“Qeveria e kryeministrit shqiptar Edi Rama, e cila prej kohësh ka kërkuar të ndikojë në politikën amerikane, ju dha miratimin, por kryeministri nuk mundi të fitonte miratimin e elektoratit të tij për projektin tuaj të ëndrrave.” Kjo është një nga akuzat më të forta të ngritura nga kongresmeni amerikan Jamie Raskin, demokrati më i lartë në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, në një letër drejtuar Jared Kushner, ku njofton zgjerimin e një hetimi të Kongresit amerikan ndaj ish-këshilltarit të lartë të administratës Trump dhe kompanisë së tij të investimeve, Affinity Partners.
Në letrën e bërë publike, Raskin e vendos projektin e Kushner në Shqipëri në qendër të shqetësimeve të tij, jo vetëm për konfliktet e interesit që lidhen me aktivitetin e tij në SHBA, por edhe për marrëdhëniet e tij të biznesit me qeverinë shqiptare.
Sipas kongresmenit amerikan, projekti për ndërtimin e një resorti luksoz pranë ishullit të Sazanit dhe vijës bregdetare të Zvërnecit është kundërshtuar nga qytetarë shqiptarë, ndërsa autoritetet shqiptare i kanë dhënë dritën jeshile investimit.
Raskin e lidh këtë situatë edhe me rolin e Kushner në politikën e jashtme amerikane dhe marrëdhëniet e tij me investitorë të huaj.
Raskin: Rama ju dha miratimin, shqiptarët dolën në rrugë
Në letrën drejtuar Kushner, Raskin shprehet se ish-këshilltari i Trump kishte qenë shumë i zënë duke shkaktuar, sipas tij, një tjetër incident të politikës së jashtme në Shqipëri, pas udhëtimit të tij me jaht në Adriatik.
Kongresmeni amerikan rikthen në vëmendje projektin për një resort luksoz në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, me argumentin se ai është kundërshtuar nga banorët për shkak të pasojave të mundshme mjedisore.
Raskin shkruan se qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama i dha miratimin projektit, por shton se “kryeministri nuk mundi të fitonte miratimin e elektoratit të tij për projektin tuaj të ëndrrave”.
Sipas tij, kundërshtimi ndaj projektit është shfaqur përmes protestave të qytetarëve shqiptarë.
Kongresmeni demokrat përmend gjithashtu pretendimet për probleme me pronësinë e tokës në zonën e Zvërnecit. Ai i referohet raportimeve të publikuara në Wall Street Journal, sipas të cilave toka ishte blerë nga Artur Shehu, të cilin e përshkruan si person të dyshuar për lidhje kriminale dhe falsifikim dokumentesh pronësie.
Raskin shkruan se Kushner e bleu tokën për më shumë se 120 milionë dollarë, pavarësisht paralajmërimeve të banorëve lokalë për problematikat e pronësisë.
Në letër përmendet edhe pretendimi se pjesëtarë të sigurisë private të lidhur me projektin kanë sulmuar banorë që protestonin kundër tij. Këto janë pretendime të paraqitura nga Raskin në kuadër të letrës së tij dhe jo konkluzione të një gjykate amerikane.
“Nuk e gjetët Sazanin”
Një tjetër pjesë e letrës i kushtohet deklaratës së Ivanka Trump se Jared Kushner kishte “gjetur” një ishull në brigjet shqiptare gjatë udhëtimit me jaht në Adriatik.
Raskin e kundërshton këtë përshkrim, duke theksuar se Sazani ka një histori të gjatë si zonë ushtarake, ndërsa sot është pjesë e zonave me rëndësi mjedisore.
Sipas tij, pavarësisht kësaj, Kushner mblodhi partnerë nga Katari dhe nisi planifikimin e një resorti luksoz për njerëz me pasuri të mëdha.
Raskin e përdor këtë rast për të ngritur një çështje më të gjerë: marrëdhënien mes aktivitetit privat të Kushner dhe rolit të tij në politikën e jashtme amerikane. Hetimi amerikan dhe kërkesa për dokumente
Letra e Raskin nuk ndalet vetëm te Shqipëria. Kongresmeni kujton se më 16 prill 2026 i kishte dërguar Kushner një kërkesë të mëparshme lidhur me shqetësimet për konflikt interesi.
Sipas tij, Kushner nuk i është përgjigjur asaj letre dhe as stafit të Komitetit Gjyqësor.
Raskin ngre pikëpyetje mbi faktin se Affinity Partners ka mbledhur fonde nga qeveri të huaja, fonde sovrane, subjekte të lidhura me qeveritë dhe shtetas të huaj, ndërkohë që Kushner vazhdon të ketë rol në përpjekjet diplomatike të SHBA-së.
Në këtë kontekst, demokrati i Dhomës së Përfaqësuesve njofton se hetimi është zgjeruar për të përfshirë edhe praktikat e pasurive të paluajtshme të Kushner në Shqipëri.
Komiteti Gjyqësor kërkon nga Kushner dhe subjektet e lidhura me të që të dorëzojnë dokumente dhe komunikime deri më 7 shtator 2026.
Mes kërkesave janë:
të gjitha komunikimet mes Kushner, subjekteve të lidhura me të dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare për pasuritë e paluajtshme, marrëveshjet e biznesit apo protestat në Shqipëri;
komunikimet me përfaqësues të qeverisë amerikane lidhur me bizneset, pronat dhe protestat në Shqipëri;
të gjitha dokumentet që lidhen me miratimin apo shqyrtimin e projekteve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, përfshirë blerjet, miratimet qeveritare, pagesat dhe investimet.
Raskin thotë se dokumentet kërkohen për të vlerësuar nëse sjellja e Kushner duhet të hetohet edhe në kuadër të Foreign Corrupt Practices Act (FCPA), ligjit amerikan kundër praktikave korruptive të kompanive amerikane jashtë vendit.
Nga Sazani te konflikti i interesit
Në fund të letrës, Raskin e lidh çështjen shqiptare me një shqetësim më të gjerë mbi aktivitetin e Kushner.
Sipas tij, ndërsa ai angazhohet në negociata për konflikte ndërkombëtare në emër të SHBA-së, paralelisht zhvillon interesa private dhe marrëdhënie biznesi me investitorë të huaj.
Pikërisht kjo, sipas kongresmenit demokrat, krijon një “konflikt interesi” që duhet të shqyrtohet nga Kongresi.
Letra e Raskin e vendos kështu projektin e diskutuar në Sazan dhe Zvërnec jo vetëm në debatin politik shqiptar, por edhe në një hetim që po zhvillohet në Uashington ndaj aktiviteteve të biznesit të Jared Kushner dhe marrëdhënieve të tij me aktorë të huaj./Përshtati Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

