Regjimet autoritare po përdorin inteligjencën artificiale për të zgjeruar mbikëqyrjen, censurën dhe kontrollin mbi qytetarët. Kina është në krye të kësaj gare, ndërsa Rusia, Irani, Koreja e Veriut, Turqia dhe Bjellorusia po përshtatin të njëjtat teknologji për të forcuar mekanizmat e shtypjes... Më 27 korrik, kreu i Komitetit Hetimor të Rusisë, Aleksandër Bastrikin, njoftoi se institucioni kishte integruar inteligjencën artificiale në punën e tij. Sipas tij, programe të specializuara për analizën biometrike mund të përpunojnë me shpejtësi terabajt të dhënash video dhe të identifikojnë qindra persona të dyshuar për veprimtari të cilësuara nga autoritetet si “ekstremiste” apo “terroriste”.
Por Rusia nuk është e vetme. Kina, Irani, Koreja e Veriut, Turqia dhe Bjellorusia po e integrojnë gjithnjë e më shumë AI-në në sistemet e kontrollit të qytetarëve. Për vite me radhë, optimistët e teknologjisë besuan se interneti do të dobësonte regjimet autoritare, duke krijuar hapësira të reja për komunikim, organizim dhe demokraci.
Por zhvillimet e fundit po tregojnë një realitet tjetër. Autoritetet kanë kombinuar censurën teknike me mbikëqyrjen fizike dhe, me zhvillimin e inteligjencës artificiale gjeneruese, kanë fituar mjete shumë më të fuqishme për të kontrolluar informacionin, lëvizjet dhe sjelljen e qytetarëve.
Dikur, censura, propaganda, përgjimi dhe kontrolli i informacionit kërkonin një numër të madh njerëzish dhe burime të konsiderueshme financiare. AI po e ndryshon këtë ekuacion, sepse lejon përpunimin automatik të sasive gjigante të të dhënave dhe identifikimin e modeleve që do të ishte e pamundur të zbuloheshin nga njerëzit në të njëjtën shkallë.
Kina është shembulli më i avancuar. Ajo ka ndërtuar një bazë të jashtëzakonshme të dhënash dhe ka kapacitetin kompjuterik të nevojshëm për të zhvilluar një sistem gjithnjë e më të pavarur të inteligjencës artificiale.
Ndryshe nga e kaluara, kur autoritetet mblidhnin të dhëna që nuk mund t’i analizonin plotësisht, rrjetet moderne neuronale mund të bashkojnë informacionin biometrik, të dhënat e vendndodhjes, transaksionet financiare dhe aktivitetin online në një sistem të vetëm.
Kjo gjë e ka transformuar edhe censurën. Dikur kompanitë kineze duhej të punësonin mijëra moderatorë për të kontrolluar përmbajtjen që filtrat automatikë nuk arrinin ta kuptonin. Sarkazma, lojërat me fjalët, imazhet e manipuluara dhe mënyrat e tërthorta për të shmangur censurën, kërkonin ndërhyrjen e njerëzve.
Sot, sistemet e AI-së mund të kuptojnë kontekstin, të dallojnë sarkazmën, të lexojnë tekste të kthyera përmbys dhe të transkriptojnë mesazhe zanore. Mbikëqyrja nuk kufizohet vetëm në internet.
Kina ka një rrjet shumë të gjerë kamerash, të cilat me ndihmën e AI-së, mund të identifikojnë njerëzit jo vetëm përmes fytyrës, por edhe përmes mënyrës së ecjes. Sisteme të tilla analizojnë gjatësinë e hapit, lëvizjen e krahëve dhe karakteristika të tjera të trupit, duke bërë të mundur identifikimin e një personi edhe kur ai përpiqet të fshehë fytyrën.
AI mund të përdoret gjithashtu për të zbuluar shenjat e para të protestave. Algoritmet analizojnë lëvizjet e grupeve, grumbullimet e pazakonta dhe ndryshimet në ritmin normal të jetës urbane.
Kamerat mund të sinjalizojnë edhe veprime të tilla si hapja e një pankarte, ndërsa të dhënat e telefonave mund të krahasohen me pamjet e kamerave për të identifikuar modele të konsideruara të dyshimta nga autoritetet.
Efekti nuk është vetëm teknik. Kur qytetarët e dinë se çdo lëvizje, mesazh apo transaksion mund të monitorohet, ata fillojnë të vetëpërmbahen. Kështu, sistemi nuk ka nevojë të ndëshkojë çdo individ: mjafton krijimi i bindjes se dikush është gjithmonë duke të vëzhguar.
Kina po përdor AI-në edhe për propagandën jashtë vendit. Modelet kineze dhe platformat ndërkombëtare, janë përdorur në fushata që synojnë të krijojnë përmbajtje negative ndaj kritikëve të Pekinit.
Në të njëjtën kohë, përdorimi në rritje i modeleve kineze nga kompani perëndimore ngre shqetësimin se filtrimi i temave të ndjeshme për Kinën, mund të ndikojë gradualisht edhe në mënyrën se si përdoruesit jashtë vendit e perceptojnë Pekinin.
Për të zhvilluar këto sisteme, Kina ka nevojë për fuqi të madhe kompjuterike. SHBA-ja ka kufizuar eksportin e çipave të avancuar drejt Kinës, por Pekini po përpiqet të ndërtojë pavarësinë e vet teknologjike, veçanërisht përmes Huawei-t.
Ndërkohë, kompanitë kineze kanë kërkuar mënyra për të siguruar pajisje amerikane përmes vendeve të treta dhe skemave të ndryshme të furnizimit. Kjo garë teknologjike ka krijuar edhe një bashkëpunim të ri mes regjimeve autoritare.
Kina mund t’u ofrojë Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut jo vetëm pajisje, por edhe algoritme dhe modele të gatshme. Nga ana tjetër, Rusia ndan ekspertizë në përgjim, anashkalimin e censurës dhe identifikimin e njerëzve.
Në këtë mënyrë po krijohet një treg paralel teknologjik që u mundëson regjimeve të shmangin pjesërisht sanksionet perëndimore. Në Rusi, rezultatet janë më të përziera. Moska ka nisur zbatimin e projekteve për të lidhur miliona kamera në një sistem të centralizuar mbikëqyrjeje, por zbatimi ka hasur vështirësi teknike.
Një projekt i FSB-së për përdorimin e AI-së në monitorimin e mediave dhe parashikimin e protestave dështoi, duke treguar se ambicia e regjimit nuk përputhet gjithmonë me kapacitetet teknologjike që disponon.
Megjithatë, Kremlini e sheh AI-në si një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e regjimit nga ajo që e quan ndikim perëndimor dhe “revolucione me ngjyra”. Modele
si YandexGPT dhe GigaChat trajtohen si pjesë e një koncepti të “AI-së sovrane”, ku informacioni kontrollohet dhe modelet trajnohen mbi të dhëna të miratuara nga shteti.
Një shqetësim tjetër është përdorimi i AI-së për propagandë dhe dezinformim. Fermat tradicionale të “trollëve”, ku njerëzit shkruanin manualisht mijëra komente, po zëvendësohen nga sisteme që mund të prodhojnë në pak minuta tekste në shumë gjuhë dhe t’i përshtatin ato për audienca të ndryshme.
Kjo e bën shumë më të lirë dhe më të shpejtë manipulimin e debatit publik. Në Iran, inteligjenca artificiale po përdoret për të monitoruar respektimin e ligjeve për mbulesën e kokës nga gratë si dhe për të kontrolluar protestat.
Në Korenë e Veriut, AI po ndihmon në krijimin e identiteteve të rreme, infiltrimin e specialistëve në kompani të huaja dhe vjedhjen e kriptomonedhave. Vetëm gjatë vitit 2025, hakerët koreano-veriorë vodhën 2.1 miliardë dollarë në kriptomonedha.
Turqia dhe Bjellorusia po ndjekin të njëjtën rrugë. Në Turqi, sistemet e identifikimit biometrik janë përdorur për të lidhur pamjet e kamerave me profilet në rrjetet sociale, ndërsa në Bjellorusi një sistem i centralizuar lidh mijëra kamera me bazat biometrike të shërbimeve të sigurisë.
Veçanërisht shqetësues është përdorimi i AI-së për të analizuar pamjet e protestave të viteve të mëparshme dhe për të identifikuar njerëz edhe vite pas pjesëmarrjes së tyre në protesta.
Rreziku më i madh qëndron te kalimi nga mbikëqyrja pasive te “shtypjes parashikuese”. Nëse algoritmet arrijnë të identifikojnë qendrat e mundshme të pakënaqësisë përpara se të nisë një protestë, regjimet mund të ndërhyjnë shumë më herët, duke neutralizuar organizimin përpara se ai të marrë formë.
Paralelisht, aftësia për të prodhuar falsifikime bindëse me AI mund t’u japë këtyre regjimeve një armë të fuqishme për të ndikuar në zgjedhje dhe në opinionin publik në vendet demokratike. Në këtë realitet, inteligjenca artificiale nuk është më vetëm një teknologji për zhvillim ekonomik.
Ajo po shndërrohet në një mjet që mund të shumëfishojë fuqinë e shtetit mbi individin. Ndërsa regjimet autoritare shkëmbejnë teknologji, modele dhe ekspertizë, bota demokratike përballet me sfidën e vendosjes së kufijve që do të pengonin përdorimin e AI-së për kontroll politik, censurë dhe shtypje./ Marrë me shkurtime nga “The Insider”inteligjenca artificiale turqia kina diktaturat Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota U godit nga një biçikletë, kryebashkiaku i Komos ndalon çiklizmin në qytet 21 Gusht 2026, 13:2113:21Rajoni dhe Bota Vrasje makabër në aeroportin e Antalyas, ish-polici ekzekuton me armën e shërbimit partneren e tij 38-vjeçare 21 Gusht 2026, 13:1213:12Rajoni dhe Bota Vrasja e turistit në Ksamil, Sokrat Vata dhe 10 të arrestuarit e tjerë dalin para gjykatës 21 Gusht 2026, 12:4812:48Rajoni dhe Bota Rrëzohet avioni civil pranë aeroporti në Alaskë, humbin jetën 8 persona 21 Gusht 2026, 12:2812:28Rajoni dhe Bota Giorgia Meloni: Mendoja se me Donald Trump do të ishte më e lehtë, por gjërat shkuan ndryshe 21 Gusht 2026, 12:1112:11Rajoni dhe Bota "Armagedon-i" ekonomik; si Kina dhe Rusia mund të minojnë bllokadën e Trump ndaj Iranit 21 Gusht 2026, 11:4411:44Rajoni dhe Bota

