Lajme Zone
Opozita bllokon sërish hyrjen e Qeverisë në Kosovë: Kurti po uzurpon institucionet
PolitikëTop Channel

Opozita bllokon sërish hyrjen e Qeverisë në Kosovë: Kurti po uzurpon institucionet

PDK dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Albin Kurtin dhe qeverinë për shkelje të Kushtetutës. Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht.

PDK dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Albin Kurtin dhe qeverinë për shkelje të Kushtetutës. Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Partitë opozitare në Kosovë kanë bllokuar edhe të martën hyrjen e objektit të Qeverisë, duke vijuar protestën e tyre kundër situatës së krijuar institucionale në vend.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, për shkelje të Kushtetutës dhe kanë kërkuar që të thirret vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se Kurti dhe ministrat e tij duhet të largohen nga godina e Qeverisë dhe të rikthehen në Kuvend për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja.

“Ne po i themi sot troç Albin Kurtit dy gjëra: e para, që ai dhe ministrat e tij që janë në këtë objekt janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. E dyta, ata duhet të kthehen në Kuvend e t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit”, deklaroi Deliu.

Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e akuzoi Kurtin për shkelje të Kushtetutës.

“Shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai, 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ua ka dhënë populli”, u shpreh Tahiri.

PDK: Bllokada institucionale po prek qytetarët

Krahas opozitës në nivel qendror, pakënaqësitë ndaj situatës institucionale u shprehën edhe nga përfaqësues të Komunës së Prishtinës.

Drejtorë dhe asamblistë të komunës iu bashkuan aksionit para godinës së Qeverisë, duke theksuar se mosfunksionimi i Kuvendit ndikon drejtpërdrejt në punën e institucioneve lokale.

Asamblistja e PDK-së në Prishtinë, Fjolla Vukshina-Reçica, tha se një Kuvend jofunksional nuk mund t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

“Një Kuvend që nuk funksionon, nuk mund t’i trajtojë siç duhet nevojat e qytetarëve, nuk mund të zhvillojë debatin për politikat dhe buxhetin që u duhen komunave, nuk mund t’i mbajë institucionet përgjegjëse. Prandaj, kur bllokohet Kuvendi, nuk bllokohen vetëm deputetët, bllokohet zëri i qytetarëve”, deklaroi ajo.

Afati kushtetues ka përfunduar

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar më 7 gusht, por procedura ende nuk është përmbyllur.

Situata është krijuar për shkak të kërkesës së Vetëvendosjes për më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

Për këtë çështje, Vetëvendosje është duke zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa opozita kërkon që procesi i konstituimit të Kuvendit të vijojë dhe vendi të dalë nga ngërçi institucional. Top Channel