Lajme Zone
Hoxha: Manipulimi i informacionit, instrument presioni hibrid që dëmton demokracinë
PolitikëEuronews Albania

Hoxha: Manipulimi i informacionit, instrument presioni hibrid që dëmton demokracinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, foli në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, teksa u shpreh se mbrojtja e hapësirës së informacionit është një nga sfidat kryesore të demokracive evropiane.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, foli në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, teksa u shpreh se mbrojtja e hapësirës së informacionit është një nga sfidat kryesore të demokracive evropiane. Hoxha theksoi se manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion nuk janë më thjesht çështje narrativash konkurruese, por janë kthyer në instrumente të presionit hibrid që synojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve, të shfrytëzojnë ndarjet sociale dhe të ndikojnë në proceset demokratike. “Manipulimi dhe Ndërhyrja e Informacionit të Huaj nuk është thjesht një çështje narrativash konkurruese. Përdoret gjithnjë e më shumë si një instrument i mirëmenduar i presionit hibrid, i projektuar për të gërryer besimin, për të shfrytëzuar përçarjet sociale, për të përdorur algoritmet si armë, për të amplifikuar pakënaqësi dhe për të thyer kuptimin e realitetit”, tha Hoxha. Ministri u shpreh se objektivi i këtyre ndërhyrjeve nuk është gjithmonë bindja e qytetarëve për një narrativë të caktuar, por shpesh krijimi i mosbesimit ndaj institucioneve, medias së pavarur dhe vetë demokracisë. “Në një botë të dominuar gjithnjë e më shumë nga mediat sociale dhe të transformuar nga zhvillimi i shpejtë dhe kryesisht i parregulluar i Inteligjencës Artificiale, asnjë vend nuk është imun ndaj këtyre kërcënimeve”, deklaroi ai. Ai theksoi se Shqipëria, duke njohur historinë e saj të mungesës së lirisë, do të vijojë të mbrojë vlerat demokratike, por shtoi se liria kërkon përgjegjësi dhe respekt për të vërtetën, qytetarët dhe institucionet. “Ne në Shqipëri e dimë më mirë se kushdo çmimin e lirisë, sepse kemi përjetuar mungesën e saj. Prandaj, nuk do të kursejmë asgjë për të mbrojtur vlerat tona demokratike të fituara me mund”, tha ministri.