Oqeanet e botës kanë shënuar temperaturën mesatare më të lartë që nga fillimi i matjeve në vitin 1979. Sipas të dhënave të programit të Bashkimit Europian, Copernicus, më 22 gusht temperatura mesatare globale e sipërfaqes së deteve dhe oqeaneve arriti në 21,1 gradë Celsius. Rekordi i ri vjen në një periudhë të pazakontë të vitit. Zakonisht, temperaturat mesatare të oqeaneve arrijnë nivelet më të larta në muajt mars dhe prill, pas verës në hemisferën jugore.
Rekordi i mëparshëm, prej 21,09 gradësh Celsius, ishte regjistruar në mars të vitit 2024.Sipas klimatologut Stefan Rahmstorf, nga Instituti i Potsdamit për Kërkimin e Ndikimeve Klimatike, rekordi i ri është kryesisht pasojë e ngrohjes globale të shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë, veçanërisht nga djegia e naftës, gazit natyror dhe qymyrit.
Një tjetër faktor është fenomeni klimatik El Niño, i cili shfaqet periodikisht në Oqeanin Paqësor dhe sjell temperatura më të larta, veçanërisht në zonat tropikale. Sipas Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Copernicus, El Niño po i shton më tej temperaturat e oqeaneve. Ngrohja e vazhdueshme e oqeaneve po shton presionin mbi ekosistemet detare dhe komunitetet bregdetare. Një nga pasojat më të rënda është dëmtimi dhe shkatërrimi i shkëmbinjve koralorë në mbarë botën, i cili konsiderohet një prej rreziqeve kryesore të ndryshimeve klimatike.
Sipas Copernicus, temperaturat më të larta të detit rrisin gjithashtu rrezikun për fenomene ekstreme të motit. Oqeanet më të ngrohta çlirojnë më shumë nxehtësi dhe lagështi në atmosferë, duke krijuar kushte për reshje më intensive dhe stuhi më të fuqishme.
Në të njëjtën kohë, një oqean më i ngrohtë mund të thithë më pak dioksid karboni nga atmosfera, e kjo dobëson një prej mekanizmave natyrorë më të rëndësishëm që ndihmojnë në kufizimin e ndryshimeve klimatike. Top Channel

