Nuk ka kohë më urgjente dhe më të rëndësishme se kjo që po jetojmë, kur të gjithë duhet të jemi super të vëmendshëm, super kritikë, super verifikues të çdo informacioni që shohim të publikuar. Është koha kur njerëzve “u ka marrë koka erë” për të marrë sa më shumë klikime dhe vëmendje në rrjetet sociale dhe për këtë janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë: Edhe alarm fals për bombë nëpër shkolla dhe sidomos, të mos e vrasin fare mendjen që po në social media të bëjnë video ku e pranojnë. Nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë që kanë rënë në grackën e klikimeve në rrejetet sociale: Janë dhe burra shteti, gazetarë, mjekë, inxhinierë, klerikë, dhe për të shtuar ndjekësit, duhet të improvizojnë ulërima, urrejtje, sharje, veprime ekstreme që janë në kufijtë e dorëzimit të individëve për kontrolle për shëndetin e tyre mendor. LEXO edhe...Nëse opozita dhe politika do të kishte gjuhën e Alimehmetit... Pak ditë më parë në Facebook, nën emrin Kisha e Laçit, ishte publikuar një histori shumë prekëse e një prifti franceskan At Zefi, 58 vjeç, bashkë me foton e tij duke fshirë lotët me shami, i cili tregonte se si kishte shpëtuar nënën e moshuar dhe një shoqen e saj nga azili i pleqve në Gjirokastër, ku vëllai (i pashpirt) e kishte lënë. Shkrimi ishte bërë me nota lotndjellëse, dukej tepër i vërtetë! I vetmi element që si gazetarë na bëri të dyshojmë ishte një fjali, ku prifti tregonte se si një “xhel çudibërës” i dhënë nga një doktor që shëtiste falas nëpër azile pleqsh, kishte ngritur nënë e tij nga shtrati ku dergjej, në këmbë. Pasi e verifikuam si redaksi, mësuam se nuk ekzistonte asnjë prift françeskan me atë emer në Kishën e Laçit dhe se historia ishte totalisht e sajuar. Nën këtë histori të pavërtetë ishin bërë mijëra pëlqime dhe qindra komente që as nuk e vinin në dyshim historinë, por shprehnin indinjatën e tyre për këtë bëmë me nënën e gjorë dhe bekimin për priftin që nuk ekziston. Me siguri, shumë prej atyre që komentuan e dhanë pëlqimin pa e vrarë mendjen gjatë, janë vënë në kërkim të një xheli çudibërës për gjunjët e tyre delikatë dhe kockat që dhembin. E me siguri, firma që ka kuptuar se si të shesë xhelin përmes historive fake, e ka ndjerë se qindra shqiptarë janë vënë në kërkim në google me këtë pyetje: A ka një xhel çudibërës që të heq dhimbjen e gjunjve? Markat që ofrohen janë të pafundme. Kaq mjafton që njerëzit të orientohen se çfarë të blejnë pasi kanë lexuar një histori të dhimbshme. Por derisa bëhet fjalë për një xhel freskues gjuri, ndoshta, për shoqërinë nuk është dëmi më i madh që është bërë. Mendoni ata politikanë që për 30 vite kanë drejtuar gishtërinjtë e tyre të korruptuar se kë të quajnë hajdur e kë jo, kë të quajnë antishqiptar dhe kë jo, kë të quajnë kriminel dhe kë jo? Imagjinoni hapsirën e tyre publike të jashtëzakonshme në krahasim me xhelin e gjurit dhe dëmin dhe orientimin që ata i kanë bërë dhunës në shoqërinë tonë në tranzicion. Prandaj sot më shumë se kurrë, në shkolla, por dhe në atë gazetari profesionale që ka mbetur, informimi korrekt, i verifikuar, kritik, i konfirmuar, është shërbimi më i mirë dhe i domosdoshëm për kohët që po kalojmë. Të rinjtë shqiptarë duhet të mësojnë se si të përdorin pasurinë më të madhe që kanë: Trurin e tyre, të pandotur nga manipulatorë të sofistikuar apo ordinerë, për të ecur në jetë. Edhe për të protestuar me të drejtë. Sot më shumë se kurrë, do të kishte vlerë dhe një drejtësi e pandotur nga të tilla manipulime, një drejtësi që ndihmon me prova dhe fakte, më shumë se me perceptime, të kuptojmë se kush ka ose jo të drejtë. Kush është i fajshëm dhe kush jo. Kush gënjen dhe kush përdor të gjitha mjetet, fjalët dhe videot, për të deformuar të vërtetën sepse ashtu i intereson. a.m./ReportTv.al alba malltezi socialmedia fake Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.6% Magjistratëve 15.5% Nuk e di 5.9% Vota total: 7826 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

