Udhëtimi i papritur i drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë mendohet se mund të ketë pasur për qëllim paralajmërimin e Rusisë që të mos ndërmarrë sulme ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Duke cituar burime që kanë njohur mbi vizitën, Wall Street Journal, kujton se vizita vjen në një kohë kur inteligjenca amerikane ka vlerësuar se Vladimir Putin mund të testojë vendosmërinë e aleancës me një sulm të kufizuar ndaj një prej vendeve anëtare në vitet e ardhshme.
Gjatë qëndrimit në Moskë, Ratcliffe zhvilloi bisedime me zyrtarë të inteligjencës ruse, por nuk u takua me presidentin Vladimir Putin, cka u pohua edhe nga Kremlini vetë. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, tha se Putin ishte informuar mbi rezultatet e vizitës së paparalajmëruar në media. Ai nuk dha shume detaje mbi temat e diskutuara.
“Ka pasur kontakte nëpërmjet shërbimeve të sigurisë. Mund t’ju them se nuk ka pasur takime me presidentin rus. Natyrisht, Presidenti Putin mbahet i informuar për gjithçka pa vonesë”, deklaroi Peskov.
Ndërkohë, as Donald Trump nuk dha një shpjegim të qartë për arsyen e udhëtimit të Ratcliffe në Moskë. Në një intervistë radiofonike të mërkurën, Trump e përshkroi vizitën si “gjysmë rutinë”, por la të kuptohej se ajo mund të prodhonte rezultate të dobishme.
“Diçka mund të dalë nga kjo. Po punojmë shumë për ta përfunduar atë luftë”, tha Trump, duke iu referuar luftës në Ukrainë.” Vizita e fundit e njohur e një drejtori të CIA-s në Moskë ishte ajo e Ëilliam Burns, paraardhësit të Ratcliffe, i cili zhvilloi bisedime me Vladimir Putinin në nëntor të vitit 2021. Top Channel

