Shtetet e Bashkuara po përgatiten të nisin një proces të gjerë revokimi vizash, që mund të prekë deri në 200 mijë shtetas të huaj, mes tyre edhe shqiptarë që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga autoritetet amerikane. Sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Shtetit, të siguruara nga Associated Press, në javët e ardhshme pritet anulimi i një numri të konsiderueshëm vizash B1 dhe B2, të lëshuara gjatë periudhës 2016-2026. Në fokus janë personat që, pasi kanë marrë vizë për udhëtime turistike apo biznesi, kanë paraqitur kërkesë për azil në SHBA ose kanë një procedurë azili ende në shqyrtim.
Masa nuk synon një shtetësi të veçantë dhe nuk është specifikisht e lidhur me Shqipërinë. Megjithatë, shtetasit shqiptarë mund të preken, nëse kanë pasur vizë B1/B2 dhe më pas kanë kërkuar azil ose kanë një çështje azili aktive.
Deri tani nuk ka një të dhënë zyrtare se sa shqiptarë mund të përfshihen në këtë proces.
Anulimi i vizës, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga AP, nuk nënkupton automatikisht dëbimin nga SHBA. Personat me procedura azili në vazhdim mund të vazhdojnë procesin e tyre, ndërsa humbasin statusin që lidhet me vizën turistike ose të biznesit.
Masa ende nuk është zyrtarizuar dhe detajet mund të ndryshojnë përpara zbatimit.
Çfarë tha Departamenti i Shtetit për revokimin e vizave?Departamenti i Shtetit pritet t’i njoftojë revokimet në javët e ardhshme. Fjala është për të ashtuquajturat viza B1 dhe B2 të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026 për persona që kanë kërkuar ose po kërkojnë aktualisht azil. Këto viza lëshohen përgjithësisht për udhëtime pune, turizëm, vizita familjare ose trajtim mjekësor.“Ne po bashkëpunojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) për të identifikuar dhe revokuar vizat e shtetasve të huaj që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara duke deklaruar se janë vizitorë afatshkurtër, por më pas kanë paraqitur kërkesë për azil për të qëndruar këtu në mënyrë të përhershme”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, duke iu referuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ai nuk pranoi të jepte një numër të saktë, duke thënë se numri “mbetet dinamik dhe mund të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme”. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

