Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i vrarë gjatë natës në Itali. Ngjarja ndodhi në Baldissero d’Alba. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për shtetasin Gjovalin Lazri, ndërsa dyshohet se viktima ishte pjesë e një grupi prej të paktën pesë personash që kishin shkuar në një kantier ndërtimi me qëllim vjedhjen e materialeve. Grupi dyshohet se kishte hyrë në pronën e një 35-vjeçari, Roberto Mollo, ku ishin grumbulluar materiale ndërtimi, pajisje dhe mjete pune. Mollo, i cili ndodhej i vetëm në vendin e ngjarjes, thuhet se ka dëgjuar zhurma gjatë natës dhe ka marrë armën. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, ai ka qëlluar disa herë në drejtim të personave që ndodheshin jashtë. Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit dyshohet se janë larguar, Lazri është goditur nga të shtënat. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të urgjencës, 36-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Gjovalin Lazri prej vitesh jetonte në Torino, në periferi të qytetit, së bashku me partneren dhe fëmijën e tyre. Sipas avokates së familjes, Roberta Sisimbro, të afërmit e viktimës janë të tronditur nga ngjarja. Lazri kishte precedentë të mëparshëm për vepra penale kundër pasurisë, por avokatja e tij familjare ka deklaruar se ai po përpiqej të rikthehej në një jetë normale dhe punonte rregullisht. Ai administronte një lokal në Corso Taranto në Torino, ku jetonte me familjen. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: itali vrasje

