Shkup, 12 gusht 1912 / Në vend të një ushtrie kombëtare shqiptare të mirëfilltë, e cila do të gjendej e mobilizuar në kufijtë e Vilajetit të Kosovës nëse në Shkup do të ishte shpallur shtetësia, mbrojtja e trojeve iu dorëzua taktikave të gabuara të gjeneralëve osmanë. Shkupi, që në gusht dëshmonte triumfin shqiptar, në tetor u kthye në shënjestrën e pare të pushtimit serb. Shkupi mbetet shansi më i madh i humbur i shekullit të kaluar, një mësim historik se si paqartësia politike e udhëheqjes mund t'i kthejë fitoret e fushëbetejës në tragjedi kombëtare... Hyrja triumfale e trupave kryengritëse shqiptare në Shkup më 12 gusht 1912, shënoi kulmin e një ekuacioni të ndërlikuar gjeopolitik ku kryqëzoheshin interesat e Portës së Lartë, aspiratat kombëtare-shqiptare dhe llogaritjet e ftohta të Fuqive të Mëdha. Shkupi, ky stacion strategjik kontinental, nyja kryesore administrative e Vilajetit të Kosovës, ofroi rrethanat ideale historike për krijimin e shtetit të bashkuar shqiptar në kufijtë e tij natyralë. Mbi tridhjetë mijë armë të ngritura në Shkup diktuan kapitullimin e përkohshëm të Portës së Lartë. Ky moment, në vend që të shndërrohej në aktin e themelimit të shtetësisë, shënoi fillimin e një rrëshqitjeje tragjike drejt zhbërjes territoriale. Ndërprerja e hovit luftarak përballë premtimeve të Stambollit mbetet një nga enigmat dhe gabimet më të rënda të elitës politike të kohës.
Marrëveshja e Shkupit, e njohur përmes programit prej "14 pikave" të Hasan Prishtinës, zëvendësoi projektin e pavarësisë me një autonomi të paqartë administrative e kulturore. Ky akord parashikonte arsimimin në gjuhën amtare, emërimin e zyrtarëve lokalë dhe shërbimin ushtarak brenda kufijve të vilajeteve shqiptare, mirëpo ruante paprekur sovranitetin e sulltanit. Liderët e lëvizjes ranë në kurthin e premtimeve formale të gjeneralit osman Ibrahim Pasha. Ky vendim e la kryengritjen pa kurorëzim politik. Urdhri për çarmatimin e menjëhershëm dhe shpërndarjen e luftëtarëve shqiptarë përbënte gabimin taktik të pakthyeshëm. Ky veprim e zhveshi hapësirën gjeografike shqiptare nga çdo mbrojtje e organizuar saktësisht në prag të Luftës së Parë Ballkanike.
Dobësia kryesore e kësaj lëvizjeje buronte nga mungesa e unitetit ideologjik brenda strukturës udhëheqëse. Krahu vizionar i prirë nga Hasan Prishtina, i cili synonte shpëtimin e trojeve përmes një statusi të veçantë juridik, u kushtëzua nga krerët konservatorë e feudalë si Riza Bej Gjakova. Këta të fundit e shihnin kryengritjen vetëm si një mjet për rrëzimin e kabinetit xhonturk dhe rikthimin e privilegjeve të vjetra të Sulltanit. Ky dualizëm konceptual mes reformës kombëtare dhe besnikërisë ndaj kalifatit minoi mundësinë e shpalljes së shtetit në Shkup. Gabimi strategjik u thellua nga paaftësia e elitës për të lexuar hartën e re gjeopolitike të Ballkanit. Aleanca e shteteve fqinje ishte në fazën përfundimtare të mobilizimit për copëtimin e Perandorisë Osmane, rrjedhimisht edhe të tokave shqiptare.
Kjo thyerje e brendshme u shfrytëzua dhe u thellua në mënyrë agresive nga operacionet e inteligjencës ushtarake të Serbisë. Beogradi zyrtar e shihte rrezikun e një Shqipërie autonome me qendër Shkupin si një pengesë ekzistenciale për planet e veta ekspansioniste. Për të parandaluar këtë skenar, rrjetet sekrete serbe, të udhëhequra nga struktura radikale si "Dora e Zezë" nën drejtimin e Dragutin Dimitrijeviq-Apisit, ndërmorën një fushatë të mirëfilltë të luftës speciale psikologjike, duke shfrytëzuar me saktësi ndasitë fetare dhe sociale brenda bllokut shqiptar.
Strategjia serbe e nxitjes së përçarjes u mbështet në tre mekanizma kryesorë operativë: shfrytëzimi i kartës së besnikërisë ndaj Kalifatit, infiltrimi përmes agjentëve të dyfishtë dhe manipulimi i frikës ndaj elementit të krishterë. Agjentët e inteligjencës serbe, të infiltruar ose të lidhur me krerët konservatorë, ushqyen narrativën se projekti modernizues i Hasan Prishtinës rrezikonte ta ndante Kosovën nga trupi i Perandorisë Islame, duke bindur masat e luftëtarëve se mjaftonte thjesht rikthimi i sheriatit. Njëkohësisht, rrjeti i konsullatave serbe në Prishtinë dhe Shkup funksionoi për korruptimin e elementeve të elitës feudale që i frikësoheshin humbjes së privilegjeve të vjetra nga një administratë e re shqiptare. Në rajonet e përziera, agjentët përhapën dështimin e qëllimshëm të mosbesimit ndërfetar për të penguar bashkimin e plotë të forcave përpara marshimit në Shkup. Ky diversion i suksesshëm bëri që krahu konservator, i kënaqur me premtimet e Portës së Lartë, të deklaronte përfundimin e luftës dhe të braktiste projektin shtetformues.
Diplomacia e Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare udhëhiqej gjithashtu nga një parim pragmatik: pengimi me çdo kusht i daljes së Serbisë në detin Adriatik dhe bllokimi i ekspansionit sllav në Ballkan. Siç vëren historiani i njohur britanik Noel Malcolm në studimet e tij mbi Ballkanin, Vjena zyrtare e shihte elementin shqiptar si një barrierë jetike natyrore kundër zgjerimit rus përmes satelitëve të saj ballkanikë. Ky interes strategjik nuk nënkuptonte mbështetjen e menjëhershme për një Shqipëri të pavarur. Përkundrazi, Ministria e Jashtme austro-hungareze (Ballplatz) synonte ruajtjen e tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane, duke insistuar vetëm në reforma administrative ose në një autonomi të kontrolluar brenda kësaj perandorie.
Hasan Prishtina, i ndodhur në kontakte të vazhdueshme me konsujt austro-hungarezë, u ndikua thellësisht nga ky qëndrim. Konsullata e Vjenës në Shkup i transmetonte liderit shqiptar mesazhe të qarta: Fuqitë e Mëdha refuzonin njohjen e një shpalljeje të njëanshme të pavarësisë. Çdo hap radikal do të shërbente si pretekst që shtetet fqinje të fillonin menjëherë copëtimin e vilajeteve. Ky presion diplomatik krijoi te Hasan Prishtina bindjen se autonomia përmes "14 pikave" përfaqësonte të vetmin solucion të ndërmjetëm të sigurt. Ai besonte se ky akord do t'u jepte shqiptarëve kohë për t'u konsoliduar përpara se perandoria të shembej plotësisht, një kalkulim që doli të ishte fatalisht i gabuar për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizi Aleanca Ballkanike.
Në qendër të këtyre zhvillimeve në terren ndodhej konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, raportet sekrete të të cilit drejtuar Ministrit të Jashtëm në Vjenë, Leopold Berchtold, zbardhin prapaskenat e bisedimeve dhe natyrën e vërtetë të elitës udhëheqëse shqiptare. Këto kabllograme konfidenciale ofrojnë një vështrim të ftohtë mbi ditët e gushtit 1912. Në raportet e tij, Heimroth raportonte me saktësi se ushtria prej mbi tridhjetë mijë vetash nuk bindej nga një komandë e vetme. Ai përshkruante se si Hasan Prishtina bënte përpjekje titanike për të mbajtur disiplinën, ndërsa krerët e tjerë tradicionalë tregonin interes vetëm për përfitime lokale ose për rrëzimin formal të xhonturqve. Heimroth zbulon se në takimet private me Hasan Prishtinën kishte përdorur të gjithë autoritetin e Vjenës për ta bindur atë që të mos shpallte pavarësinë, duke i bërë të qartë liderit shqiptar që Austro-Hungaria do të tërhiqte çdo lloj mbështetjeje nëse tejkalohej vija e kuqe e autonomisë. Në letrat e tij të fundit të gushtit, pasi shqiptarët pranuan "14 pikat" dhe filluan të ktheheshin nëpër shtëpi, Heimroth shprehte shqetësimin e thellë se çarmatimi i parakohshëm ishte një çmenduri taktike, duke parashikuar se Shkupi po mbetej i zbrazët nga forcat mbrojtëse, çka do të krijonte një terren ideal që ushtria serbe të marshonte pa asnjë rezistencë serioze.
Ky vlerësim përputhej me shqetësimet në skajin tjetër të kontinentit, pasi hyrja e forcave shqiptare në Shkup provokoi një alarm të menjëhershëm edhe në Shën Petersburg. Ministria e Jashtme ruse, nën drejtimin e Sergei Sazonov, e konsideroi kontrollin shqiptar mbi Shkupin si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj interesave strategjike ruse dhe aleatëve të saj sllavë, veçanërisht Serbisë. Për Shën Petersburgun, Vilajeti i Kosovës përbënte zonën kryesore të ekspansionit serb drejt jugut. Krijimi i një njësie autonome ose shtetërore shqiptare met qendër Shkupin do të bllokonte përgjithmonë daljen e Serbisë në Adriatik dhe do të minonte projektin e pansllavizmit në rajon.
Rusia Cariste reagoi përmes dy linjave të ashpra diplomatike, duke ushtruar presion mbi Portën e Lartë që të mos lëshonte pe ndaj kërkesave të Hasan Prishtinës, dhe duke aktivizuar Aleancën Ballkanike. Suksesi ushtarak shqiptar në Shkup shërbeu si katalizator që Rusia të përshpejtonte marrëveshjet sekrete ushtarake mes Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Shën Petersburgu i dha dritën e gjelbër Beogradit për mobilizim të shpejtë, duke e bindur elitën serbe se vonesat e mëtutjeshme do të legjitimonin praninë shtetërore shqiptare në Shkup. Frika ruse nga një Shqipëri e Madhe kontinentale e detyroi diplomacinë cariste të financonte dhe të mbështeste përgatitjet e ushtrisë serbe për pushtimin e Kosovës dhe Shkupit, duke shfrytëzuar saktësisht vakuum ushtarak që la pas shpërndarja e kryengritësve.
Beteja e Kumanovës, e zhvilluar më 23-24 tetor 1912, shpërfaqi pasojat e drejtpërdrejta të çarmatimit të gushtit. Ushtria e Tretë Osmane, e dislokuar në këtë rajon nën komandën e Zeki Pashës, ishte e demoralizuar dhe e keqorganizuar. Gabimi strategjik i krerëve shqiptarë, të cilët i besuan marrëveshjes për autonomi dhe lejuan shpërndarjen e mbi tridhjetë mijë luftëtarëve me eksperiencë, e privoi këtë front nga forca kryesore goditëse dhe mbrojtëse. Në vend të një ushtrie kombëtare shqiptare të mirëfilltë, e cila do të gjendej e mobilizuar në kufijtë e Vilajetit të Kosovës nëse në Shkup do të ishte shpallur shtetësia, mbrojtja e trojeve iu dorëzua taktikave të gabuara të gjeneralëve osmanë. Kur Armata e Parë Serbe filloi sulmin, elementët vullnetarë shqiptarë që nxituan të riorganizoheshin nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe Isa Boletinit u gjendën përballë një superioriteti dërrmues në artileri dhe logjistikë për shkak të mungesës së armatimit të rëndë, thyerjes së koordinimit me komandën osmane dhe kolapsit të moralit strategjik pas shpërndarjes së gushtit. Pas thyerjes së frontit në Kumanovë, ushtria serbe hyri në Shkup më 26 tetor 1912 pa hasur në asnjë rezistencë të organizuar urbane. Qyteti që në gusht dëshmonte triumfin shqiptar, në tetor u kthye në shënjestrën e pare të pushtimit serb.
Pse Shkupi mund të konsiderohet shansi i humbur i historisë sonë kombëtare dhe cilat ishin pëprarësitë ndaj Vlorës? Shkupi përfaqësonte një status gjeografik kontinental, qendror, me një fuqi ushtarake prej mbi tridhjetë mijë kryengritësish të armatosur në kulmin e moralit dhe kontroll mbi katër vilajetet. Vlora përfaqësonte një qendër bregdetare, periferike, me mungesë të forcave të rregullta ushtarake dhe kontroll të kufizuar pothuajse vetëm brenda perimetrit të qytetit. Nga pikëpamja e teorisë së shtetformimit, Shkupi ofronte substancën territoriale dhe ushtarake. Shpallja e pavarësisë në gusht nga pozita e forcës do të detyronte faktorin ndërkombëtar të llogariste një shtet shqiptar me shtrirje të plotë. Vlora, siç vëren historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, ishte një akt juridik i dëshpëruar në kushtet e një vakuumi total të pushtetit. Ismail Qemali shpalli pavarësinë në një qytet që përfaqësonte të vetmen hapësirë të papushtuar ende nga ushtritë ballkanike. Pavarësia e Vlorës mbeti teorike në fazën fillestare, sepse asaj i mungonte ushtria e madhe që Shkupi e kishte pasur dhe e kishte shpërndarë gabimisht një muaj më parë.
Historiografia zyrtare shqiptare përgjatë dekadave ka ushqyer një qasje selektive ndaj ngjarjeve të gushtit 1912. Përqendrimi pothuajse ekskluziv te ngritja e flamurit në Vlorë shërbeu si një mekanizëm për të mbuluar dështimin politik të Shkupit. Ky narrativ glorifikues ndërtoi mitin e pagabueshmërisë së udhëheqësve, duke e paraqitur humbjen e Vilajetit të Kosovës si një fatalitet të paracaktuar nga Fuqitë e Mëdha, e jo si pasojë të drejtpërdrejtë të naivitetit tonë taktik. Gjatë regjimit komunist, anashkalimi i rëndësisë së Shkupit si kryeqendër gjeopolitike u diktua nga nevojat e politikës së jashtme, me qëllim që të shmangeshin pretendimet territoriale ndaj Jugosllavisë. Kjo historiografi refuzoi ta analizonte me terma kritikë marrëveshjen e "14 pikave", duke e paraqitur atë si fitore, ndonëse ajo marrëveshje e la kombin të pambrojtur përballë agresionit serbo-malazez.
Rasti i Shkupit dëshmon se si një triumf i pastër ushtarak mund të asgjësohet nga mungesa e guximit shtetformues dhe kompromiset e ngushta diplomatike. Historiografia bashkëkohore e ka për detyrë ta zhveshë këtë ngjarje nga petku i romantizmit patriotik, duke analizuar me ftohtësi përgjegjësinë e krerëve që e shpërbënë ushtrinë fitimtare në emër të premtimeve të një perandorie në rënie. Shkupi mbetet shansi më i madh i humbur i shekullit të kaluar, një mësim historik se si paqartësia politike e udhëheqjes mund t'i kthejë fitoret e fushëbetejës në tragjedi kombëtare./Pamfleti
Shkup, 12 gusht 2026shkupi dështimi politik asgjesimi ushtarak emin azemi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture "Carpe diem"/ Mësimi i Horacit për një jetë më të mirë 9 Gusht 2026, 19:3419:34Kulture Driloni “magnet” për turistët, mbi 24 mijë vizitorë në vetëm 7 muaj 8 Gusht 2026, 11:1011:10Kulture Bota në 'sytë' e Immanuel Kantit 7 Gusht 2026, 20:4220:42Kulture 64 vjet nga vdekja e Marilyn Monroe, mbishkrimi profetik në shtëpinë e saj, dashuritë fatale dhe misteri që vazhdon të mbetet pa përgjigje 5 Gusht 2026, 10:1910:19Kulture Libra edhe në plazh, çfarë zgjedhin shqiptarët të lexojnë gjatë pushimeve? 3 Gusht 2026, 15:2115:21Kulture Nolan rikthen Homerin në modë, “Odise” rrit me 1.400% shitjet e librave të letërsisë antike 3 Gusht 2026, 14:0014:00Kulture

