Lajme Zone
Çmimi i naftës bie në tregjet ndërkombëtare, por në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë
EkonomiBalkanWeb

Çmimi i naftës bie në tregjet ndërkombëtare, por në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë

Çmimet e naftës bruto kanë shënuar rënie për të katërtën ditë radhazi në tregjet ndërkombëtare, ndërsa sinjalet për furnizime më të qëndrueshme kanë zbutur shqetësimet për një ndërprerje të menjëhershme të eksporteve nga Lindja e Mesme.

Çmimet e naftës bruto kanë shënuar rënie për të katërtën ditë radhazi në tregjet ndërkombëtare, ndërsa sinjalet për furnizime më të qëndrueshme kanë zbutur shqetësimet për një ndërprerje të menjëhershme të eksporteve nga Lindja e Mesme. Nafta europiane Brent është tregtuar rreth 101.70 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate, WTI, rreth 98.20 dollarë. Rënia vjen në një kohë kur eksportet e Arabisë Saudite janë rikuperuar në mbi 4 milionë fuçi në ditë gjatë shtatorit, duke ulur presionin mbi tregjet. Edhe zhvillimet gjeopolitike kanë ndikuar në pritshmëritë e investitorëve. Raportet e fundit flasin për përpjekje diplomatike të Kinës ndaj Iranit për frenimin e sulmeve të militantëve Houthi në Detin e Kuq, çka ka shtuar shpresat për një ulje të tensioneve dhe stabilizim të furnizimeve. Megjithatë, tabloja ndërkombëtare kontraston ndjeshëm me atë në Shqipëri. Në tregun vendas, një litër naftë shitet rreth 219 lekë, ose afërsisht 2.40 euro, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit në Europë. Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur çmimi krahasohet me të ardhurat e qytetarëve. Në Shqipëri, një litër naftë përfaqëson rreth 3.56% të të ardhurave ditore për frymë, të llogaritura sipas fuqisë blerëse, niveli më i lartë në Europë.

Në Danimarkë, ku një litër kushton rreth 2.60 euro, pesha ndaj të ardhurave është rreth 1.06%, ndërsa në Norvegji zbret në 0.8%. Mesatarja europiane është rreth 1.36%, ndërsa për vendet e Bashkimit Europian rreth 1.14%.

Edhe në rajon Shqipëria renditet në nivele të larta. Kosova pason me rreth 3.1% të të ardhurave ditore, ndërsa pesha është më e ulët në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Një pjesë e çmimit në pompë lidhet edhe me barrën fiskale. Përveç akcizës dhe TVSH-së, në Shqipëri aplikohet taksa e qarkullimit prej 27 lekësh dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.

Kështu, ndërsa tregjet ndërkombëtare po shohin një lehtësim të çmimeve të naftës pas katër ditësh rënie, konsumatori shqiptar vijon të përballet me një nga kostot më të larta në Europë, si në vlerë absolute, ashtu edhe në raport me të ardhurat.

Dhe pavarësisht se çmimi ka kaluar nivelet e parashikuara, deri tani nuk janë ndërmarrë masa të reja lehtësuese për konsumatorët. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb