Foto ilustruese / Sulmet ndaj Kishës Katolike nuk burojnë nga doktrina fetare, por nga një projekt neotoman që synon të godasë identitetin europian të shqiptarëve dhe të krijojë përçarje mes tyre... Trazira në një fshat të Vushtrrisë, në Kosovë, si pasojë e nismës për të ngritur atje një kishë katolike, nuk përbën aspak një zhvillim lokal apo spontan.
Kjo është një grackë e ngritur posaçërisht për të krijuar një problem, një trazirë gjoja popullore, e cila në realitet nuk ekziston.
Ngritja e një faltoreje në një vend të caktuar, për sa kohë nuk cenon pronën e askujt, nuk ka përse të shkaktojë shqetësim. Sidomos kur bëhet fjalë për një besim dhe një komunitet fetar që është pjesë e përbërjes religjioze kombëtare, siç është katolicizmi.
Në hapësirat shqiptare kanë hyrë ndër vite edhe grupime fetare të ardhura nga larg, të cilat nuk kanë lidhje me traditën tonë. Gjithsesi, liria dhe hapja e shoqërisë kërkojnë tolerancë ndaj besimeve dhe të drejtave të të tjerëve.
Diskutimi, megjithatë, nuk përqendrohet te ky aspekt, por te një fenomen që prej kohësh po kthehet në problem. Fatkeqësisht, shoqëria nuk e ka ngritur sa duhet këtë çështje për ta debatuar dhe kundërshtuar, përpara se ajo të shndërrohet në burim përçarjeje dhe dasish.
Mjafton të ndiqen disa “ligjërata” të hoxhallarëve radikalë në rrjetet sociale, të cilat shfaqen “rastësisht”, për të kuptuar se në thelb të diskursit të tyre qëndron përplasja me fenë katolike, figurat historike të Kishës Katolike Shqiptare dhe prelatët aktualë të saj.
Këto ligjërata zhvillohen në mjediset ku këta klerikë ushtrojnë aktivitetin, përkatësisht në xhami, ose në disa podkaste që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut në hapësirën digjitale shqiptare.
I gjithë ky diskurs prodhohet pa pasur ndonjë ngjarje konkrete që ta nxisë. Nuk ekziston ndonjë debat apo përplasje ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, ndërmjet institucioneve që i përfaqësojnë apo në rrafshin politik.
Në të gjitha mjediset ku qytetarët e të dyja besimeve jetojnë së bashku, nuk ka pasur konflikte fetare. Institucionet përfaqësuese dhe drejtuese të këtyre dy feve ruajnë marrëdhënie të mira.
Klerikët katolikë dhe myslimanë shkëmbejnë vazhdimisht mesazhe respekti në publik, kryesisht gjatë festave, por edhe në ditë të tjera të shënuara.
Ka pasur ndonjë rast kur një i çmendur, refugjat në Irlandë, publikonte video në rrjetet sociale duke sharë myslimanët. Nga sjellja e tij dukej qartë se kishte probleme mendore.
Në vend që ta injoronin, mediat dhe rrjetet pranë islamit politik, të financuara kryesisht nga qarqet neotomane të Erdoganit, e amplifikonin herë pas here. Madje ngrinin përballë tij edhe të çmendur të tjerë, të cilët bënin thirrje për duel deri në vdekje në emër të mbrojtjes së fesë.
Kjo kryqëzatë kundër katolicizmit, e ndërmarrë nga islami politik, nuk lidhet me çështje fetare, doktrinare apo dogmatike.
Po të ishte e tillë, i njëjti sulm do të drejtohej edhe kundër pjesës tjetër të të krishterëve, për shembull ortodoksëve. Ndaj kësaj pjese të klerit nuk ka pasur pothuajse asnjë sulm.
Një nga eksponentët më të njohur të kësaj kategorie, Olsi Jazexhiu, mund të shërbejë si lakmus. Ai sulmon katolikët, ndërsa lavdëron klerikët ortodoksë dhe trashëgiminë e figurave të tyre.
Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, kishat ortodokse kanë zgjeruar praninë e objekteve të kultit. Ato kanë marrë territore më të mëdha dhe po ndërtojnë vazhdimisht kisha, manastire, shkolla dhe universitete fetare.
Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka shtuar objektet e kultit dhe ka siguruar status të posaçëm juridik për një pjesë të pronave dhe monumenteve të saj. Edhe në Maqedoninë e Veriut shtohen vazhdimisht objektet e kultit ortodoks, përfshirë qytetet me popullsi shqiptare. Në Shqipëri, kjo rritje duket edhe më qartë.
Gjatë drejtimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Anastas Janullatosi, ndaj të cilit pati kritika edhe brenda grigjës së besimtarëve për shkak të lidhjeve të tij me Athinën, këto grupe të islamit politik nuk u ndien fare.
E gjithë kjo kryqëzatë nuk përbën një çështje fetare. Ajo ka karakter politik dhe gjeopolitik. Qendrat që e përpunojnë këtë diskurs, i cili buron nga strukturat e shtetit të thellë turk, kanë ndërtuar me kujdes një mënyrë komunikimi që duket e thjeshtë dhe përhapet shpejt.
Ky diskurs prek nervin e dyshimit, inatit dhe zilisë te besimtari i zakonshëm, të cilin algoritmet e rrjeteve sociale e vendosin përballë kësaj propagande.
Synimi është të mbahet gjallë dhe të ushqehet opinioni antiperëndimor, i cili përbën shtyllën e ideologjisë neotomane. Mjafton të hapësh librin kryesor të ideologut të neotomanizmit, Ahmet Davutoglu, sot kundërshtar i Erdoganit.
Në librin “Thellësia Strategjike”, Davutoglu shkruan: “Kufiri i Turqisë nuk mbaron në Stamboll, ai fillon në Detin Adriatik, në Bosnjë, Shqipëri, Serbinë Jugore e deri në Jemen. Aty ku rreh zemra për islamin, rreh edhe zemra për Turqinë. Aty ku nipat tanë osmanë janë gati të mprehin shpatat sa herë që kërcënohet kultura jonë e shenjtë osmane”.
Davutoglu i ka shpjeguar prej dekadash themelet e kësaj ideologjie, e cila tashmë është kthyer në një kryqëzatë konkrete.
Problemi nuk është feja, por ajo që Davutoglu e quan “kultura jonë e shenjtë osmane”. Këtë kulturë e kërcënon identiteti perëndimor dhe europian i shqiptarëve.
Përhapja e krishterimit ortodoks dhe e institucioneve të tij, të cilat në disa raste drejtohen nga qendra shtetërore me interesa kundër shqiptarëve, nuk e shqetëson këtë projekt. Atë e kërcënon kultura europiane, të cilën në këtë hapësirë e përfaqësojnë historikisht edhe institucionet e Kishës Katolike.
Ky është shkaku, politik dhe gjeopolitik. Ai nuk lidhet me Shqipërinë, traditat, interesat apo aspiratat kombëtare të shqiptarëve.
Ky projekt shërben vetëm për të mbajtur gjallë ideologjinë perandorake dhe për t’i nxitur “nipat”, siç i quan Davutoglu, që të mprehin shpatat kundër vëllezërve të tyre./Pamfleti
Ky artikull është material ekskluziv i Pamfleti dhe mbrohet nga e drejta e autorit, në përputhje me Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ripublikimi i plotë ose i pjesshëm i këtij shkrimi nga media të tjera lejohet vetëm duke cituar qartësisht Pamfleti si burim dhe duke vendosur në fund të materialit linkun e artikullit origjinal. Çdo përdorim, kopjim apo ripublikim pa respektuar këto kushte përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe mund të sjellë përgjegjësi ligjore sipas legjislacionit në fuqi.shkaqet e kryqëzatës së islamit politik ndaj katolikëve Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Piktori që retushon skandalet 20 Gusht 2026, 18:0818:08Editorial Këtu e ka marrë ferra uratën 19 Gusht 2026, 19:4119:41Editorial Ky stan, këtë bylmet ka... 18 Gusht 2026, 19:2019:20Editorial Besa e fundit e Edi Ramës 17 Gusht 2026, 14:1214:12Editorial Amerikës i duhet një president që nuk luan në bursë 16 Gusht 2026, 09:4909:49Editorial Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet! 15 Gusht 2026, 10:2010:20Editorial

