Një sherr masiv është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të dielës në zonën e pedonales, pranë plazhit në Durrës, ku tre të rinj kanë mbetur të plagosur me thikë. Sipas policisë, gjatë një konflikti të çastit janë dëmtuar shtetasit F.B., 19 vjeç, L.C., 20 vjeç dhe U.C., 18 vjeç. Dy prej tyre kanë marrë plagë të shumta dhe janë transportuar në Spitalin e Durrësit, ndërsa i treti ka pësuar lëndime të lehta dhe nuk ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Të tre të rinjtë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet paraprake rezulton se në konflikt janë përfshirë shtetasit L.Ç., 19 vjeç dhe një 15-vjeçar, të dyshuar si autorë të plagosjes. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tyre, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
