Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Specializuar, Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës. Sheholli ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe se e ndjen veten të pafajshëm.Ndërkohë, avokati mbrojtës Mentor Neziri ka bërë të ditur se mbrojtja tërhiqet nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës.“Ne tërhiqemi nga e drejta e hudhjes së aktakuzës. Dëshirojmë të fillojmë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor, posa Gjykata ta ketë mundësinë që ta shqyrtojë këtë seancë”, ka deklaruar avokati. Në këtë mënyrë, mbrojtja ka kërkuar që procedura të vijojë sa më shpejt drejt shqyrtimit gjyqësor, pa shfrytëzuar afatin 30-ditor për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.Edhe i pandehuri, Fatmir Sheholli, është deklaruar se heq dorë nga e drejta për të ushtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në të.Gjykata i ka njoftuar palët se, meqë çështja do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor, rasti do të gjykohet nga një trup gjykues. Sipas Gjykatës, caktimi i anëtarëve të trupit gjykues bëhet në mënyrë automatike dhe, për këtë arsye, aktualisht është e pamundur të caktohet menjëherë data e seancës së shqyrtimit gjyqësor.Nis seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, në sallë i pranishëm edhe Nenad RashiqPalët janë njoftuar se, posa të përfjnë këto procedura, do të informohen me kohë për datën dhe kohën e seancës së shqyrtimit gjyqësor.Me këtë, seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit ka përfunduar. Në seancë ishte i pranishëm edhe Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit.Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve. Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro. /Telegrafi/

