Banorët e pallatit “Boga” në Shëngjin, pranë komisariatit të Policisë, ngrenë shqetësimin për zënien e një hapësire të përbashkët para pallatit dhe në hyrje të tij. Sipas banorëve, një familje po e përdor këtë hapësirë për parkimin e motorëve të ujit, duke penguar përdorimin e saj nga banorët e pallatit.
Banorët shprehen se hapësira është e përbashkët dhe nuk duhet të shfrytëzohet si vend parkimi për mjete ujore. Ata pretendojnë se situata ka krijuar probleme të vazhdueshme, veçanërisht për aksesin dhe përdorimin normal të hyrjes së pallatit.
Sipas një prej banorëve, rasti është denoncuar edhe në polici, por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të garantuar që hapësira e përbashkët të jetë në dispozicion të të gjithë banorëve.

