaj vere në Angli temperaturat kanë shkuar mbi 35 gradë, dhe imagjinoni për një moment vapën dhe nxehtësinë e padurueshme në shtëpi kur nuk ke kondicioner, ç’ka është thuajse normale në Evropën jugore e pak më sipër. Thatësira e këtij viti dhe mungesa e reshjeve në Angli dhe Uells është më e gjata dhe më e tejskajshme, duke thyer rekordin në 190 vitet e fundit, që kur filluan të regjistrohen të dhënat meteorologjike në ishull. Britania duket se është drejt korrikut të tretë më të thatë dhe verës më të thatë në shkallë kombëtare që nga viti 1868.
Sipas Met Office, institucionit të meteorologjisë britanike, në Angli gjatë korrikut ranë vetëm 5.5 milimetra shi deri më 30 korrik, ç’ka është sa gjysma e rekordit të mëparshëm prej 13 milimetrash në vitin 1911.
Zyrtarisht, mbi më shumë se gjysma e territorit të Anglisë është shpallur gjendje thatësire, dhe hapësirat dhe parqet plot gjelbërim në ishull, gjatë vitit, tashmë i ngjajnë fushave të sapokorrura me grurë dhe në ngjyrë të verdhë. Në mbarë Britaninë kanë filluar kufizimet për përdorimin e ujit për ujitje në ambientet familjare, për shkak të mungesës së rënies së reshjeve, ç’ka ka prekur rreth 20 milionë banorë nga kjo thatësirë dhe temperaturat e larta.
Anglia është drejt numrit rekord të vdekjeve të lidhura me thatësirën dhe temperaturat e larta, ku vlerësohet se mbi 2800 vdekje kanë ndodhur për shkak të motit mjaft të nxehtë, në periudhën maj-qershor, kur pati valë të forta të nxehti në ishull, ç’ka përbën dyfishin e shifrës së vdekjeve të gjithë vitit të kaluar. Në Britani këtë vit janë regjistruar 7 ditë me temperatura mbi 35 gradë deri më tani, duke thyer rekordin e 5 ditëve në vitin 1976 dhe barazuar rekordin e vitit 2020, vetëm për dy muaj.
Kjo thatësirë e tejzgjatur ndodh në një vend i cili historikisht nuk është i përgatitur masivisht nëpër shtëpi për sisteme të ajrimit të kondicionuar, të cilat janë të rralla në shtëpitë dhe familjet britanike. Akoma më e rëndë bëhet gjendja në transportin publik, në metro dhe linjat e autobusëve, që i përngjajnë serrave të mbyllura të kultivimit të perimeve dhe frutave gjatë verës, kudo nëpër Mesdhe. Top Channel

