Premtimi legjendar për “shëndetësi falas” ka mbërritur në fazën e tij më groteske: spitalet private po pësojnë sulm në zemër nga… bereqeti i fitimeve të çmendura! Në letër, qytetari shqiptar e ka shëndetin të garantuar, pa e rënduar xhepin, fap e fap dhe pa lekë. Në praktikë, nëse të kap ndonjë sëmundje, përballesh me një realitet tjetër, katran: korridore ku dëgjohet jehona e hapave të tu, mungesë shërbimesh, aparatura që ndërrojnë jetë më shpesh se pacientët dhe sportelet e privatit që të presin me tapet të kuq dhe kartë krediti në gatishmëri.
Për fat të mirë, ministria reale e Shëndetësisë, ajo e njohur në prapaskenë si e Evis Salës, vazhdon të shpërndajë fjalë të ëmbla e parulla për akses universal dhe arritje historike. Por, ndërkohë që institucionet publike lëngojnë në agoni, arkitektët e vërtetë të këtij sistemi fërkojnë duart. Mbreti absolut, ministri ynë de facto i Shëndetësisë, Klod Allajbeu, skllavo-pronari i shëndetësisë dhe ai i Spitalit Amerikan, na dëshmon se si shndërrohet vuajtja njerëzore në një makinë perfekte për prodhimin e miliardave.
Bilanc faraonik: Kur “skllavo-pronari” i shëndetësisë numëron fitime prej 552%
Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, grupi i famshëm i Spitalit Amerikan ka festuar një vit triumfues që sfidon çdo krizë ekonomike e planetare. Pasi gëlltiti dhe përthithi plotësisht edhe Spitalin Hygeia, ky perandor i shëndetësisë private ka konsoliduar një monopol që të kall datën: Të ardhura marramendëse: Rreth 8.5 miliardë lekë nga aktiviteti kryesor, nga rreth 5.58 miliardë lekë një vit më parë. Kjo është një rritje prej 52.5%, ose rreth 2.93 miliardë lekë më shumë brenda një viti të vetëm! Në nivel të konsoliduar, këto të ardhura arrijnë në një shifër galaktike prej 10.23 miliardë lekësh.
Shpërthim i fitimit neto: Fitimi neto i shoqërisë fluturoi në 554.5 milionë lekë në vitin 2025 (dhe rreth 568 milionë lekë në nivel të konsoliduar), nga vetëm 85 milionë lekë në periudhën paraardhëse. Kjo do të thotë se fitimi u rrit me një shifër astronomike prej 552%, duke u bërë më shumë se 6.5 herë më i lartë!
Aktive gjigante: Vetëm Spitali Amerikan mbylli vitin 2025 me aktive prej rreth 13.85 miliardë lekësh, ndërsa grupi i konsoliduar kapërceu në mbi 14.12 miliardë lekë aktive. Ky nuk është thjesht biznes; ky është një shtet brenda shtetit, një perandori financiare e ndërtuar mbi mjerimin e sistemit publik.
Nga Hygeia te dializa: Si funksionon makineria e fitimit
Për të kuptuar këtë sukses të rrufeshëm kontabël, duhet parë edhe ndryshimi strukturor. Bashkimi me përthithje i Spitalit Hygeia, që nga shtatori i vitit 2024, e ktheu American Hospital në një subjekt të vetëm, duke synuar uljen e kostove, ekonomitë e shkallës dhe optimizimin e burimeve. Për rrjedhojë, rritja e vitit 2025 nuk vjen vetëm nga dyert e hapura për pacientët e rinj, por edhe nga ky përqendrim brutal i tregut.
Dhe çfarë tregu! Gjatë vitit 2025, ky gjigant privat ka vënë në lëvizje një ushtri të vërtetë: Mbi 2,241 punonjës në shërbim të makinës së fitimit.
Rreth 16 mijë ndërhyrje kirurgjikale (apo 21 mijë në nivel të konsoliduar).
Rreth 5 mijë trajtime mjekësore (8 mijë të konsoliduara).
Një shifër tronditëse prej 117 mijë seancash dialize. Gama e shërbimeve është e plotë: nga kardiologjia invazive, transplantet e organeve, neurokirurgjia, IVF-ja dhe kardiokirurgjia, te mjekësia nukleare dhe radiologjia e avancuar. Privati nuk të lë të ikësh jashtë vendit… mjafton të kesh kasafortën gati!
Paradoksi i madh: A është sabotuar qëllimisht publiku për të majmur privatin?
Këtu, ironia e hollë digjet në flakët e realitetit. Sa më shumë qytetari nuk e gjen dot shërbimin në kohë te spitali publik, i drejtuar formalisht nga Evis Sala, aq më shumë lulëzon tregu i Klod Allajbeut.
Një rezonancë magnetike, një ekzaminim i specializuar apo një operacion i domosdoshëm, që sorollatet me muaj të tërë në shtet, nuk mund të presë kur jeta është në fije të perit. Për pacientin, alternativa është e kristaltë: të presë derisa të shkojë nga ajo botë ose të thyejë kumbullat e kursimeve dhe të paguajë te privati.
Lulëzimi financiar i spitaleve private nuk është thjesht një histori suksesi sipërmarrjeje në një ekonomi tregu të lirë. Problemi, ai thelbësori, është se ky zgjerim i tregut privat ushqehet drejtpërdrejt nga boshllëqet, kalbëzimi dhe dështimet e qëllimshme të një sistemi publik që mbahet gjallë nga taksat dhe kontributet e po atyre qytetarëve, të cilët detyrohen të paguajnë për herë të dytë nga xhepi.
Kështu, fjala “falas” mbetet thjesht një daulle e zbrazët propagande për televizorin. Në njërën anë ke shtetin që premton akses universal dhe, në anën tjetër, ke perandorinë private që numëron miliarda.
Në fund të ditës, debati nuk duhet të jetë pse privati fiton, por pse qytetarët detyrohen të krijojnë këtë kërkesë apokaliptike për shërbime private. Nëse shqiptarët paguajnë taksa për shëndetësinë publike dhe përfjnë te dera e Spitalit Amerikan, atëherë pyetja e vërtetë nuk është se sa fiton Klod Allajbeu… Pyetja është: sa po u kushton realisht shqiptarëve kjo “shëndetësi falas” në shpirt, në xhep dhe në jetë?
Ndërkohë që zyrtarët tanë përulen para statistikave të rreme të suksesit, kujdesuni ta mbani portofolin fort të shtrënguar kur kaloni nga rruga e spitaleve!

