Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të martën me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimit të kësaj partie ndaj procesit të uljes graduale të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Takimi u zhvillua me kërkesë të Elekut në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë. LEXO edhe...Serbi në Zubin Potok pretendon se u keqtrajtua nga Policia e Kosovës, EULEX kërkon hetim, Inspektorati Policor nis mbledhjen e provave Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Jovana Radosavljeviç, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç. Sipas KFOR-it, palët diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Komandanti i KFOR-it u tha përfaqësuesve të Listës Serbe se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ai theksoi se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i tha se do të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant. “Tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”, thuhet në njoftimin e misionit. KFOR-i theksoi se, edhe pas përfundimit të procesit, do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës. Lista Serbe kishte reaguar kundër njoftimit për uljen graduale të pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër, duke kërkuar që kjo masë të ndalej. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës kishte kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri. Lista Serbe kishte argumentuar se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, çdo ndryshim në praninë e forcave të sigurisë duhet të bëhet me kujdes. Ajo kishte thënë gjithashtu se Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”. Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe. Ajo është ruajtur nga trupat e KFOR-it që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe për vite me radhë ka qenë një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës. Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë. Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i tha se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë./ REL R.Xh/ReportTv.al kosove KFOR nato serbia Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 43.3% Jo 49.5% I/e dyzuar 7.2% Vota total: 3245 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?
