Shtetet e Bashkuara kanë hequr Sirinë nga lista e vendeve që sponsorizojnë terrorizmin, pas 47 vitesh. Vendimi i administratës Trump synon të lehtësojë investimet dhe të ndihmojë riintegrimin e Sirisë në ekonominë globale. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendimi njeh hapat e ndërmarrë nga qeveria e re siriane për t’u distancuar nga terrorizmi ndërkombëtar.
Masa shihet si një ndryshim i rëndësishëm në politikën amerikane ndaj Damaskut. Administrata e presidentit Donald Trump ka afruar marrëdhëniet me presidentin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, i cili më herët ishte i lidhur me grupin xhihadist al-Kaeda. Edhe grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili udhëhoqi ofensivën që rrëzoi Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, është hequr nga listat amerikane të organizatave terroriste.
HTS, i njohur më parë si Fronti al-Nusra, kishte qenë dega siriane e al-Kaedës. Sharaa i ndërpreu lidhjet me rrjetin xhihadist në vitin 2016.
Çfarë ndryshon për Sirinë?
Heqja nga lista amerikane pritet të reduktojë disa prej pengesave më të mëdha për investimet dhe aktivitetin ekonomik në Siri.
Sipas Rubio-s, vendimi u jep sirianëve një “rrugë drejt prosperitetit”, ndërsa Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se masa mund të nxisë investime të reja dhe të kontribuojë në stabilitetin politik e ekonomik. Ministri i Jashtëm sirian, Asaad Hassan al-Shaibani, e cilësoi vendimin si një “hap historik”, duke deklaruar se qeveria do të punojë për t’i dhënë fund pasojave të izolimit të vendit.
Siria ishte futur në listën amerikane të shteteve sponsorizuese të terrorizmit në vitin 1979. Me largimin e saj, në listë mbeten vetëm Kuba, Koreja e Veriut dhe Irani.
Përcaktimi si shtet sponsorizues i terrorizmit sjell kufizime të forta financiare, përfshirë pengesa për ndihmën amerikane, eksportet dhe shitjet e pajisjeve të mbrojtjes. Gjithashtu, mund të krijojë pasoja për kompani dhe shtete të tjera që kryejnë transaksione me vendin e sanksionuar. Megjithatë, pavarësisht ndryshimit të politikës amerikane, Siria përballet ende me probleme të mëdha politike dhe të sigurisë. Qeveria e re nuk ka arritur ende të krijojë një sistem plotësisht përfaqësues, ndërsa tensionet me fqinjët, përfshirë Izraelin dhe Turqinë, mbeten të larta.
SHBA-ja synon që Siria e re të afrohet me Perëndimin dhe të mos përfshihet në orbitën e Rusisë apo Kinës. Top Channel

